Zjarr prej Xhehenemit





Zjarri në kulturën islamike është parasëgjithash sinonim i Ferrit, vendit ku përfundojnë pabesimtarët dhe keqbërësit në Ditën e Gjyqit të Fundit. Janë të shumta versetet kuranore apo traditat profetike të cilat formësojnë një përfytyrim të përgjithshëm rreth Ferrit si vend dënimi, ku vuajtjet dhe torturat ndodhin kryesisht përmes funksionit të zjarrit. Imagjinata islamike për nga ndikimi do të pasurojë përshkrimin dantesk të Ferrit, i përhapur gjerësisht më pas në kulturën e krishterë europiane. Gjithashtu në kozmologjinë islamike zjarri njihet si elementi bazë i krijimit të xhinëve, një prej të cilëve ishte edhe Iblisi (djalli). Madje atribuimi si materie e epërme e zjarrit kundrejt dhèut, prej të cilës u krijua Ademi, njeriu i parë, ishte shkaku i rebelimit të Iblisit ndaj Zotit. Në këtë optikë, zjarri shndërrohet në një simbol të Ferrit, vendndodhja e njerëzve që ngjashëm si Iblisi kanë shpërfillur dhe nëpërkëmbur rendin hyjnor. Në një mënyrë, njerëzit e ndikuar nga zjarrmia e djallit, kthehen aty ku e ka burimin kryeneçësia ndaj Zotit.

Në Kuran përmenden edhe ngjarjet e Profetit Ibrahim, në një episod të së cilës idhujtarët e kohës e hedhin në një zjarr të fuqishëm për ta dënuar lajmëtarin e Zotit. Në këtë rast, me urdhërin hyjnor, zjarri ftohet aq sa të jetë i paqtë me “mikun” e Zotit, duke u dëshmuar kështu një mrekulli, instrument i fuqisë hyjnore. Edhe në historinë e Profetit Musa, tradita shënon se Zoti kur i kumtoi misionin, iu shfaq atij si një flakë e shndritshme në Sinaj. Gjithashtu në traditën mistike islamike, zjarri simbolikish merr një dimension purifikues, “zjarri” hyjnor që kalit ashikun me dashuri. Është e famshme metafora e Rumit ndaj shprehjes “Un jam e Vërteta” të mistikut Hallaxh al-Mansur (v. 922) të cilin e krahson me hekurin që i skuqur flakë mes zjarrit, thërret: “Unë jam Zjarri”, por sërisht në esencë mbetet hekur dhe jo zjarr. Së fundmi duhet përmendur se në eskatologjinë myslimane është e mirënjohur tradita profetike e koleksionuar nga Imam Buhari (v. 870) që paralajmëron zjarrin si shenjën të madhe të Qametit, e cila do të përpijë njerëzit në Lindje dhe në Perëndim, si një moment i së vërtetës që starton një kohë të pandërprerë kataklizmash.

Këtë parashtrim të shkurtër e sollëm si një hyrje për të shijuar një rrëfim të pazakontë rreth mitit të origjinës së zjarrit mes njerëzve, mbledhur nga etnografi Dhosi Liperi në trevën e Matit në vitet 50’ të shekullit të kaluar, nga një banor i quajtur Zyb Halili. Interesant në këtë rast është trajta origjinale e këtij miti, i cili për aq sa na takon, mund të themi se nuk gjen paralele të ngjashme në mitologjinë e njohur islamike. Në dukje të parë duket se ka ndikim iranik në këtë mit të origjinës së zjarrit, megjithëse etnografi që e shënoi, mbase nga brumosja me kulturë helenike, e shikon atë si një variant të islamizuar të mitit të Prometeut. Po e sjellim më poshtë këtë rrëfim interesant, i cili pasuron njohjen tonë me copëza autentike nga kultura popullore e myslimanëve shqiptar.

“Zjarmi ka dalë prej xhehnemi. Xheneti s’ka zjarm, se s’ka nevojë. Njerzit e parë s’kishin pas zjarm e kan hekë keq. Bani Zoti emën e zjarmi duel prej xhehnemit , për me e marr edhe njerzit. Po xhindët nuk dojshin me u dhanë zjarm njerëzvet edhe e zunë me gurë venin ka shkojte nzjarmi ene e naluen zjarmin. Mirëpo ata gurët e majtën zjarmin për veti. Ene i dha zjarm guri gurit deri ke njerzit e parë. Ata njerzit e parë e gjetën ate gurin, e banë si unur edhe me ate unur shkrepën nji gurzjarmi tjetër e të dy gurët qitën xixa. Gjetën edhe bëllet e prej bëlletit nxorrën eshkën. E vunë eshkën ke xixa e muër zjarm. Zjarmi m’ atëhere duël e muër botën. Guri e vodhi zjarmin prej xhehnemi, Ata gurt, prej funit të tokës, ja dhanë zjarmin guri gurit ene e qitën mi tokë. Perëndia i dha fuqi gurit ta mante zjarmin. Zjarmit të parë iu falën njerzia ene e majtën si gja të shejtë, si nur të Perëndis. Zjarmi ka dal prej xhehnemi me urdhrin e Zotit përmjet gurit, por jo çdo guri. Ata gurë jan të veçantë e quhen gur-zjarmi.”*

*Shkëputur nga libri i autorit Dhosi Liperi, “Mitologjia Skënderiane”, Emar, 2014

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *