Prindërit nuk duan mësuese me shami





E-zani

Prindërit dhe fëmijët e një shkolle ne Drenoc të Malishevë kanë protestuar duke bojkotuar mësimin, për të mos pranuar mësuesen e re të matematikës, për shkak se ajo mban shami. Ata frikësohen se mos mësuesja në fjalë mund të bëjë propagandë fetare, gjë që, sipas tyre, nuk mund të tolerohet në një institucion laik si shkolla. I shqetësuar për këtë, një prej prindërve, një burrë rreth të pesëdhjetave, nuk ka ngurruar as të derdhë lot përpara kamerave, në sallë gjatë mbledhjes së prindërve. Mes lotësh ai thotë se ata kanë shprehur frikë e mosbesim tek kjo mësuese “tuj pa programet televizive, tuj pa skena të ndryshme dhe nuk e kanë ndi veten t’sigurtë”. Një tjetër tregon se mbesa e tij, kur e ka parë mësuesen për herë të parë i ka thënë: “Xhaxh, ka ardhë një mësuese e mbulume, sikur të jetë e ISIS-it”. Ndërsa një nxënës diku rreth klasës së 5 apo të 6, qartësisht i instruktuar, u shpreh se:

“Shkolla nuk është institucion fetar, por edukativo-arsimor. E në qoftë se mësuesja e re do me viju m’sim, aty e kemi shkollën, por në qoftë se do me mbulesë, e kemi edhe xhamijen aty”.

Nxënësi në fjalë, kërkon t’i tregojë derën mësueses, duke ironizuar se ofrojnë xhami për të, nëse dëshiron të mbajë shaminë. Logjika përashtuese e dogmatike që ai përdor nuk është e re. E ndeshim rëndom tek një tufë intelektualësh antimuslimanë në gazeta e televizione. Për shaminë, sipas tyre, ka vend vetëm në xhami. Besimi qenka i përjashtuar nga çdo sferë e jetës publike ku individit i duhet të marrë pjesë. Ndonjë ditë do të thonë se edhe dyqani i bukës është institucion laik, e se për të blerë ushqime, do të duhet të mos mbash shami.

Interesante është se ky nivel i lartë ndërgjegjësimi kaq sensitiv për laicitetin e shkollës ndodh në një vend ku arsimi vuan nga probleme tronditëse. Në një kohë kur shkollat në Kosovë nuk plotësojnë më asnjë funksion edukativ, ku nxënësit vuajnë nga probleme të frikshme të edukimit dhe sjelljes, ata kujtohen se shkolla është institucion edukativ, vetëm kur iu duhet ti shkelin të tjerëve të drejtën e besimit. Mesa duket, i vetmi hall në shkollat e Kosovës është mbrojtja e laicitetit, i perceptuar ky sipas nocioneve përjashtuese, antagoniste e totalitare, të cilat i ndeshim masivisht në shtypin shqiptar të artikuluara nga opinionistë e analistë antimyslimanë që kujdesen me zell të kultivojnë urrejtje fetare ndër shqiptarë.

Çfarë mund të dijë për laicitetin e institucioneve publike apo për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës një fëmijë 11-12 vjeç, apo makar edhe prindërit e nxënësve të një shkolle periferike në njëfshat të Malishevës?

Siç e shprehin nga naiviteti vetë prindërit me gojën e tyre, ky reagim është produkt i islamofobisë së përftuar nga mediat. Në mos qofshin të instruktuar, ata reflektojnë gjithsesi, klimën armiqësore ndaj Islamit të përhapur nga institucionet shtetërore e mjetet e komunikimit masiv në Shqipëri e Kosovë. Ndërsa shumë prej tyre pretendojnë se nuk kanë asgjë me Islamin, ndonëse vjellin vrer çdo ditë kundër muslimanëve, ky realitet tregon qartë synimin e kësaj retorike që ata artikulojnë në mënyrë konseguente. Puna e tyre, mesa duket, ka filluar të japë fryte. Ndërsa shumë muslimanë janë ekstremizuar, pikërisht për shkak të përjastimit dhe linçimit që iu bëhet në media e institucionet shtetërore, shumë të tjerë jomuslimanë, ndjehen të kërcënuar dhe frikësuar nga Islami.

Kjo është rruga qorre, që shtypi dhe shteti po duan ta shpiejnë Kosovën! Kjo është rruga e prodhimit të tensioneve sociale, që u shërbejnë vetëm kopukëve për të mbijetuar në pushtet, duke vazhduar ta zhvasin këtë vend nga të katër anët.

Comments

  • Ne kete rast nuk me duket hataja. Po nqs mesuesja do shfaqte tipare te theksuara te nje feje tjeter, a duhej te reagonin keta prinder? Une them se po. Per mosha kaq te vogla, eshte vertet problem lidhja shpirterore nxenes- mesues

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *