Sejid Muhamed Asim Babai





Baba Rexhepi

Muhamed Asim Babai është nga udhërrëfenjësit e shquar Bektashinj dhe shkrimtar i devotshëm. Është prej racës Profetike, prandaj ka titullin Sejid. Ka lindur në Skutari të Stambollit dhe është nga Hashim Babait atje, i quajtur Bandërmalli Zade.

Është frymëzuar me frymën mistike Bektashiane në Teqenë e Madhe të Haxhi Bektashit në kohën e Kara Ali Dedeit nga Dimoteka e Bullgarisë. I paisur me kulturë dhe gjerarkinë fetare, u dërgua, me gradën gjysh, nga Teqeja e Haxhi Bektashit në Shqipëri më 1778, dhe erdhi në Gjirokastër për të përhapur Bektashizmën në këtë qytet.

Ka vuajtur shumë në fillim nga kundërshtarët e Bektashizmës, por Asim Babai, me frymën e tij shenjtore dhe me kulturën e tij, i bindi të gjithë kundërshtarët dhe, pas dy vjetëve, që rinte në çadëre, themeloi Teqenë e tij pikërisht më 1780. Kjo teqe mund të konsiderohet e para që u themelua në Shqipërinë e trembëdhjetës, mbasi përpara kësaj date s’kish asnjë teqe që të funksiononte me ceremoni fetare si teqe.

Më parë kishin ardhur misionarë si Arshi Babai në Gjirokastër, si Ali Baba Horasani në Krujë dhe shumë të tjerë, por nuk kishin mundur të krijonin teqera, se nuk u premtoi koha. Kanë ndruar jetë shpejt dhe kanë turbetë e tyre të njohura nëpër vende të ndryshme.

Asim Babai punoi pareshtur, tuke përhapur mistiçizmën Bektashiane në atë qytet për 16 vjet me radhë, deri sa ndroi jetë pikërisht në vitin 1796. Kur ndroi jetë u varros përpara Teqesë, në një turbe të veçantë, e cila vizitohej me simpathi dhe respekt nga populli deri në kohët e vona.

Mbishkrim osman (tashmë i humbur) në Teqen e Fushë-Krujës, në kohën kur ishte shndërruar në kooperativë buqësore. (Foto nga Robert Elsie, maj 1988)

Në faqet e para të mureve, përpara turbes së tij, ka edhe dy gurë me mbishkrime të mëdha, njëra mbi dritaren e turbesë, në vjershë, e cila tregon dhe datën që ka ndruar jetë Asim Babai, me ebxhed hesap, viti 1209, pas Hixhretit, që korespondon me datën 1796 pas Krishtit. Tjetra mbi derën e hajatit përmban rjedhjen origjinale të fisit të tij, bir pas biri, që nga Asim Babai e deri tek Imam Musa Qazim.

Teqeja e tij u zhvillua shumë dhe pas tij erdhën në krye të saj baballarë me kulturë. Kjo teqe, në kohën e fundit, ishte një qendër kulturore me rëndësi. Kishte një bibliotekë të pasur shumë me çdofarë libre klasike fetare, të shkruar në gjuhët tradicionale fetare, arabisht, persisht, turqisht dhe, ne fund, ishte paisur dhe me libra të këtij lloi në gjuhën shqipe, dhe në disa gjuhë evropiane, italisht dhe frëngjisht.

Muhamed Asim Babai ka qenë dhe shkrimtar. Ka shkruar një libër në prozë me titullin “Jilldizname”, ku ka mbledhur të gjitha vefket (formulat) që tregojnë yllin, apo fatin e njeriut, sipas astrologjisë së vjetër. Fjala “Jilldizname” domethënë libri i yjeve apo i fatit të njeriut. Ka shkruar dhe një divan të vogël në dorëshkrim, ku janë vjershat e tija me frymë mistike. Mjerisht këto vepra kanë mbetur në Teqenë e Gjirokastrës dhe s’kemi asgjë në dorë që të riprodhojmë disa prej tyre.

*Shkëputur nga vepra e tij “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *