maxresdefaultElton Hatibi

Tradita e tasavufit është e hershme në vendin tonë sa dhe vetë prezenca e Islamit. Është jashtë çdo imagjinate të aludojmë se sundimtarët osmanë që qeverisën këto troje, të mos ishin në një mënyrë a një tjetër të lidhur me mësimet apo aktivitetet që përçon tradita sufi. Në qytetet tona, siç shënon më herët Evlia Çelebiu, por dhe shumë të tjerë, pranë xhamiave kryesore gjendeshin edhe teqetë e sufijve si dhe medresete ku shehleret mësonin dishepujt me disiplinat e Islamit. Një ndër më të famshmet është Teqja Halvetie pranë Xhamisë Bajazit në Berat, ndërtuar nga sulltani që e përkrahte masivisht tarikatin. Në Tiranë, pranë xhamive kryesore gjendej doemos ndonjë teqe, si ajo pranë Xhamisë së Sulejman Pashës, të Stërmasit, të Beshirit, Tabakëve, etj. Xhamia më e bukur në Tiranë dhe padyshim ajo më emblematike për shqiptarët, është ndërtuar nga një myhyb bektashi, Haxhi Et’hem Beu.

Pas vitit 1990, pas lejimit të jetës fetare, myslimanët u përpoqën të ndërtonin gjithçka pothuajse nga hiçi. Rahmetli Hafiz Sabri Koçi, murid tixhani, në një intervistë të hershme dëshmon se pas hapjes sefte të xhamive nëpër qytete, largimi prej aty përjetohej si braktisja e prindit ndaj fëmijëve. Kaq pak për të thënë se në çfarë mjerimi shpirtëror dhe paditurie ishte zhytur njeriu i ri shqiptar. Më pas, bashkë me ndihmat nga vendet myslimane erdhën edhe misionarët arabë si një paketë e pandarë dhe që në më të shumtën e rasteve ishin misionarë selefinj. Metodologjia selefie ishte ajo që u përhap masivisht mes rinisë që frekuentonte xhamiat duke krijuar jo pak herë dhe përplasje me brezin e vjetër, kryesisht i lidhur me kujtimin e traditës. Edhe studentët e diplomuar jashte vendit, të cilët erdhën për të gjallëruar jetën fetare, mbartnin si metodologji dominuese atë selefie, me shkollat përkatëse që mbisundojnë në vendet e Gjirit Persik ku si përbashkuese e tyre mbetet refuzimi i sufizmit. Një faktor determinues në këtë situatë shndërrimesh kulturologjike, përveç zellit djaloshar të studentëve selefi, ishte edhe mirëfinancimi i aktiviteteve të tyre nga një rrjet fondacionesh ku më zemërgjeri apo dorëlëshuari ishtë fondacioni Al Haramain.

Ck1EsNeXEAAvT6cSituata tek teqet dhe tek tarikatet kishte një dinamikë tjetër. Duke dalë të dërrmuara nga rregjimi komunist, tradita dhe mësimet e tyre nuk u risollën qoftë dhe në parametrat e paraluftës. Edhe ndarja me Perandorinë Osmane apo gjendja më pas në një kontekst agresiv reformist, e kishte ndrydhur që herët zhdërvjellsinë intelektuale dhe dinamizmin e tyre social. Interesi nga jashtë pas komunizmit ishte minimal dhe shumë shpejt realiteti i tyre u kthye në një dëshmi praktike e ashpërsisë teorike në mësimet selefiste. Xhemati i teqeve, më së shumti indiferent, dhe me dije minimale religjoze, përzier aty-këtu dhe me besime magjike apo praktika të pabaza, nuk kishte aftësi dhe mundësi të ridimensionont aktivitetin e tij fetar, aq më tepër kur u ndodh nën breshërinë e akuzave dhe përgojimeve nga xhemati selefi, që detyrimisht solli një ndarje si me thikë mes këtyre realiteteve fetare.

Tarikateve nuk iu ofrua në mënyrë miqësore një përkudesje e atillë që të harmonizonte mbetjet e traditës së tyre me normat e sheriatit, përafrim i mundshëm që do të mundësonte një kohezion më të plotë të bashkësisë myslimane. Përkundrazi, tendenca kryesore këto 20 e kusur vite ka qenë identifikimi i tarikateve dhe teqve të tyre me rrugën e devijimit dhe çerdhet e idhujtarisë. Qasja ndaj tyre, duke përjashtuar tërësisht optikën akademike, ka qenë thellësisht sektare; xhemati i xhamiave nuk ka asnjë alternativë tjetër komunikimi me këtë realitet veç akuzave, qesëndive dhe harresës. Aq shumë janë sulmuar teqet sa edhe ndonjë shenjë relativizimi ndaj qasjes sektare shihet si një lëshim dramatik që teologjikisht shpie në deviancë bartësin e saj.

Sektarizëm nuk është ushqyer vetëm ndaj tarikateve; shkollat e besimit, shkollat juridike, shkencat humane, aktiviteti politik, artet, besimet e tjera, marrëdhëniet gjinore, etj. kanë qenë fushëbetejat e parapëlqyera të ish studentëve të kthyer nga vendet arabe. Por kohët e fundit, pas shumë traumash dhe mundimesh që hoqën besimtarët nën ombrellën e kësaj fryme amatoreske sektare, qasja ndaj shumë fenomenve dhe realiteteve të sipërcituara është zbutur disi. Por fronti i përpjekjeve që normalizon ndërtimin e urave komunikuese mes tarikatetve dhe xhematit të xhamiave është më i vështiri. Zelli sektarist kultivohet gjetiu, kryesisht në institutet arsimore të Gjirit Persik. Sapo ndonjë tendencë relativizuese shfaqet ndaj tarikateve nga ish studentët që janë akomoduar në vend, menjëherë vjen denoncimi nga të zellshëm të freskët të sapodalë nga bankat e shkollës.

Është e pasur literatura dhe predikimet, më së shumti online, me akuza dhe denoncime për realitetin e sufizmit në përgjithësi dhe më ngushtë atë të tarikateve në vend. Niveli i tyre është ende larg literaturës bashkëkohore dhe tematikat janë kryesisht didaktike që i drejtohen një publiku me nivel të ulët kulturor. Por literatura e vërtetë e tesavufit ende nuk është përkthyer për publikun e gjerë që të mund të njihen përjetimet apo qoftë historiku i sufinjve të mëdhenj. Selefinjtë edhe pse mund ta rigjejnë përmes teksteve një qasje më racionale ndaj sufizmit dhe tarikateve, e kanë edhe si borxh historik trajtimin e tyre me butësi. Është edhe prej bereqetit dhe punës së tyre ndër shekuj që familjet tona edhe në pikën më të vdekur fetare ku u rrokullisën, të mbartnin qoftë dhe diçka elementare nga Islami, për të shërbyer më pas si pikënisje për të gjithë ne në mësimin më të plotë të fesë.

Sufizmi është një realitet i gjerë i botës myslimanë me një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të gjithanshëm për njerëzimin. Sigurisht mes kësaj tradite shekullore të kudondodhur ka dhe tendenca ekstremiste apo spekulime që mvishen me autoritetin e sufizmit. Globalizimi i Islamit e ka risjellë edhe një herë në vëmendje këtu tek ne realitetin e sufizmit. Eksperienca, literatura dhe dija skolastike kanë bërë të mundur qasjen pa droje tashmë të shumë besimtarëve ndaj sufizmit, kaq shumë të sulmuar dhe të përbaltur. Por ende lidershipi i selefizmit i cili zotëron një ndikim të konsiderueshëm në bashkësi nuk e ka zbutur qëndrimin e tij ndaj këtij dimensioni të Islamit. Ashtu siç patën kurajën të thyenin tabutë, megjithese pa pendesë, dhe të “legalizonin” arsimin e lartë, punësimin në administratë, shkollimin bashkarisht femra meshkuj, votën zgjedhore, etj, lidershipi selefi duhet të dekriminalizojë fetarisht dhe pjesmarrjen në ceremonitë dhe veprimtaritë e tarikateve. Pasurimi i jetës religjoze vetëm sa do ta forcojë edhe më tej identitetin fetar të mylimaneve në Shqipëri. Sa më shpejt të ketë nisma serioze ndaj paqtimit të kësaj situate, aq më shumë mllef dhe tensione do t’i kursejmë fanatikëve që kanë përveshur mëngët.

Comments

  • E vleresoj kete shkrim per gjuhen e bute dhe si perpjekje pozitive per te percjelle nje mesazh, edhe pse nuk jam dakort me te. Nga ana tjeter, shoh deri diku nje perpjekje per te hedhur hije dyshimi mbi selefizmin dhe burimet e tij permes disa fenomeneve te cilat po ti analizosh me qetesi nuk sheh asgje kompromentuese:
    Nese selefizmi ka ardhur ne Shqiperi nga shoqatat arabe dhe Gjiri Persik, nga kush tjeter duhet te vinte? Selefizmi eshte nje metologji e ngritur me baza te forta, qe ka prodhuara kolose te ketij umeti dhe teper sfidues per sherbimet qe kane bere ne lemet fetare. Cfare e ben kompromentues faktin qe paskan financuar qe te perhapet?
    Nese deshira juaj per perhapur sufizmin ne keto troje dhe per te ngritur dhe ringjallur institucionet e tij, a mos duhet bere me fonde shqiptare? Pse financimi nga Turqia si shembull qenka i pranueshrm jo kompromentues, ndresa nga Gjiri qenka problematik?
    Pse qenka ligjerimi selefi i ashper dhe jo bashkohor dhe jashte realitetit shoqeror ku jetojme, ndersa ai sufi teper i pershtashem dhe bashkohor?! A mos eshte ky thelbi i deferences midis te vertetes dhe te pavertetes?!
    Nuk besoj se autori eshte njohes i mire i realiteti sufi dhe i praktikave te tyre. Perkundrazi, ritualet sufite, shkollat e tyre dhe maredheniet ndernjerezore me ta jane shume problematike. Si shembull po ju sjell formatin me liberal te sifive, qe jane xhemati Teblig, te cilet jo pak here kane terhequr venendjen me sjelljet dhe veshjen e tyre. Jo vetem kaq, por ekstremizmi i tyre medh’hebor eshte i frikshem. Shkollat e tyre te hifzit jo pak here kane qene problematike ne mbare boten, si dhe fryma e tyre perjashtuese persa i perket disa aspekteve medh’hbore.
    Po nese flasim per xhemate te tjera mbartes te frymes sufiste dhe me rrenje nga kjo fryme, sic jane nurxhite, sulejmanxhite, nakshebendite etj. Shembuj ka plot.
    Kam bindjen se ju mungon nje njohje e thelle e sufizmin dhe derivateve te tij dhe problematikave qe ata paraqesin.
    Edhe pse e mirekuptoj qellimin, nuk mirekuptoj mungesen e njohjes dhe paraqitjen superfaqesore te kesaj fryme.

    • Titi, ne Shqiperi, xhemati, tabliket i permend kryesisht per anekdota gazmore, qerim orizi neper xhami, parfumosje dore me esenca vrastare, etje. Selefet nuk do t’i harroje kurre per ashpersine dhe amtorizmin injorant e fshtaresk ne trajtimin e gjithckaje qe ka te beje me kete bote, gjithashtu dhe me tjetren. Sa per shembull qe perbashkon sa thash, kujto bastonatet e qyqareve ne seancat e nxjerrjes se xhindve.

  • Flm per kete shkrim Elton.
    Nje fjali diku nga fillimi s’e kisha fort te qarte: “në një intervistë të hershme dëshmon se pas hapjes sefte të xhamive nëpër qytete, largimi prej aty përjetohej si braktisja e prindit ndaj fëmijëve.” A do mund ta shpjegoje pak me mire?
    Shume dakort me konkluzionin dhe thirrjen drejtuar xhematit. Edhe vete, si brezi i te rinjve te edukuar sefte ne islam ne vitet 90 me literature selefie, e mbaj mend shume mire se si na mesohej se ne ishim ehli suneti ve xhemati, dhe ishim i vetmi grup i udhezuar drejt mes 72 grupeve ku te gjithe te tjeret ishin ne devijim dhe humbje, e sufite, sidomos bektashinjte, ishin ata me te humburit e urryerit. Duke pas anetare te famijes qe jane bektashi, do kisha pas dasht vertete ca dije me te mirefillte e solide rreth bektashizmit, e sidomos rreth sufive te tjere qe jane edhe me prane islamit suni. Si mund ta kultivojme dhe arrijme kete dije dhe riafrim?

  • Pak a shume ne cdo qytet kishte nje grup nismetar dhe per ceremonialitet, ne rihapjen e xhamise vinte dhe nje delegacion nga Kmsh drejtuar nga rahmetliu. Mbas ceremonise, vendasit mezi ndaheshin nga vizitoret, figurativisht mbetnin si jetime. Behet fjale per 1991.

  • selam.
    krahas vershimit masiv te selefeve ne shqiperi duhet te theksohet se tarikatet e tjera sidomos teqete e tyre u uzurpuan dhe u pervetesuan nga tarikati bektashi. tarikati bektashi ne fillim ka qene minorance ne krahasim me tarikatet e tjera por ne shek xx u rrit ndjeshem ndersa pas 90 mori eskluzivitetin e plote. kjo fale edhe paaftesise se tarikateve te tjera per te bere diferencen

  • U habita kur e pashe kete artikull, nuk e mendoja qe sufijte te shfaqeshin kaq haptazi per ideologjine e tyre si dhe per te sulmuar ehlu-sunnetin dhe korifejte e famshem te tij. Nje dije diletantesh dhe shtesaxhinjsh nuk ka forcen ti kundervihet bazave te islamit! Ne xhematet tona nuk kam degjuar te kete sufij. Eshte per tu cuditur, nga ka hyre kjo ideologji, kush jane ithtaret etj.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *