Nderimi i Profetit





Annemarie Schimmel*

 

Tek Mesnevia, Rumi na rrëfen se si Muhamedi fëmijë i humbet Halimes, mëndeshës së tij, e cila, zhytur në vaj, ngushëllohet me fjalët:

Mos u brengos, ai ty nuk të humbet,                                                                                                                                                madje, e gjithë bota tek ai do të humbasë

Padyshim kjo është shprehja e përkryer e ndjenjave të çdo myslimani të shekullit të trembëdhjetë. Disa shekuj më pas, poeti sufi turk Eshrefoglu i drejtohet Profetit me gëzim:

Në tubimin e Muhamedit ngjesha mbathjen e imanit                                                                                                                    dhe erdha krekosur si një pallua

Prej kohësh të hershme, Muhamedi, i dërguari i Zotit, ka qenë ideali për besimtarin mysliman. Sjellja e tij, veprat e tij dhe fjalët e tij shërbyen si model për të devotshmit, që u përpoqën ta ndiqnin atë aq ngushtësisht, deri në detaje të vogla të jetës së përditshme, si në mënyrën e veshjes, modelin e mjekrës, zbatimin e hollësive të abdesit, deri tek preferenca për disa lloje ushqimi.

Një përmasë e re u shtua në biografinë e Profetit nga futja e shumë traditave legjendare. Vetë ai i refuzonte legjendat dhe ndaloi çdo kult personaliteti, duke pretenduar të kishte vetëm një mrekulli si atribut, atë të transmetimit të fjalëve të Kuranit popullit të tij. Megjithatë ai ishte i rrethuar nga mrekulli: gazela i foli atij, trungu i palmës rënkoi kur ai nuk u mbështet më në të gjatë predikimit, delja e helmatisur e paralajmëroi të mos hante mishin e saj, shamia me të cilën fshiu fytyrën dhe duart nuk u dogj në zjarr. Të gjitha karakteristikat fisnike të trupit dhe zemrës së tij janë përshkruar në terma të një admirimi të dukshëm. Që se tradita myslimane ndalon paraqitjen figurative, në vend të kësaj do të gjesh përshkrime të cilësive të larta (hilya) të Muhamedit, të shkruara në kaligrafi të hollë që zbukurojnë muret e shtëpive. Hilya të tilla ende shiten në oborret e disa xhamive në Turqi.

Personaliteti i Profetit u bë mediumi i eksperiencës fetare, ndonëse, duke e parë nga ana fenomenologjike, qendra e Islamit është Kurani, si zbulesë hyjnore e drejtëpërdrejtë, dhe jo lajmëtari që e solli atë. Por myslimanët ishin në djeni për rëndësinë e figurës së Profetit në mirëmbajtjen e fesë së tyre në aspektin “ligjor” (siç shënohet në fjalinë e dytë të dëshmisë së besimit). Profeti, siç thotë Rumi, është një provim hyjnor për njeriun: në dallim nga teuhidi  Iblisor, i djallit, i cili do të përkulet vetëm përpara Zotit, Profeti është vendosur ndërmjet për të shkatërruar këtë joshje që mund të shpjerë përfundimisht drejt panteizmit dhe ngatërrimit të të gjithave besimeve fetare. Muhamedi përbën një kufi në përkufizimin e Islamit dhe e dallon atë nga forma të tjera besimi. Mistikët që përdorën vetëm gjysmën e parë të deklaratës së besimit, duke mos pranuar pozitën e veçantë të Muhamedit, ishin të prirur të anonin në një interpretim panteist gjithëpërfshirës të Islamit.

Disa nga mistikët e hershëm mund ta kenë pohuar se dashuria e tyre për Zotin nuk linte hapësirë për një dashuri të veçantë ndaj Profetit. “Një natë e pashë Profetin në ëndërr. Ai tha: “A më do?” I thashë: “Të më falësh, por dashuria ndaj Zotit më pengon të të dua.” Ai vazhdoi: “Cilido që do Zotin, më do dhe mua”. Të tjerë mund të kenë qenë ngurrues për të përmendur emrin e tij sëbashku me emrin e Zotit në thirrjen për lutje. Por fillimi i misticizmi të vërtetë ndaj Muhamedit daton në fillim të shekullit të tetë. Mukàtil në veprën e tij e idealizoi Muhamedin si person, dhe ishte ky mistik i cili e interpretoi fjalinë e dyte të àyat an-nur, “Versetit të dritës” në Kuran, si të lidhur me Muhamedin, drita e të cilit shkëlqen përmes profetëve të tjerë. Kharràzi vazhdoi mbi këto ide dhe Hallàxhi i kushtoi mjaft nga Kitàb at-tauàsin-i i tij lëvdimit të Profetit. Ai është qenia e parë e krijuar, drita e tij i paraprin gjithçkaje dhe është pjesë nga drita e Zotit. Siç thotë edhe ‘Attàri në të njëjtin dell:

Fillesa e shpirtit është drita e përhershme, asgjë tjetër                                                                                                                  Ishte drita e Muhamedit, siç kuptojmë, asgjë tjetër.

*Teksti i mësipër është shkëputur nga libri i mirënjohur i autores, “Mystical Dimensions of Islam”, Chapel Hill: University of North Carolina Press, 1975.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *