Armikëtë e rrethuan
Më tepërë e shtrënguan.
Imami prap’u lëshua,
Ushtëria u tmerrua.
U përhapn’e prap’ u mblodhë
Të gjithë shigjet’ i hothë
Shumë shigjeta i shtunë
Edhe të shumat’ e zunë.
Kali kishte plagë shumë,
Gjaku i rridhte lumë,
Pa rënkoj e psherëtiti
Imam Hysejni i xbriti
Armikët më këmb’ e panë,
Të tërë sipër’ i ranë.
Ymeri ju afërua,
E pa dhe u turpërua,
Shimr’ i lik i mallkuar
U derth si qen’ i tërbuar,
Po Imami si dragua,
Me kordhe drejt ju lëshua.
Posa pa Imam-Hysenë
Iku me vrap, mori dhenë.
Pastaj mbloth Shimiri të titë
Edhe të tjerë Jezitë.
Së largu të tër’ i shtijen,
Shigjetat si breshër bijen.
Kali rreth të zot i vinte,
Dhe sa muntte hingëllite,
Armikët gjith’ u përmblodhë,
Pa shigjeta shumë hodhë
Gjithë së largu i shtinin,
Po afërë nuk’ i vinin.
Imam’ i Zotit të jetës,
Q’ish burimi i së vërtetës,
Kish marrë plagë me mijë,
Gjaku i vij posi vijë,
Po prap ajy poshtë s’binte,
Me kordhë në dorë rrinte.
Shigjetatë, që i shtinin,
si gjëmba në trup i rrinin.
Zot i math ti qysh e prure?
Në mes të djajet e shture.
Me gjith’ ato të këqija
I dha fuqi Perëndia,
Armikëtë prap’ i ndoqi
Dhe kë preku kordh’ i hoqi.
Armikëtë u përndanë,
Po prap’ u mblodh’ e i ranë,
Pa Shimiri i mallëkuar
Ajy djall’ i tëmërruar,
Me shokët’ e tij thërriste,
Posi qeni angulliste.
U thoshte, pse nuk i bini?
Edhe më të gjall’ e lini.
Ata gjith e rrethuan
Po prap s’ju afëruan,
U zunë gjithë nga hargu.
E goditninë së largu.
Shumë djaj të mallëkuar
U nisnë për t’afëruar,
Ju qasn’ e u turpëruan
*****
Sinan Enesi së prapi,
Duke nahitur si çapi,
Sa mundi shtu qen’ i qetë,
Pa ajo shigjet’ e shkretë
Nënë kraht të djathtë e mori
Dhe i del nga krahërori.
Pa ra shtyll’ e njerëzisë,
E drejtëz’ e Perëndisë,
U tunt fush’ e Qerbelasë,
Qelli u zu të kërcasë,
Tërmet ra ndë gjithë jetë,
Kur ra Imam’ i vërtetë.
*Marrë nga vepra me të njëjtin titull e Naim Frashërit
Comments