Prej pothuase dy vjetësh xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës është mbyllur për publikun për t’iu nënshtruar restaurimit, sipas një projekti të dakortësuar ndërmjet disa institucioneve. Sipas një marrëveshjeje, të panjohur nga publiku, financimin dhe punën restauruese e kryen TIKA, Agjensia Shtetërore Turke për Zhvillim, e cila ka kryer edhe të tjera punime restauruese në xhami apo objekte të tjera të arkitekturës osmane në Shqipëri. Ngadalësia e punimeve, dhe sidomos mungesa e informacionit të detajuar për publikun, ka nxitur një grup besimtarësh, që në shenjë sensibilizimi për këtë situatë, periodikisht kryejnë ritualet fetare pranë xhamisë. Në njërin nga prononcimet e tyre të para pak kohëve në rrjetet sociale, ngrihej shqetësimi për disa struktura ndërtimore pranë mureve të objektit. Prej këtij momenti ka pasur denoncime si dhe kritika për mënyrën e restaurimit, si dhe dyshime se ky projekt ka tejkaluar llogjikën e punimeve konservuese dhe restauruese.

Debate të forta ka pasur në rrjetet sociale mes qytetarëve, gjithnjë duke u nisur nga opinionet e tyre subjektive, shpesh të ndërthurura me konsiderata të tjera ndaj institucioneve të përfshira në projekt. Gjithsesi ende nuk dihet me saktësi se për çfarë i shërbejnë këtij projekti struktura ndërtimore në formë bordurash pranë mureve të xhamisë. Njëri nga denoncuesit e këtij fakti, nisur nga vëzhgimi në terren, arrin në përfundimin se xhamia do të rrethohet nga shtylla, të cilat do të mbërthehen në strukturat e përmendura, dhe që janë në pritje të betonimit, duke nënkuptuar se një strukturë e tillë do të shërbejë për të mbuluar xhaminë më diçka të papërcaktuar. Megjithëse një hipotezë e tillë është e pamendueshme dhe absurde, llogjika inxhinjerike të shpie lehtësisht tek ky përfundim edhe pse pikëpyetjet ende janë të shumta.

Jetojmë në një kohë kur me një të rënë të lapsit objektet ngrysen monumente kulture dhe gdhihen jo të tillë, si rasti i ndërtesës së Teatrit Kombëtar, Stadiumit “Qemal Stafa”, Kinema “17 Nëntori” etj. Shpesh autoritetet më të larta, të cilat janë dëshmuar që janë projektuesit e vërtetë të ndryshimeve urbanistike në Tiranë, parapëlqejnë të mos bëjnë transparente projekte të tilla, ose edhe kur i publikojnë, organizojnë dëgjesa publike me nënpunës servilë apo profesionistë që janë klientë të qeverisë, ndërsa zërat kritikë i margjinalizojnë apo edhe i nxjerrin me ceremoni nga mbledhjet në fjalë. Ështe herët të aludojmë se pas këtyre zhvillimeve të shëmtuara në projektin e restaurimit të xhamise së Et’hem Beut fshihet ndonjë ide e çuditshme konservuese, por konteksti i shtrirë në vite i transformimeve radikale në ndërtesat ikonë të Tiranës frikëson çdo dashamirës së trashigimisë sonë kulturore.

Xhamia e Et’hem Beut është monument kulture, klasifikim ky që detyron autoritetet të mirëmbajnë objektin si dhe të ushtrojnë punime reastauruese aty sipas nevojës. Megjithatë, duke qenë një objekt kulti mysliman, xhamia është në shërbim të besimtarëve për nevoja të ritualit apo funksione të ngjashme. Nisur nga kjo simbiozë e përbashkët menaxhimi mes bashkësisë së besimtarëve myslimanë, që institucionalisht përfaqësohen nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, dhe autoriteteve të Monumenteve të Kulturës, kjo xhami ka një juridiksion të dyfishtë që parasheh funksionin fetar si dhe trashigiminë kulturore të objektit. Në këtë rast institucioni i Komunitetit Mysliman edhe pse ndodhet disa metra larg objektit, nuk ka marrë asnjë hap që të verifikojë dhe më pas të adresojë shqetësimet e besimtarëve dhe të qytetarëve të shumtë të revoltuar. Kjo heshtje e institucionit zyrtar të besimtarëve për të sqaruar opinionin për një objekt, të cilin e ka edhe simbol zyrtar të tij, shpjegohet vetëm me pafuqinë e tyre ndaj autoriteteve shtetërore. Gjithashtu këtu luan rol edhe përplasia ideologjike mes qeverisë turke dhe lëvizjes Gylen, ku aktorët lokal në rastin e xhamisë janë TIKA dhe KMSH.

Është tragjike që bashkësia e gjerë e besimtarëve të qëndrojë peng i dyshimeve dhe paqartësive lidhur me një xhami emblematike si ajo e Et’hem Beut. Do të ishte një ironi therësë nëse hipoteza e ndërtimit të këtij “kafazi” enigmatik do të rezultojë e vërtetë, për faktin se ky përçudnim po ngrihet rreth një objekti i cili pak dekada më parë i shpëtoi barbarisë komuniste. Akoma më therëse do të rezultonte kjo gjë, gjithnjë nëse ndodh, pasi këtë “dhuratë” do ta kemi nga një agjensi shtetërore turke, e cila po shpenzon fonde të shumta për të ruajtur trashigimi të ngjashme kulturore kudo nëpër Ballkan.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *