Sheriati dhe Tarikati tek Bektashinjtë*
John Kingsley Birge
Në një nga citimet më të përmendura të Muhamedit, që gjallon mes bektashinjve, është ai që rëndom gjendet shkruar mbi hyrjen e lozhës ose mejdanit.
“Unë jam qyteti i dijes dhe Aliu është porta e tij”
Ene medinetul ilim, ve Ali babuhu.
Kuptimi i kësaj është që Muhamedi mësoi anët e jashtme të asaj çka myslimanët duhet të besojnë dhe veprojnë, por vetëm përmes Aliut mund të arrihet në domethënien më të thellë të tyre. Kështu Kurani ka katër kuptime: teksti i jashtëm, ibare, është për njerëzit e thjeshtë, avam; imtësitë e tij, letaif, janë për gnostikët, arifin; sekretet e tij janë për shenjtorët, evliya; e vërteta e brendshme apo esenca e drejtpërdrejtë (hakikat) është për profetët, peygamberler. Si shembull dikush mund të marrë rregullat e agjërimit, të cilat janë bërë të njohura nga Muhamedi. E jashtmja apo domethënia e agjërimit sipas sheriatit është të heqësh dorë nga ushqimi në periudha të caktuara. E brendshmja apo domethënia e agjërimit sipas tarikatit është të mos vjedhësh, të mos shohësh apo dëgjosh të ligën, të mos u bësh dëm të tjerëve.
Është e natyrshme atëherë, në dritën e kësaj pikëpamjeje që e konsideron ligjin e sheriatit si mësimdhënien e praktikave dhe besimeve të jashtme të destinuara në kuptimin e tyre të drejtpërdrejtë vetëm për fillestarët, që të gjithë mistikët, nga natyra e rastit, duhet të neglizhojnë respektimin e ligjit. Me bektashinjtë kjo është më e vërtetë se me tarikatet e tjera. Opinioni i përgjithshëm është se ata i neglizhojnë plotësisht praktikat fetare që kërkon sheriati. Megjithatë ata ruajnë një lloj shfaqjeje respekti ndaj ligjit. Disa net rradhazi kur unë isha ulur në dhomën e miqve të Sali Njazi Dedeit, kreut të Urdhërit Bektashi në Shqipëri, pashë një dervish të ngjitej në verandën jashtë dritares sonë të kryente thirrjen për lutjen e darkës. Kur, i befasuar, pyeta për arsyen e këtij veprimi, m’u tha: “Kjo është pjesa e sheriatit.” Poeti Ashik Hasan, i cituar tashmë (…), thuhet se shkonte çdo vit në Mekë për pelegrinazh dhe ishte i rregullt në namazin apo adhurimin formal të tij, sepse dëshironte të tregonte se bektashinjtë nuk e shpërfillin përherë sheriatin.
Është një poezi e famshme e Junus Emresë, e cila ilustron sjelljen e dervishëve në përgjithësi, dhe të bektashinjve jo më pak, kundrejt rëndësisë të murshidit dhe të domethënies së Katër Portave. Si në odet e Muhidin Arabiut, vargjet nuk kanë kuptim pa komentim. Prandaj përkthimi këtu jepet për disa nga vargjet, shoqëruar nga interpretimi i Njazi Misrit, një poet dhe mistik i Urdhërit Halveti, por mjaft i dashur nga bektashinjtë.
Iu ngjita lart degës së kumbullës. Por rrush hëngra aty.
Kopshtari ndërhyri dhe tha: Pse hëngre arrën time?
Cıktım erik dalına anda yedim üzümü
Bostan ısı kaktı der ne yersin kazumu
Interpretimi: Ndjekësit të së vërtetës sheriati i duket si një kumbull nga jashtë, tërheqëse por me një bërthamë të fortë e të pangrënshme, kështu që provon tarikatin, i cili është si rrushi, i gjithi i mirë dhe me shumë përdorime, por gjithashtu me bërthamëza në qendër. Kështu ai udhëhiqet nga murshidi i tij në hakikat, i cili është i ngjashëm me arrën, me të jashtme të fortë parandaluese, por me tul të shijshëm brenda.
Vura baltë në kazan dhe zieva me erën e veriut
Kush pyeti “çfarë është”, ngjyej rrush e ia jap
Kerpiç koydum kazana poyraz ile kaynattım
Ne bu deyüp sorana bendim verdim üzümü
Interpretimi: Njeriu që ndjek frutin e vreshtit, i cili simbolizon tarikatin, dhe përpiqet për ta gjetur duke përdorur erën e veriut për të pjekur argjilë, nuk është më budalla se ai që përpiqet të ndjekë jetën mistike pa një murshid.
I dhashë fillin endësit, por në lëmsh nuk e mbështolli
Fort e lëvdon: të vijë dikush e ta marrë rrobën e vet
Iplik verdim çulhaya sarıp yumak etmemiş
Becid becid ısmarlar gelsin alsın bezini
Interpretimi: Murshidi i mangët nuk mund të marrë një ndjekës dhe ta shndërrojë atë në dervish, pak rëndësi ka se sa përpiqet të lëvdohet me punën e tij.
Mbi dyzet qerre ngarkova krahun e trumcakut
Dyzet pendë qè nuk e tërhoqën dot, e aty mbeti.
Bir serçinin kanadın kırk kanlıya yuklettim
Kırk çift dahi çekmedi kaldı şöyle yazılı.
Interpretimi: Udhëtimi me qerre është njohja e jashtme e fesë që mëson sheriati. Fluturimi me krahë është njohja ezoterike dhe përvoja e tarikatit. E gjithë fuqia e sheriatit nuk mundet të gjenerojë përparim nëpër tarikat.
* Kemi shkëputur këtë pasazh nga libri i mirënjohur “The bektashi order of dervishes”, të studiuesit amerikan John Kingsley Birge. Vepra, e hartuar në dekadat e para të shekullit të njëzetë, është një ilustrim i mirë i historisë, doktrinës dhe praktikave të Tarikatit Bektashi në një periudhë kur ky tarikat, por dhe shoqëritë myslimane në përgjithësi, po i nënshtroheshin ndryshimeve radikale.
Comments