A. Cara

download“Kur t’knon qyqja t’knon edhe ciripupja”, thotë një fjalë e urtë, e myslimanëve shqiptarë u këndohet prej dekadash, me festivale që sot ndjekin frekuencat e terrorit. Sa herë që terrori godet në një qytet europian, fillon retorika e kujës me konstatime parafabrikat:

“Në debatet publike zëdhënës të dasisë dhe irredentizmit fetar, po militojnë për sublimitetin fetar mbi atë kombëtar. Kjo është vrasëse dhe ogurkeqe për të ardhmen e shqiptarëve të ndryshëm në të njëjtën republikë. Por po kaq e rrezikshme është të besosh se indiferenca e mëtejshme shoqërore përballë një shkolle të fortë e të pabujshme indoktrinimi që arabizon apo iranizon ndërgjegjen fetare të një pjese të shqiptarëve, mund të shembë nesër trashëgiminë e një Shqipërie me bashkëjetesë dhe pluralizëm fetar që fanatikisht nevojitet të mbrojë sekularizmin e vet iluminist […]. Kjo mësymje nga ndërgjegjja përmes indoktrinimit të saj, nuk luftohet me reparte antiterror, por me një front të përbashkët ndërgjegje ndriçimit dhe besimit tradicional, pa dilema”.

Po ndodh hataja, kërkon të pohojë gazetari A. Çipa. Që kur qarkullon ky mall apokaliptik në tezgat e gazetarisë shqiptare, sot me siguri do të ishim rrethuar me arabë, iranianë apo edhe «otomanë» (siç rropatet të tregojë, prej kohësh, një tjetër pupël e së njëjtës gazetë), ose do të ishim mbrojtës më fanatikë të sekularizmit, gjëra të cilat nuk i ka verifikuar nga koha. Dakord e keqja erdhi nga Azia, se nga andej jemi brumosur gjatë enverizmit t’ia fiksojmë burimin, por ç’bënë të ndriçuarit, si autori në fjalë, për t’iu kundërvënë me këtë togfjalëshin në modë të “besimit tradicional”? Sa hapësirë i kanë dhënë këtij besimi në media? Sa herë dhe kur i kanë mbrojtur seklularizmin e laicitetin e shkelur publikisht nga sivëllezërit e tjerë? Në një Shqipëri ku vezullojnë kryqet nëpër majat e maleve (dikur aq frymëzuese për etërit e kombit), të cilët, pasi fillimisht – në atë vakumin pra të lënë nga komunizmi, kur vërshuan beduinët – u ngulën me dru e beton, njohën elektrifikimin vite më vonë, si për të dëshmuar se janë vendosur vjedhurazi e padrejtësisht, nuk mund t’i kërkohet myslimanëve respektimi i rregullave të lojës së harmonisë, aq më tepër kur mendësia e regjimit dhe jehona e saj në këtë çerek shekulli udhëzojnë që orientalët anadollakë duhet të mësojnë nga rrezatimi i kulturës europiane. Ekuilibrat shkelen edhe nga “mediokri” Televizioni Kombëtar, me letra publik, i cili Bajramin tre-katër ditor e përcjell në ditën e parë, ndërsa njëditoren Pashkë e fillon të premten në darkë, e pason të shtunën e natyrisht të dielën (për këtë mund të verifikohet fare lehtë kremtimi i fundit), ndonëse shumica e të ardhurave nga taksa mujore e RTSH u vilet myslimanëve.

Harmonia nuk ruhet me fjalë. Mes të tjerash kërkohet reciprocitet. Realiteti shqiptar dëshmon që sa më shumë egërsohet terrorizmi, aq më pak respektohet ky reciprocitet, të paktën në opinionin e shkruar e publik, edhe aty ku korrektesa duket ose dukej e lavdërueshme. Kështu, nga meditimi i klerikut Gj. Meta, në rendin e të qenurit i pranishëm mediatikisht në gazetën më të madhe shqiptare (ku ndodh kjo në Perëndim?), mbi ngjarjet e Brukselit në ambientin shqiptar, lexohet:

“Ndërsa thosha meshën, nisa të reflektoj mbi ambiguitetin që simbolet mbartin në vetvete. Se si kambana e Kishës thërret për gëzim, por thërret edhe për mort. Se si namazi që nis me fjalët Allahu akbar (Allahu është i madh) thërret njerëzit që të falen, por e dëgjon edhe në gojën e disa terroristëve që duke vrarë, kinse bëjnë vullnetin e Zotit”.

Së pari, namazi është vetë rituali i faljes, prandaj s’mund të trajtohet si thirrje, e cila ka emër tjetër (natyrisht jo ‘altoparlant’, fjalë që autori e përdor). E sigurt është që harmonia nuk mund të burojë nga mosnjohja. Kuptohet pastaj se pikërisht ky nivel njohjeje përbën njërin prej komponentëve logjikë të përfundimit egocentrik (gati i detyruar, sepse prezantohet me duhet) për reformimin e Tjetrit si shëmbëlltyrë e imagjinatës vetjake:

“Religjionet duhet të shkëputen vazhdimisht nga trajtat e tyre historike apo kulturore, duhet të shkojnë përtej atyre trajtave dhe të shohin njeriun konkret, madje çdo njeri, i cili me vetë ekzistencën e tij është një risi absolute në këtë botë. Një religjion që nuk i përgjigjet kësaj risie, apo i përgjigjet asaj me postulate të vjetra e të ngurta, do të prodhojë vetëm mure dhe ndasi. U takon në mënyrë të veçantë religjioneve që të nxjerrin në pah e të nxisin atë instinkt të së mirës dhe të së bukurës që Zoti ka vendosur në zemrat e njerëzve”.

«Religjioni» në fjalë, edhe pse i mbuluar nga shumësi, është ai islam. Se çfarë është risi i lihet interpretimeve dhe detyrat konkrete të «religjioneve» (sapo është kërkuar përparësia e njeriut), si entitete që mendojnë, mbeten akoma më enigmatike.

Së dyti, komponenti tjetër është diferencimi hierarkik, ku Ne, konkretisht ambienti i autorit, gjykon nga pozita superiore. Në qoftë se lajmërimi kishtar thërret për gëzim, ai i traditës islame thërret për bindje (ritual). Në kishë shkohet për emocionin e gëzimit ose për respektin e të vdekurit. Në xhami shkohet për një ritual, ndonëse edhe në kishë ndodh kështu, por rituali islam imagjinohet thjesht si falje, si veprim mekanik pa nevojën e identifikimit me ndonjë emocion, ndërsa rituali i kishës humbet tërësisht në ndjesi (shpirtërore). Ashtu si tradita katolike edhe ajo islame “tradicionale” e njeh lajmërimin për hidhërim (vdekje), mirëpo krahasimi i mësipërm nuk ndërtohet mbi këtë regjistër: nga njëra anë trishtimin e lajmërimit e jep fjala ‘mort’, nga ana tjetër trishtimi jepet me vrasje, pra me përdorimin e një fragmenti (të lajmërimit islam) në ‘terror’. E tepërt të thuhet se kjo tipologji krahasimi në nivelin e grigjës së facebookut, aty ku faqja tjetër kthehet për të pështy Tjetrin përbri (të konsideruar vëlla etnikisht), degjeneron rëndom në përjashtim, përbuzje, fajësim e urrejtje.

Gjithë këto free reformatorë të islamit kanë aq shumë për të bërë me të vetët, duke filluar me kolegët, komentuesit e mediave on-line e deri te tifozeritë e faqeve personale të fb, ku miqtë që duartrokasin me like janë të njëjtit përçues të përbuzjes, sa që me siguri nuk do të kishin më kohë për moralizimin e Tjetrit. Por si fillim duhet punuar me veten, duke hequr dorë nga arroganca e të qenurit superior dhe përherë në shkallën sipërore të mbiemërzimit pozitiv. Gjithmonë prania e ligësisë është më pak e dukshme se doza patetike e hipokrizisë.

 

Comments

  • 2 verejte kisha vella:
    – shume “beduine” ardhacake mund te kene qene muslinane, qe normalisht nuk ngulen gjysemhena kodrave te kryeqytetit, ndryshe nga ata katolike qe zune hapesira publike pa te drejte me kryqe pa leje
    – ke plotesisht te drejte ne lidhje me TVSH qe perdor fonde publike per propagande Pashkesh. Por per mendimin tim u jep me teper rendesi tipave si Cipa dhe Meta qe me kujtojne vajtuset me pagese qe qanin me shume se nena e gruja e te vdekurit edhe pse s’i njifte asnji ne fis. Tipike e shqiptarit periferik qe qan e qesh per fatet globale pa e kuptuar qe prej shekujsh se ka pjerdhur as lindja e as perendimi, pavaresisht se eshte diku ne mes.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *