Lindja e Profetit





Ngjashëm si në besëlidhjen me Zotin, përmes njehsimit të Tij, në të njëjtën pozitë është edhe marrdhënia e besimtarit me Profetin e Zotit, të artikuluara sëbashku në formulën e dëshmisë së besimit. Për besimtarët është thelbësore bindja se Profeti Muhamed as. është lajmëtar i shpalljes hyjnore dhe mishëruesi i saj, ngjashëm për nga rëndësia me bindjen mbi ekzistencën e Zotit si Krijues dhe Zotërues i universit. Në rrugëtimin e tyre në këtë botë, prania e shembullit profetik garanton përshpirtmërinë dhe sjelljen e besimtarit brenda kufinjve njerëzor. Duke qenë dashuria ndaj tij, gjithashtu dhe roli profetik, kategori thelbësore e teologjisë islame, myslimanët janë të ndikuar në aspekte të ndyshme të jetës së përditshme nga fryma profetike. Respekti dhe dashuria ndaj Profetin është tipari kryesor i myslimanëve, të cilët shquhen mes traditave të tjera fetare për rigorozitetin dhe veçantinë e ruajtjes dhe zhvillimit të kësaj përmase besimi.

Për të njohur sa më mirë jetën e Profetit janë shkruar qindra e qindra tekste, që nga myslimanët e gjeneratave të para, e deri në ditët tona. Edhe koleksionet e famshme të traditës profetike janë një disiplinë fetare që i përshfaq besimtarëve nga një kënd më teknik shumësinë e veprimeve dhe thënieve të Profetit Muhamed as. Nga hulumtimi traditës, dijetarët myslimanë kanë përcaktuar ditën e 12 të muajit hënor Rabiul Evel si ditën e lindjes së Profetit Muhamed as. Për të nderuar këtë ngjarje madhështore, që është thelbësore për besimin e tyre, prej shekujsh myslimanët e përkujtojnë atë në mënyra dhe forma origjinale. Poezia dhe recitimi  publik i saj është një nga format më të përhapura të përkujtimit të kësaj ngjarje, duke mos harruar këtu kaligrafitë e emrit apo dhe të karakteristikave të Profetit, të cilat zbukurojnë ambjetet e xhamiave, zavijeve, etj. Në kulturat e popujve myslimanë janë të shumta poemat dhe vargjet që shënojnë ditëlindjen dhe jetën e profetit Muhamed as. ku edhe ne shqiptarët kemi kontribute interesante. Me këtë rast, për të përkujtuar këtë ngjarje, po sjellim një pjesë të Mevludit të Hasan Zyko Kamberit, ndër tekstet më të hershme të kësaj gjinie letrare fetare mes myslimanëve shqiptar.

Ndë qitap shkruar e thënë,

kur ju nda Eminesë beli,

ish duke gdhir e hënë,

dymbëdhet rebiylevelit.

Erdhë hyri prej xheneti

Eminenë gjithë e panë,

me një xham dolli shërbeti, 

gjithë merhaba i thanë.

“Lumja ti në këtë dynja,

 lumja ti ç’ë paske thënë,

 që të dhanë këtë evlat,

 tjatër ëme s’i është dhënë!

Një zok Allahu e dërgoi,

një zoj doli prej xheneti, 

Eminen zu e pushtoi,

 të dal kollaj Muhameti.

Kur duall bëri sexhdenë,

pandet më gjunjë e kuvëndon, 

i kërkon Zotit ymetnë,

e ëma rri e dëgjon.

Kush do të kërkonjë nexhat,

sjell Muhametit salavat.

Gjithë meleqëtë vexhde

e bënë tavaf kur leu,

Qabeja bëri sexhde,

putetë i dërrmoi, i theu.

Dër dy vjet e katër muaj,

e bëri emër Allahu,

gjithë ymetit i thuaj,

vdiq i jati Abdullahu.

Kur mbushi tamam gjashtë vjet

u rrit dovletliu u bë trim,

Emineja shkoi ndë xhenet,

Muhametnë e la jetim.

Kur mbushi të dymbëdhjetë

zu së mirësisë i hipi,

i ujdisnë disa vetë,

vdiq Ebu Talibi.

Kur u bë njëzët e pesë,

prej nurit ndriti Qabeja,

i vu nigjah Hatixhesë,

prej soj lindi Fatimeja.

Kur mbushi dyzet vjetë,

zu davan e turqërisë,

i xbritë Xhebrili vetë,

i sjell vahn’ e Perëndisë

Kush do të kërkonjë nexhat,

sjell Muhametit salavat.

Sa meleqë e dhe e qiell,

ins ve xhin kërkojnë nexhat,

gjithë yj e hën e diell,

gjithë sjellnë salavat.

Gjer mbë dyzet, dit e natë,

turli punëra dëftente,

rrëfente turli muxhizatë,

e njeri nukë e besonte.

Gjer vu katër xhihar-jarë

edhe muhaxhir e ensarë,

e i dhanë zylfiqarë,

pa zu kërdisi qyfarë.

Muxhizatetë t’ua rrëfen,

ay si ne s’gogësiti,

një për një gjersa t’ua gjen

hijeja mbë dhe s’i xbriti.

Çdo qitap e bildirisi

muxhizat e Muhametit,

mizë më tënë s’kondisi

s’ju pa as uj të teharetit.

Kush është turk ta këndonj

këtë mevlud që u rrëfye,

një re e bardhë si shkabonjë

i rri sipër përmbi krye.

Hënësë i bëri isharet,

i ra me gisht i bëri shak,

i xbriti përmbi supet,

pa u ngjit vetë mbë jatak.

Kush do të kërkonjë nexhat,

sjell Muhametit salavat.

Kush ja di dovletliut hujnë,

 kur të kish siklet seferi,

gaha dora lëshon ujë

e i pinë gjithë asqeri.

Kur bëri Zoti davet,

 atë natë që u bë miraxh,

ngriti hazretnë Muhamet,

kur urdhëroi hazreti Hak.

Për hazretnë pejgamber,

dërgoi Xhebrilë për Burak,

edhe për taxh e për qemer,

gjet Burakët binihajet.

E shahloi e zu për frerit

a e nxuar prej meqanit,

e ja suall pejgamberit,

ndë shtëpi të Ymihanit.

Mbë derët i trokëlliti,

mbë tre sahat pas jacisë,

gaha dysheku e ngriti,

me davet të Perëndisë.

Urdhëro hip ja Muhamet,

të kam sjellë këtë kalë,

të ka bërë Allahu davet,

të të rrëfenjë xhemalë.

Sa pejgamberë që janë

gjithë i duallë mbë istikbal,

ndë Kudsi Sherif kur vanë,

u tha, dë Arshit do dal.

Të gjithve u erth një gas,

të gjithve u dha selam,

me të gjith fali namaz,

u shkoi përpara, u bë imam.

Kush do të kërkonjë nexhat,

sjell Muhametit salavat.

Fjalorth:

nexhat – shpëtim

vexhd – ekstazë

xhihar-jar– katër kalifët e drejtë: Ebu Bekër, Omer, Osman, Ali

zylfikar– shpata me dy tehe e Aliut

bildiris– tregoj

shkabonjë – shqiponjë

shak– ndarje

huj – sjellje

binihaje – i përjetshëm

xhemal– bukuri

istikbal – pritje

*Marrë nga botimi kritik i Genciana Abazi-Egro “Hasan Zyko Kamberi. Poezi”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *