Baba Rexhepi *

Muhijdin Arabiu, konsiderohet si kampioni i përzierjes të misticizmës me filozofinë në shekujt gjashtë dhe shtatë. Vetë është një mistik i shijes në rrugën shpirtërore. Njeri i përpjekjes, i perhizit dhe shëmbëll në të gjitha rregullat mistike. Kishte besim të plotë se çdo esencë e vërtetë (hakikat) zbulohet me mjetet e shijes mistike. Me gjithë këtë, në librat e tij vërehen shumë parime filozofike dhe një tendencë metafizike aq sa kur lexon librat e tij të duket jo sikur ke të bësh me një mistik të zotin e shpirtit, po sikur je përpara një filozofi plot me gjykime mendore, deduktime dhe interpretime të tipit të tyre. Rruga e tij mistike me theorinë e “vahdeti vuxhud-it” (njësimi i esencës), me gjithe se e mbështetur në bazat e shijes mistike dhe e përforcuar me pikëpamje filozofike, i zemëroi tepër Fakihët fanatikë dhe shkaktoi që ata të marrin një qëndrim të ashpër kundër tij.

Me këtë theori, Muhijdini gjykonte se çdo esencë në dukjen e botës është një. Domethënë esenca e krijesave është esenca e Krijuesit Vetë dhe s’ka asnjë ndryshim midis tyre. Dyshon një farë ndryshimi vetëm ajo mëndje që nuk mund të kuptojë se një esencë e vetme i përfshin të gjitha. Që të shpjegohet me një mënyrë më të thjeshtë, për t’a marrë vesh të gjithë, mistikët mendojnë se, me që çdo gjë në botë ka nevojë të krijohet dhe të mbahet në gjëndje ekzistuese prej Krijuesit të saj- Zoti Vetë- nuk mund të konsiderohet esencë në vetvete, indipendente. Vetëm është krijesë e ndërvarur, e cila s’mund të qëndrojë edhe s’mund të numërohet vetë esencë, por është si përfytyruese, që ka vetëm fuqi të zbulojë Krijuesin e saj.

Kur sheh një ndërtesë ose një plaçkë të bukur, njeriu nuk ia jep rëndësinë ndërtesës apo plaçkës. Rëndësia dhe merita është e mjeshtërit që e ka ndërtuar. Kështu edhe njeriu, dhe çdo gjë e gjallë, me qënë se nuk mund të ekzistojnë të pavarura, pa Zotin, por kanë nevojë për Të, atëherë nuk janë esenca e vërtetë, por vetëm një pasqyrë që reflekton të zotin e tyre, Zotin e vërtetë. Kjo është, pra, theoria që ka dashur të shfaqë Muhijdin Arabiu me rrugën e tij “Vahdeti Vuxhud” (Njësia e esencës). Ai do të thotë se një esencë e vetme ekziston në botë- Zoti Vetë. Të tjerat s’janë esenca fare, por përfaqsojnë krijuesin ose të përfaqësuarin e tyre.

Esenca e Zotit, që përfshin çdo gjë, është dhe esenca e krijesave, ndaj Muhijdinit. Një është. S’ka dy. I duken dy apo më shumë vetëm atij që i shikon me sy të ndryshëm, me një sy Zotin dhe me tjetër sy gjërat. Por, po t’i shikosh me një sy të gjitha, një esencë e vetme duket, e cila përmbledh çdo gjë dhe s’ka tjetër. Pse, në të vërtetë, vetëm një esencë është, por përsëritet me lloj lloj ngjyra. Kjo u ngjan numravet, të cilat të gjitha nga njëja kanë dalë, por duke u përsëritur “njëja” shtohen dhe dalin të tjerat. Dhe me gjithe se “njëja” është përsëritur në çdo numër, duket sikur është tjetër dhe i ndryshëm nga ajo.

Me një fjalë, Muhijdin Arabiu esencën e Zotit vetëm quan esencën në kuptimin e fjalës. Kjo esencë e madhe përmbledh çdo esencë tjetër brënda dhe është e plotfuqishme. Të tjerat nuk janë esencë, por manifestojnë të gjitha këtë esencë. Me këtë mënyrë, Muhijdini zhduk dualizmën ose shumëzimin e esencavet. Me këtë mënyrë e “Njëjton” Zotin, duke e pastruar nga çdo gjë, dhe e lë të Vetëm e të Pashoq.

*Shkëputur nga vepra e tij “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *