Demir Hani





Elton Hatibi

Kur viziton faqen zyrtare të Bashkisë së Tepelenës, në legjendën e hartës së qytetit, krahas kalasë apo kampit të intenimit, si vend të vizitueshem shohim të shënuar “Vakëfi i Demir Hanit”. Përveç kësaj vendndodhje gjeografike, aty nuk gjendet asnjë informacion rreth këtij vendi fetar, historikun e tij apo funksionin aktual. Në fakt, vakëfi i Demir Hanit është çrrënjosur me kohë, dhe në vend aty u ndërtua një nga ato ndërtesat e shëmtura të shërbimeve të periudhës së komunizmit. Për të ringjallur traditën, në një kënd të ngrehinës gërmadhë, besimtarët e zonës kanë ngrehur një varr të vogël cenotaf, një dëshmi aktuale simbolike në mungesë të kompleksit të njohur fetar të kohëve të shkuara.

Varri simbolik i Demir Hanit në Tepelenë, ndërtuar pas komunizmit

Për historinë e Demir Hanit në popull njihen disa vargje, që të reduktuara na sjellin përmbajtjen e ndodhisë me protagonist shenjtorin. Nga këto pak vargje të vagullta për nga të dhënat, mësojmë diçka nga konflikti i ndodhur shekuj më parë. Linja kryesore në këto vargje është pabesia që rezulton në vrasjen e Demir Hanit, mallkimi i qytetit nga shenjtori, sakaq me kokë të prerë, si dhe mallkimi i Muço Hysit dhe i pasardhësve të tij. Nisur nga këto vargje, gjithashtu kuptojmë dhe arsyen e venerimit nga popullsia e zonës të tyrbes së Demir Hanit.

Më 1500 senoja

Tepelen u bë hileja

Jezitët paçin belan

Bënë shehit Demirhanë

Demirhanë o mjekër verdhë

Në Tepelenë bëre benë

Edhe me kokën e prerë

Tepelenë 99

Kurrë qind mos u bëtë

Muço Hysi i shtati brez

Mos këndoftë pulë a këndez

Tepelena u lëndoftë

Qyq, bylbyl mos këndoftë

Edhe era mos pushoftë

Eqrem bej Vlora është i pari autor që dëshmon për publikun e gjerë akademik praninë e sanktuarit  (mekami) të Demir Hanit në jug të vendit. Në ditarin e mbajtur gjatë udhëtimit nga Berati në Tomor, i cili u botua në Sarajevë disa vite më pas me të njëjtin titull, Eqrem bej Vlora shënoi këngë të ndryshme, kryesisht të zonës së Vlorës dhe Beratit. Ndërmjet tyre është edhe një nefes bektashi titulluar “Një dede (dervish) lëvdon të mirat e teqesë së Demirhanit në Tepelenë”. Struktura e vargjeve është në formën e një dialogu mes autorit dhe shenjtorit, ku ky i fundit rrëfen eksperiencën e tij shpirtërore postmortum. Teksti rrëfen përmasën e shenjtërisë së Demir Hanit, i cili pas martirizimit (fjetja) si dhe të pelegrinazhit shpirtëror në mekamin e Abas Aliut në Tomor, arrin të shohë të vërtetën mistike, figurën e Imam Aliut duke luftuar armiqtë e tij hipur mbi kalin Dyldyl. Pavarsisht se mekami i Demir Hanit njihet si i Tarikatit Saadi, teksti tërthorazi dëshmon ndikimin bektashi në kultin e Demir Hanit, kur aty ndërthuret figura e Abas Aliut dhe e Baba Tomorit. Po i sjellim të plota  vargjet që dervishi i kushton Teqes së Demir Hanit:

Ç’më vjen mall për Tepelenën,

Për Teqenë e Demirhanit,

Ti vi rreth e rreth mekamit,

Qenka një lezet i mir,

Bytyn gonxhe trëndafil.

“O dede, o mjekërverdh,

K’to habere na të erdh?

A na qielli ty tu derdh?”

“Atje rash të flija un,

Pash një endër shum të mir,

Mu duk sikur fluturova,

Në Baba Tomor qindrova.

Atje gjeç Abas Alin,

Qirti e me dha pasqyr.”

“Na djalo, shikohu mirë,

Mba mendjen të keç fiqir.”

“Hodha syt e paç Alin,

Tek kish hipur në Dyldyl,

Tek kish hipur mbi at’ kal,

Në dor mbante Zylfikar,

Vrit e prit n’ ata Mervan!”

Ç’pate Mervan i Mervanit,

Që lujte gurn e mekamit

Ç’pate melun i melunit

Që lujte gurin e fundit?

Teksti i nefesit nuk tregon asgjë për historinë e Demir Hanit, përveç faktit që ai është varrosur në Tepelenë dhe varri i tij është një vend venerimi. Pjesa tjetër e tekstit, siç e pamë, është një shpalosje e thukët e kredos së bektashinjve. Në vargjet e fundit ka një baraspeshë mes dashurisë dhe urrejtjes, thelbësorë në teologjinë e tarikateve, ku me “mervan” dhe me “melun” (i mallkuar) simbolikisht përfshihen të gjithë personazhet që aktivisht iu kundërvunë Familjes Profetike, e cila këtu thirret si “guri i mekamit”.

Tyrbja dhe teqja u dogjen fillimisht nga grekët gjatë Luftës Ballkanike, për tu rrënuar përfundimisht gjatë komunizmit. Prania e teqesë në qytet, vetëm pak metra larg mureve të kalasë të Ali Pashës dëshmon për një të shkuar të ndritshme të kompleksit, gjithashtu dhe për famën që gëzonte në popullsinë lokale të zonës. Në rrëfimet lokale popullore kanë mbetur disa fragmente vargjesh për rëndësinë e këtij mekami, vargje këto që janë qartësisht një variant i nefesit të shënuar nga Eqrem bej Vlora.

Më vjen mallë për Tepelen

Për Teqen e Demirhanit

Është mekam shumë i mirë

Bytyn gonxhe, trëndafil

Lum ai që i është pranë

Ti puth baltë e tabanë

Sakaq historia më e plotë e Demir Hanit, kësaj radhe në prozë, na vjen nga një dorëshkrim i shekullit XIX, publikuar nga Osman Myderizi. Shkurtimisht aty rrëfehet origjina aristokratike nga Krimeja e këtij misionari, i cili pasi kreu pelegrinazhin në Meke, vizitoi Medinën dhe Sirinë, vend ku dhe aderoi në tarikatin Saadi. Niset me mision në Shqipëri, dhe, pasi takohet me një farë Mustafa Tusiu, të cilit i mori të motrën për grua, përfundimisht u vendos në Tepelenë. Aty në pak kohë arrin të shtrijë ndikimin e tij shpirtëror në popull duke i mësuar njerëzve rregullat e fesë dhe çështjet e mistikës islame. Ndikimi i tij gjithashtu u zgjerua dhe përmes ndihmës material dhe mbështetjes morale ndaj të varfëve, jetimëve dhe nevojtarëve pa dallim feje. Teksti shprehimisht citon se edhe priftërinjtë e krishterë të zonës, nisur nga fama e madhe e misionarit, të nxitur edhe nga patriarku në Stamboll, e ndihmonin dhe e respektonin Demir Hanin. Sakaq paria e vendit duke u ndier e kërcënuar nga ndikimi në rritje i Demir Hanit, nisi të thurë intriga duke shpifur për punët dhe karakterin e mistikut. Pjesë e partisë anti-Demir Han do të bëhej edhe një farë Sulejman Bubeci, i cili më herët kishte qenë një nga ndjekësit e tij. Ky i fundit, pasi mori titull qeveritar, arrestoi Demir Hanin, dhe e ekzekutoi atë duke i prerë kokën. Ndërkohë ndodh mrekullia, sepse i martirizuari merr kokën e prerë në duar, dhe nis e viziton teqetë e tjera përreth duke bërë lutje, dhe më pas shkon dhe takon të shoqen, të cilës i sugjeron të mos lëkundet në besim. Si përbetim, ai mallkon qytetin e Tepelenës për padrejtësinë e kryer, si dhe fisin e Muço Hysit. Ai refuzon t`i kryhet riti i larjes sipas traditës mortore, pasi i mjafton shenjtëria e gjakut të martirit. Në fund njerëzit e vendosin në tabut dhe e varrosin aty ku më pas iu ngrit tyrbja. Teksti përfundon me rehabilitimin nga autoritetet të Demir Hanit, pas interesimit të mikut të tij Mustafa Tusi, gjithashtu dhe dënimin e vrasësit të tij, Sulejman Bubecit. Ngjarja e shënuar në këtë dorëshkrim ka ndodhur në vitin hënor 1040, që sipas Myderrizit përkon me vitin 1630.

Imazh i Shën Gjon Vladimirit

Nuk mund të mos nënvizojmë shkurtimisht disa paralele pikërisht me motivin e mrekullisë të shenjtorit me kokë të prerë, i cili me veprat e ndryshme dhe të folurin, dëshmon vyrtytin dhe pafajësinë. Një histori e ngjashme është edhe ajo e Hasan Keshfi Babait, i cili sipas traditës, u ekzekutua padrejtësisht nga autoritetet në Manastir në shekullin e XVI, nxitur nga intrigat dhe fanatizmi i njerëzve me influencë në qytet. Hasan Keshfi u vetofrua të martirizohej në vend të mësuesit të tij, Xhiger Babait, i bindur në pafajësinë e tij. Pas ekzekutimit, ky shenjtor eci disa qindra metra nga vendi i ekzekutimit, drejt vendit ku tashmë gjendet tyrbja, duke shastisur të pranishmit e shumtë. Por një rast shumë i njohur, kësaj radhe nga tradita e krishterë është ai i udhëtimit me kokë të prerë i Gjon Vladimirit nga rrethinat e Prespës, ku u martirizua, drejt vendit ku gjenden reliket e tij në manastirin e fshatit Shijon, pranë Elbasanit. Martiri ia ofroi vetë armën vrasësit, pasi arma e tij nuk priste trupin e shenjtorit. Siç duket tipologjia e narrativave me shenjtorë kokëprerë ka pasur një shtrirje të gjerë në kulturën popullore në zonat ku Islami iu mbivendos kulturës së krishterë ortodokse. Edhe konsullit Hahn, banorët e Petrelës i rrëfyen një variant të ndodhisë së vdekjes së Ballaban Pashës. Sipas tyre Ballabanit i kishin prerë kokën gjatë luftimeve në rrethinat e Durrësit, prej nga u nis duke kalëruar me kokën e tij në dorë, për të mbërritur në Petrelë, vend ku edhe iu ngrit një tyrbe.

Një shembull i mirë i mbivendosjes së traditave të ndryshme fetare, ku gjendet motivi i shenjtorit me kokë të prerë, është epika e Betejës së Kosovës, kënduar nga rapsodët shqiptarë të Kosovës. Ekzistojnë disa variante të këtyre këngëve ku struktura narrative është e ngjashme. Në këto këngë, me një veneracion të lartë, fillimi i vargjeve i kushtohet ushtrisë osmane kryesuar nga sulltan Murati, e cila për shkak të vyrtytit të lartë moral dhe fetar arrin fitore kudo që shkon. Edhe Milosh Obiliqit, që arrin dhe vret sulltanin, i rezervohet një moment epik, kur pas ekzekutimit, ai merr kokën e tij në dorë dhe demostron mrekullinë e shenjtorit. Në të njëjtin tekst kemi pothuajse të njëjtin qëndrim moral për të dy palët kundërshtare në ngjarje. Në njërën anë kemi sanxhakllarët, shehulislamin, dhe sadrazemin që martirizohen në luftë (shehidë), nga ana tjetër Miloshi, armiku i tyre i shndërruar në hero, dëshmon martirizimin, kur merr kokën e tij dhe fillon të ecë dhe të dialogojë me njerëzit. Në përfundim të këngëve, pajtohemi më vrasjen e sulltanit, kreut të armatës me njerëzit e vyrtytshëm të pjesës së parë, por kjo anomali është e integruar në tekst, është një pasqyrim i dykahshëm moral i ngjarjes . Ja dhe pasazhi që bën fjalë për Miloshin me kokë të prerë:

At’herë shpatë Miloshit i kan mshue

Kryet Miloshit, tha, i kan fluturue

Se n’Magreb Miloshi kur o shkue

Gra e çika tuj la jon qëllue

“Qyrne motra, ni njeri pa kry!”

“Un pa kry,” kish thon, “e ju pa sy!”

Q’at’herë kryt Miloshit n’tok i ra.

Miloshi u ofrua të shkonte të takonte sulltanin, ngjashëm si vullnetarizmi i Hasan Keshfit që i zuri vendin mësuesit të tij, element i rëndësishëm që na bën me dije se ai pajtohet me fatin që e pret, një zgjedhje në momente vendimtare, që përputhet dhe lajmëron vullnetin hyjnor. Më lart përmendëm dhe shpatën që i jep Gjon Vladimiri vrasësit të tij, duke e ditur atë që do të vepronte kundërshtari. Edhe në historinë e Demir Hanit kemi një farë vetofrimi. Pasi akuzon vrasësin e tij Sulejman Bubeci, duke dëshmuar njohjen e fatit të tij, edhe Demir Hani i dorëzohet ekzekutuesit duke u përgatitur për vdekje:

O bubec more xhahim

Nukë të lëvdojnë për trim

Sepse të març kryet tim

Për hatar nuk të thanë

Hajde nashti more atu

Mukaderi qenka k’shtu

Që të vdes në duar e tu

Vasiet kështu ma lanë

Fragmenti i këtyre vargjeve është shkëputur nga një nefesi kushtuar Demir Hanit, publikuar nga Injac Zamputi në “Buletinin për shkencat shoqërore” në vitin 1955. Ky nefes kushtuar Demir Hanit është i vetmi tekst që Zamputi publikoi të plotë, shkëputur nga një fletore e cila përmban nefese dhe shënime të tjera në shqip me alfabet arab. Sipas Zamputi tekstet në fletore, përfshi dhe nefesin e Demir Hanit, janë shkruar ndërmjet viteve 1850-60.  Në një studim të plotë të kësaj fletorje, Fatos Dibra hedh dritë mbi autorin e këtyre vargjeve, i cili vargëzoi historinë e shenjtorit nisur nga një traditë më e hershme narrative mbi ngjarjen. Autori, i cili quhet Merko, është një myhyb bektashi nga zona e Gjirokastrës dhe ka jetuar gjatë shek. XIX. Në këto vargje rrëfehet në vija të përgjithshme historia e Demir Hanit. Struktura e ngjarjes është tipikisht  ajo e një heroi mistik klasik, i cili bie viktimë e smirës dhe fanatizmit të hipokritëve dhe injorantëve. Nuk mund të mos shohësh në ngjarjen e Demir Hanit ngjashmëri me atë të Mansur Hallaxhit, martirit mistik më të njohur mes myslimanëve. Pjesa më e rëndësishme e rrëfimit, e cila zë pothuajse gjysmën e vargjeve, është ajo që përshkruan dijen e shenjtorit për fatin që e pret, demaskimin e vrasësit, si dhe mrekullinë e tij që konsiston në dialogimin dhe porositë e tij ndaj njerëzve, ndërkohë që trupi dhe koka janë të shkëputura si pasojë e martirizimit. Gjithashtu nuk mungon sërisht edhe mallkimi i shenjtorit ndaj qytetit dhe ndaj fisit të Muço Hysit. Teksti i këtij nefesi si ngjarje ka një përputhje në pikat kryesore me narrativën e publikuar nga Myderrizi, e cila nga ana tjetër është me e pasur në detaje.

Ekzekutimi i Mansur Hallaxhit

Ky tekst duke u gjendur në një fletore bektashije, sërisht na dëshmon reputacionin e madh të kultit të Demir Hanit edhe pse ai ishte një shenjtor që rridhte nga Tarikati Saadi. Nefesi i Demir Hanit ka 31 strofa por për arsye vendi po mjaftohemi të sjellim vetëm vargjet e para, që pasqyrojnë mjaft mirë tipologjinë e vargëzimit të teksteve të tilla fetare:

Nëha ashku që dalldisa

Si pëllumb davrandisa

Këtë rivajet që nisa

Do ta bëj për demir hanë

Dëgjoni kush ka fiqir

Demir hanë ta bëj teqfir

Se ishin qeramet zahir

Në dervish në ashikanë

Nukë kam kuvet që ta mbur

Çunqi qe nuri ala nur

Tepelenë bëri zuhur

Atje e gjeti rehanë

Këto tekste që përmendëm më lart ndriçojnë disi ngjarjen e Demir Hanit, edhe pse, përveç si himne, sidomos teksti në prozë, ato janë me karakter hagjiografik, larg kriterit rigoroz historiografik. Ende nuk njihen burime apo tekste të tjera që do të hidhnin dritë më mirë për ndodhinë e Demir Hanit me gjithë kompleksitetin e saj. Megjithatë në disa raste, duke u kërkuar zbardhja e ngjarjeve dhe fenomeneve, nga nxitimi mund të komplikohet më tej kërkimin historik. Në rastin tonë kemi diçka të ngjashme. Në botimin shqip të veprës për arkitekturën osmane, pjesa e Shqipërisë, të Ekrem Hakkı Ayverdi, botuesi nga pakujdesia ka përfshirë disa foto dhe skica të një tyrbeje të mbuluar me plumb duke aluduar se është e Demir Hanit. Poshtë fotografive shënohet se këto foto janë marrë nga Franz Babinger. Në fakt këto foto i përkasin një tjetër mekami me famë, kësaj radhe në Bullgarinë e sotme, që i detikohet një mistiku bektashi të shekullit të XVI, i quajtur Demir Baba, të cilit Babinger i ka kushuar një artikull, nga ku fotot janë marrë.  

Tyrbja e Demir Babait në Bullgari, ngatërruar me atë të Demir Hanit

Figura e Demir Hanit është përfshirë edhe në letërsinë moderne shqipe. Siç duket, personazhi i tij ka arritur të mbarsë fantazinë letrare të këtyre kohëve, për të risjellë një karikaturë të përbysur të asaj që na ofron tradita. Pas dhjetëvjeçarëve të shumtë ku shumëçka nga tradita osmane u harrua apo u interpretua sipas kanoneve të soc-realizmit, ku shpesh mbitheksohej fanatizmi, besëtytnia apo kotësia e tregimeve fetare, shpesh me baballarë abuzues apo hoxhallarë injorantë, të gjithë armiq e reaksionarë, kultura shqiptare e postkomunizmit iu rikthye herë pas here figurave të tilla të diskredituara edhe të dekontekstualizuara. Mjafojmë të përmendim hoxhën që në një film të kohëve të fundit i ngjitet minaresë, i yshtur nga nevoja e vrojtimit të akteve seksuale që kryen një çift i shkujdesur në dhomën me dritare hapur, për të pasur një paralele me dervishin agjent të Kinostudios, që strehonte diversantët në teqe, kundër interesave të atdheut. Shkrimtari Ben Blushi e risjell Demir Hanin në kornizën e këtij kanoni fluid të raportit me “orientalen” në letërsi dhe arte, një përkushtim solemn ndaj kësaj tradite shqiptare. Gjithë rrëfenjën Blushi e ka vënë në gojën e një prifti, duke përcjellë një klimë ekstremizmi fetar mesjetar. Duke njohur mirë natyrën e “turqve”, prifti e nis kështu rrëfimin:

“Do t’ju rrëfej një histori për fëlliqësitë e tyre, tha prifti. (…)ndjekësit e tij, që ai i kishte kthyer në myslimanë, hapën fjalë se Demir Hani bënte mrekullira dhe kishte aftësi të shëronte njerëz, vetëm duke i prekur.”

Më pas një person me ndikim në zonë sjell gruan tek Demir Hani, me shpresën për shërim ose ndonjë mrekulli, pasi ajo nuk lindte fëmijë. Mirëpo dervishi, për një muaj rresht kishte abuzuar me gruan e re, dhe si pasojë, pas muajve të shtatzanisë zbulohet mashtrimi i tij:

“E ëma dhe babai kishin qëlluar të dy të verdhë, të gjatë dhe me sy blu si gjithë malësorët shqiptarë, ndërsa djali doli i shkurtër dhe pis i zi. Fshati filloi të përqeshte bajraktarin. Gruaja u shastis, ndërsa burri e rrahu dhe e la pa bukë që t’i tregonte të vërtetën. Pas tri javësh pa bukë dhe pa ujë, e rrahur dhe e poshtëruar gruaja tregoi se kur ishte në Tepelenë Demir Hani e kishte detyruar të binte me të duke i thënë se ky është vullneti i Zotit dhe asgjë e keqe nuk do t’i ndodhte asaj.”

I shoqi me disa të tjerë, niset të vërë nderin në vend, por dervishi reziston, dhe me dredhi arrin ta fusë në kurth dhe ta vrasë. Duke qenë se ngjarja bën jehonë të shëmtuar, nga qendra merret vendimi për ekzekutimin e Demir Hanit. Urdhrin e zbaton një nga dervishët e teqes së tij, i cili edhe ai ekzekutohet për të mbuluar gjurmët e skandalit. Më pas figura e Demir Hanit rehabilitohet, duke ia ngarkuar të gjithë mëkatet dervishit fatkeq, i cili kishte vepruar nga zilia. Një fjali e vetme na tregon për “mrekullinë” e shenjtorit pas ekzekutimit. Përmendur shkarazi si thashethem, thuhej se Demir Hani vrapoi teqe më teqe me kokën në duar.

Në këtë ‘variant” të historisë së Demir Hanit e gjitha është një përmbysje morale e ndodhisë ku djallëzia ka zëvendësuar shenjtërinë. Dervishi misionar është mashtrues, pervers, intrigant, vrasës, dhe sëfundmi “dëm anësor” i propagandës fetare që orkestohet nga autoritetet qendrore. Indirekt këtu përshfaqet modeli i përhapjes së Islamit në vend, ku pas çdo legjende apo pas çdo shenjtori që venerohet në popull fshihet një pervers i sakrifikuar dhe më pas i reabilituar nga autoritet, për të maksimalizuar përfitimet e pushtetit fetar. Interesant gjithashtu është episodi i demaskimit të “shenjtorit”, pasi çiftit biond shqiptar i lind fëmija “i shkurtër dhe pis i zi”, pavarsisht se mistiku në traditën popullore njihet si “mjekër verdhë”. Përveç si pervers, dinak dhe gjaksor në moral, në fizionominë trupore, në përputhje me kanonin, nuk mund të vizatohet ndryshe “turku” historik, vetëm si “i shkurtër” dhe “i zi”, sigurisht i zi edhe në zemër. Episodet me sfond erotik, janë “themra e Akilit” e turkut historiografik shqiptar, i amplifikuar fuqishëm edhe nga letërsia. Fillimi dhe fundi i historisë së Demir Hanit fiksional është vulosur nga thelbi i qenies së “orientalit”, aty ku ai ndërton spiralen e gjithçkaje ekzistenciale të tij, pasionin e shfrenuar seksual.

“Po ashtu gra dhe vajza të tjera, e madje dhe djem të vegjël rrëfyen se kur ata shkonin për t’u shëruar, Demir Hani i prekte me dorë në vende të ndaluara dhe disa prej tyre i kish fëlliqur.”

Demir Hani është një personazh historik që njihet kryesisht përmes nefeseve bektashie, copëzave të tyre riprodhuar në popull, dhe narrativës hagjiografike të publikuar nga Osman Myderrizi. Mangësi për njohjen nga aspekti material është dhe mosekzistenca e kompleksit vakëf, shkatërruar përfundimisht gjatë komunizmit.  Tekstet e nefeseve përveçse evokojnë si zakonisht aspekte të kredos së tarikatit të tyre, përmes ngjarjes së shenjtorit konfirmojnë një linjë dogmatike të mistikës islame, ku shenjtori i shkrirë në dashurinë e Zotit, është viktimë e fanatikëve dhe të pabesëve. Ngjarja me koken e prerë me gjasë është një paralele nga kultura lokale e krishterë e adaptuar në rrethanat e reja ku ndërvepron me predikimin e Islamit. Ngjarja i bën jehonë ekzekutimit nga autoritete të një mistiku të ardhur nga larg, viktimë e intrigës së aristokracisë lokale. I lënë plotësisht në harresë nga historiografia, e cila sëbashku me harresën në raste shenjtorësht të tjerë lokal, mungon të ndriçojë historinë e hershme të përhapjes së Islamit, ngjarja e tij rimerret në letërsi, dhe duke u deformuar në cilindo element biografik që njohim, risjell një personazh të kobshëm, një tragjedi shqiptare.  

Bibliografi:

Aga, Ismail H. “Tarikati Islamik Saadi “El Xhibbavi”, Tiranë, Eurorilindja, 1996

Ayverdi, Ekrem Hakkı. “Vepra të Arkitekturës Osmane në Shqipëri”, Tiranë, Ab-Horizont, 2001

Babinger, Franz. “Aufsätze und Abhandlungen zur Geschichte Südosteuropas und der Levante”, München, Südosteuropa-Gesellschaft, 1962

Blushi, Ben. “Të jetosh në ishull”, Tiranë, Toena, 2008

Di Lellio, Anna. “The Battle of Kosovo, an Albanian epik”, London, I.B.Tauris, 2009

Dibra, Fatos. “Defteri i Merkos, një interpretim filologjik dhe gjuhësor”, tezë masteri, Universiteti i Shkodrës, e papublikuar, 2013

Hahn, Johan Georg von, “Studime Shqiptare”, Tiranë, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit

Myderrizi, Osman. “Një dorëshkrim shqip i panjohur i Gjirokastrës (shek. XIX)”. Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, Nr. 1, Tiranë, 1957

Tevik, Mehmed. “Historia e Vilajetit të Manastirit”, Shkup, Logos-A, 2016

Vlora, Eqerem bej. “Ditar: Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Koçi, Tiranë, 2003

Zamputi, Injac. “Një dorëshkrim bektashjan i gjysmës së shekullit XIX (1850-1860)”. Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, Nr. 4, Tiranë, 1955

*Vargjet e përdorura këtu janë sjellë në formën e publikimit të tyre fillestar.

Comments

  • Kush i kendon keto kenge ku “me një veneracion të lartë, fillimi i vargjeve i kushtohet ushtrisë osmane kryesuar nga sulltan Murati, e cila për shkak të vyrtytit të lartë moral dhe fetar arrin fitore kudo që shkon.”? Shqip jane? Virtyt moral te nje lideri gjakesor? Turp!

    • Eni, tekstet e kengeve jane mbledhur qe ne fillim te shek XX, publikuar midis dy lufterave, dhe me pas. Nuk eshte skandaloze, kur permendni fjalen turp, qe kenge te tilla normalizojne situata te cilat bien ndesh me botekuptimin tend te formesuar nga nacionalizmi. Duhet te jesh e ndergjegjshme se ne shek XIX dhe me heret etosi fetar ishte ai qe permbushte shpirterisht dhe estetikisht nevojat e publikut. Nuk ka asgje skandaloze, nese e mendon ftohte.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *