charlie-hebdo-alan-kurdiE. Veseli

Lajmi për rastet ngacmimeve seksuale të emigrantëve arabë në Gjermani ndaj grave vendase ka provokuar reagime të ashpra duke rritur valën e urrejtjes ndaj tyre kudo në Europë. Si gjithmonë, të etura për scoop dhe sensacion, mediat nuk kursehen të kultivojnë urrejtje, duke ushqyer opinionin me paragjykime e stereotipe nëpërmjet përhapjes së lajmeve të këqija, sipas parimit komercial: lami i keq është lajm i mirë. Të njëjtën gjë janë munduar ta bëjnë prej dekadash tashmë mediat shqiptare, ndonëse ne nuk kemi emigrantë (në fakt ne jemi popull emigrant në vende të tjera) dhe ndonëse atashimi fetar që duan ti bëjnë këtyre problemeve e bën edhe më paradoksale situatën, duke pasur para sysh se Islami nuk është fe emigrantësh në Shqipëri.

Megjithatë duket se ky vend ka burra dhe një i tillë mori përsipër këo ditë të na sqarojë se përse ndodh ky fenomen. Mentor Kikia, në rolin e antropologut, sociologut, psikologut madje edhe seksologut u përpoq të shpjegonte në pak rreshta shkaqet e këtyre fenomeneve, në një shkrim në gazetën MAPO, që i ka fort qef këto diskutime. Teksa nuk le rast pa raportuar marrëzira të kudogjindshme nëpër dynja nga muslimanë anonimë, kjo gazetë nuk harron kurdoherë të na frymëzojë me raportime të përditshme mbi akte dhe gjeste humane të Papës, mrekullira nga Vatikani apo edhe vlera të larta që krishtërimi rrezaton kudo në botë. Dukshëm, siç pretendojnë shpesh drejtues të kësaj gazete, ajo megjithatë nuk ka asgjë me Islamin dhe nuk është kundër muslimanëve!

Kështu shprehet edhe Mentor Kikia në shkrim, pas shpjegimit të tij, se ngacmimet seksuale të bëra nga arabët në Gjermani vijnë për shkak të problemeve kulturore të tyre. “Kjo nuk është një fyerje për besimin e atyre që mbulohen, por thjesht një përpjekje për ta parë në një kendvështrim tjetër përplasjen e parë mes “qytetërimeve” në Gjermaninë e sapo populluar nga 1 milion refugjatët sirianë, afganë e irakenë”, thotë Kikia, ndërsa më parë nuk ka hezituar ta konsiderojë këtë fenomen si një “tronditje të tyre me realitetin e ri, liberal dhe civil perëndimor”. Domethënë realiteti “joliberal” sirian nga vijnë shumica e këtyre emigrantëve nuk qenka civil (nuk po e marrim për fyerje as këtë)! Ndoshta autori e kupton fjalën civil si e kundërta e “ushtarak” dhe e ka përdorur duke pasur para sysh se Siria gjendet në luftë. Ndoshta!

Ja sesi argumenton Kikia me pak fjalë:

Gratë në Gjermani [kjo duhet të jetë një lapsus, Kikia duhet të ketë pasur para sysh Sirinë] nuk shkojnë në pishinë apo plazhe me bikini, por mbuluar me ferexhe e burka. Madje në shumë vende gratë as nuk lejohen fare në pishina. Dhe përballja me një realitet të ri, praninë e femrave me veshje plazhi, mund të krijojë gjendje ta pakontrolluara instiktesh mes burrave arabë. Kjo nuk është një fyerje për besimin e atyre që mbulohen, por thjesht një përpjekje për ta parë në një kendvështrim tjetër përplasjen e parë mes “qytetërimeve” në Gjermaninë e sapo populluar nga 1 milion refugjatët sirianë, afganë e irakenë. Padyshim që pas kalimit të emërgjencës humane, shoqëritë nuk do të integrohen kaq paqësisht.

Pa i hyrë fare komentimit mbi mungesën e plotë të dijenisë së autorit mbi mënyrën sesi shkojnë në pishinë gratë në Siri apo Irak, autori këtu duhet të mendojë se në këto vende nuk ka hyrë ende televizori, pasi ndryshe nuk ka sesi shpjegohet ky shok kulturor i përjetuar në përballjen e parë të emigrantëve me një vend si Gjermania. Por duke kërkuar gjilpërën në kashtën e interpretimeve kulturore që as s’i njeh e as i kutpon, ai ka neglizhuar, apo ndoshta paragjykimet nuk e kanë lënë, t’i hedhë sytë nga statistika.

Vetë autori thotë në shkrim se “nga përdhunimet dhe ngacmimet seksuale nuk është imunizuar asnjë shoqëri”, dhe gjithashtu po vetë shprehet se janë disa dhjetëra raste ngacmimesh këto të emigrantëve, ndërkohë që janë gjithsej rreth 1 milion emigrantë në Gjermani tashmë. Pa qenë as fare demograf, mjafton pak aritmetikë për të kuptuar se në disa dhjetëra raste, supozojmë se janë 50 të tilla, përqindja e ngacmimeve qendron në raportin 0.0005 përqind, shifër kjo që do ti nxirrte sirianët engjëj. Të dhënat tregojnë se në SHBA 65 përqind e grave pranojnë se kanë pasur përvoja të ngacmimeve seksuale në rrugë ndërsa 1 në 3 gra ka qenë pre e një ngacmimi seksual në vendin e punës, si dhe 62 përqind e vajzave në universitetet amerikane kanë patur ngacmime seksuale në mjediset e universitetit. Të pretendosh se disa njerëz si meshkujt arabë janë kulturalisht të predispozuar të jenë predatorë seksualë, do të thotë të ndjekësh të njëjtën logjikë të karikaturës së Charlie Hebdo që celebroi vrasjen e vogëlushit sirian të mbytur, Aylan Kurdi, nëpërmjet një karikature ku thuhej se po të ishte gjallë e të rritej do bëhej edhe ai predator seksual grashë gjermane.

Autori as nuk u lodh të kontrollonte të dhënat që ja ofron lexuesit me ekspertizë të pretenduar. Së pari, gjer në fundin e vitit 2015, Gjermania kish pranuar jo 1 milionë, sa thotë Kikia, por 184 054 emigrantë. Gjithashtu raportohen rreth 500 vepra penale, prej të cilave rreth 200 kanë qenë raste ngacmimesh seksuale në Këln gjatë natës së ndërrimit të viteve, kur shumë njerëz dalin rrugëve të dehur. Nuk ka asgjë të habitshme dhe nuk ka asnjë arsye për të dalë në shpjegime kulturologjike apo edhe psikologjike mbi papërmbajtshmërinë seksuale të njerëzve që vijnë nga kultura më konservatore siç mendohet se janë ato arabe. Në fakt, kemi të bëjmë vetëm me keqpërdorim të informacionit nga mediat dhe shfaqjen e efektit viktimizues të këtyre lajmeve tek një njeri që pretendohet të jetë profesionist në fushën e gazetarisë. Z. Kikia, jo vetëm që nuk është informuar mirë për të sqaruar rrethanat e fenomenit që trajton, por merr përsipër të hyjë edhe në shpjegime shkencore, në fusha që nuk ia ka absolutisht haberin. Gjithsesi, Shqipëri hesapi. Nuk është as i pari as i fundit.

 

Pse refugjatët arabë ngacmojnë seksualisht gratë në Gjermani?

Comments

  • Mua shkrimi I Kikise mu duk shume I mire. Dmth nga ajo cfare publikon Mapo dhe Kikia ne pergjithesi prisja nje sulm frontal ndaj muslimaneve. Ndoshta edhe ndonje procession si puna e para kalimit ne Paris. Vertet, e kam pa shaka, kur u mbyll si teme, me kaq pak helm, mora fryme thelle dhe mendova ” kaloi edhe kete here”

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *