Misticizmi, si termë teknike asht përcaktue e spiegue prej shenjtnish në mënyra të ndryshme. Disa nga këto përcaktime po i apim këtu poshtë:

  1. Misticizmi përbahet në mohimin e çdo gjaje përveç Zotit (Dhun-Nuni Misri).
  2. Misticizëm, don të thotë, mbështetje të plotë ke Zoti për jetë e vdekje (Xhunejdi Bagdadiu).
  3. Misticizmi asht përmbledhja e gjithë virtyteve të mira dhe shkelmimi i tanë veseve të këqija (Ebu Muhammed Xheririu).
  4. Mistik asht ai që ia kushton vehten kryekëput Zotit (Meulana Rumiu).
  5. Mistikë jan ata që kanë shpirt të dlirët dhe zenë vendin më të parë karshi Zotit. Ata as nuk zotnojnë as që zotnohen nga ndokush tjetër (Ebu Hasan Nuri).
  6. Mistik asht ai që s’shef kurrgja në botë veç Zotit (Ebu Bekër Shibliu).
  7. Mistik asht ai që verbon vehten kundrejt (lakmisë) së çdo gjaje dhe zhytet në Zotin me mish e me shpirt (Ali Bin Bindar Nishapuri).

Këto ndryshime, në shpjegimin e natyrës së misticizmit, shënojnë vetëm stacionet e ndryshme t’evolusionit mistik. Në fillim misticizmi kishte mërrijtë shkallën e divotshmënisë e pastërtisë dhe ma vonë u pajos me virtyte tjera shpirtnore si përulja, dorëzimi, dashtuni, mirë-dashtje etj. Ma në fund hyni vetë-mohimi dhe kushtimi plotësisht Zotit. Kështu misticizmi u ba një thesar virtytesh fisnike. Pra, nuk asht e çuditëshme që shenjtorë të ndryshëm, t’a kenë spjegue misticizmën në lloj lloj mënyrash si mbas shijes e prirjeve të tyne. Disa prej tyne e kanë identifikue me thjeshtësinë, disa me sakrificën e vet vehtes e disa tjerë me shkrimjen e vehtes me Zotin etj. Ndryshimet në përcaktimin e misticizmit janë ma tepër në fjalë se sa në kuptim. Ibn Halduni kur shoshitë natyrën dhe origjinën e misticizmit thotë, influenca mistike ka pas ekzistue gjatë kohës së Kalifave të parë dhe të disa shokëve të tjerë. Forma paraprake e misticizmit përmblidhet nër këto:

  1. Pastërti shpirtnore;
  2. Divotshmëni ke Zoti;
  3. Shkelmim i lukseve të kësaj bote;
  4. Përdorimi i jetës toksore si një stacjon të përkohshëm;
  5. Përmendja vazhdimisht Zotin

Autori i famshëm shton edhe se, në periodën e parë t’Islamit shumica e besimtarve ka pasë shpirt mistiku, mirë po, ma vonë, me tu ba pasanikë vetëm fare pak prej tyne mundën t’i qëndrojnë besnikë misticizmit dhe këta myslimanë, të pa çqetsuem nga lakmit e kësaj bote, u quajtën mistikë (Mukaddimei-Ibni Khaldun).

Nga mistikët e parë e deri ke shenjtorët e shekullit të VII të Hixhretit, gati gjithë mistikët e vërtetë kontribuen në shvillimin e pamjes së brendëshme të Besimit. Një numur shumë i madhë librash u shkruen herë pas here mbi misticizmin Islam. Ata që interesohen për spjegime ma të gjata mbi parimet e misticizmit mund të këndojnë veprat veçanërisht, Kitabul Lem’a prej Sheh Ebu Siraxhil (378 H.), Keshful-Mahxhub prej Sheh Ali Huxhvejri (465 H.) dhe Risalei-Kushejrie prej Ebul Kasim Kushejri (465 H.).

Po t’u hudhshim një sy këtyne veprave na do të përfundojshim se misticizmi asht pamja e mbrendëshme e fesë Islame. Ndryshimi kryesuer midis Sheriatit dhe Hakikatit asht si vijon:

  1. Sheriat ditunia parakalon punën ndërsa në Hakikat vepra parakalon dijen.
  2. E para bazohet mbi studime dhe eksperimente, kurse e fundit mbi inspiratë dhe revelatë sikur thotë Kurani: “Kështu Ai ndërhyn ngushtë ke ai (shpirti) me inspiratë (për t’a ruejtun) të mos rrëshqasë nga e vërteta dhe ta mbrojë ate nga e keqja” (Kurani, 91: 8).
  3. Baza e së parës asht pohimi dhe e së dytës mohimi. Në dukjen e jashtme na vijojmë të pohojmë një shkak në çdo ngjarje, që ndeshim për deri sa të mërrijmë ke Shkaku që ekziston vetiut, dhe ky asht Zoti. Porse në depërtimin e mbrendshëm të së dytës (Hakikatit) vazhdojmë të kufizojmë çdo gabim ose fenomen të mvarun deri sa t’arrijmë ke një ekzistencë krejt të pamvarun, që asht e pastër nga çdo e met, dhe ky asht Zoti.
  4. Sheriati ka të bajë në dukje me trupin, ndërsa hakikati me shpirtin. Islami të parin e përmend si halk (krijim) sikur thotë dhe Kurani: “Veni menden, Atij i takon krijesa dhe komanda” dhe të dytën si emr (urdhën Hyjnuer) siç thotë Kurani: “Thuej, shpirti asht urdhni i Zotit t’em”.
  5. Një dijetar i kohës ban dallim në mes të mjetit e të qëllimit, ndërsa një mistik s’ban asnjë dallim kësodore. Në këtë rast mjeti dhe qëllimi përqendrohen në një pikë të vetme, që asht Hyjnija.
  6. Dijetar i kohës ka qëllim t’ia arijë shpërblimin dhe të largojë dënimin para Zotit, si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën. Mirë po një mistik ka qëllim vetëm Zotin. Ai e humb vehten në Hyun vetëm e vetëm të jetojë në ‘Të.

Imam Gazzaliu, që idetë mistike i bani degë studimi të veçantë, tue spjegue ndryshimet në mes Sheriatit e të Hakikatit, thotë se, ditunija , përgjithsisht, fitohet me anë të shqisave, t’argumentave dhe të përfundimeve, por disa herë asht e mundun që ndokush t’inspirohet me ndonjë lloj ditunie pa pasë ndihmën e shqisave fizike ose ndonjë përpjekje të maparshme në formë këshille ose prove. Kjo soj inspirate përfitohet tue ba ushtrime vehtjake dhe dlirim personal. Metoda e zakonshme për t’ia mërrijtë suksesit në këtë drejtim asht që njeriu duhet të ndalojë vehten nga të tanë sendet e kësaj bote dhe t’ia kushtojë vehten me mish e me shpirt Hyut. Ai lypset të ndalojë vërejtjen e tij për përjashta dhe t’a përqendrojë atë në Zotin. Kur njeriu del fitues në dalldisjen me mish e me shpirt në Zotin, ai herë pas here merr nga një shkëndizë Hyjnore tue i zbulue atij çdo gja në qell e në tokë (Shif Ihjaul-Ulum dhe Gazzaliu prej Shibliut).

*Marrë nga revista “Njeriu”, Korrik 1943, me autor “Shpeshi”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *