“Era e Rëndë” e Emigrantëve





Një xhami e Tiranës ka vendosur në portën e saj këto ditë njoftimin e mëposhtëm:

Emigrantë që Shqipërinë po e përdorini për tranzit!

Vini Re!

Nuk lejohet fjetja, qëndrimi në xhami për qetësim apo shtrirje!

Nuk lejohet futja në xhami me bagazhe ose furnizime nëpër duar!

Nuk lejohet komunikimi në xhami në kohët e faljeve apo ligjeratave!

Nuk lejohet kërkimi ndihmë monetare besimtarëve kjo rreptësisht e ndaluar!

Nuk lejohet lënia dhe varja e rrobave në xhami përndryshe hidhen!

Nuk lejohet hyrja i papastër në xhami, apo mbartës i një ere të rëndë apo i palarë apo i paveshur siç duhet!

Nëse do hasim në rezistencë do njoftohet policia!!!

Përveçse në shqip, mesazhi është edhe në Anglisht, Italisht, Frëngjisht, dhe Arabisht.

Lajmërimi në derën e xhamisë

Asocime të pranisë së emigrantëve me “erë të rëndë”, me të qenit “të papastër”, “të palarë”, apo “të paveshur siç duhet” gjenden rëndomë këto ditë në përshkrimet e emigrantëve në materialet raciste, anti-muslimane të Europës. Mjerisht, në rastin tonë, këto asocime janë bërë nga vetë muslimanë. Për me tepër, të tilla postime vendosen në një xhami, imami i së cilës poston video të aktivitetit të tij misionar në Afrikë, por e bezdisin nevojtarët që i vijnë në derë të vet. Imamë të tillë deklarojnë se shohin engjëjt në fushë-betejat e Sirisë, por nuk shohin dot humanitetin përtej rreckave të viktimave të kësaj lufte. Nga individë që me vite kanë ngrënë bukën nga dora e sirianëve, kur endeshin atyre anëve për diplomën e shumëpritur. Pse vallë? Këtyre imamëve që kanë pretenduar për vite emrin e nderuar të të parëve – selefëve të drejtë – vetëm që ta përdorin si armë sektare, do duhet tu kujtojmë se i dashuri jonë, Profeti Muhamed ishte emigrant, që u detyrua të merrte arratinë prej qytetit të tij ku i rrezikohej jeta. Më të mirët njerëz të njerëzimit ishin emigrantë në Etiopi, ku iu dha strehë nga të krishterët. Kur muslimanët e Mekës u kthyen në refugjatë të persekutuar në vendlindjen e tyre, njerëzit e Medinës nuk ju përmendën “rrobat” apo “erën”, po u hapën shtëpitë, dhe u treguan bujarë me ta. Çdo xhami që të meritojë emrin xhami duhet të synojë të risjellë shembullin e xhamisë së parë të profetit, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të. Në xhaminë e shenjtë të Profetit, i dashuri jonë bëri një strehë për muslimanët emigrantë, qe nuk kishin shtëpi, për njerëz si Ebu Hurejra, Ebu Dhar el-Gifari, Ebu Said el-Hudri, Abdullah ibn Mesud e shumë dishepuj të tjerë të nderuar të Profetit Muhamed. Zoti qoftë i kënaqur me të tërë ata, ata ishin besimtarët e vertetë. Sipas disa transmetimeve, këta dishepuj të Profetit të Zotit që u quajtën ehl el-suffa, apo ashab el-suffa arrijnë numrin 400. Një xhami që ofendon e dëbon nevojtarin nuk mund të jetë duke ndjekur modelin profetik, por atë të racizmit salvinik.

Sigurisht që ardhja në xhami e emigrantëve do efektojë funksionet e xhamisë, e për këtë arsye nevojitet të gjinden mënyra për të adresuar këto probleme. Imamë që postojnë video bamirësie, ku shkojnë me makina të shtrenjta për të dhënë qese me ndihma mund të ri-konsiderojnë prioritetet e tyre. Çfarëdo zgjidhje që mund të gjindet, duhet të kujtojmë se ne jemi një bashkësi fetare që e shohim ardhjen në derë të nevojtarit si mirësi nga Zoti. Ne kemi të tjera standarte për “erën e rëndë” apo “erën e mirë”. Profeti i Zotit na ka mësuar se era e rëndë e gojës së një agjeruesi konsiderohet si erë e ëmëbël misku nga Zoti. Ai na mësuar se Zotin e gjejmë tek i sëmuri dhe nevojtari; se lutjet e të vuajturit ngjiten njëherazi tek Zoti. Profeti Ibrahim alehiselam, u qortua nga Zoti kur përzuri një mysafir jobesimtar, pikërisht ngaqë padurimi dhe zemërimi ndaj tjetrit nuk kanë vend në zemrën e besimtarit.

Ardhja e emigrantëve në xhami kërkon manaxhim, por ky manaxhim duhet të informohet nga vlerat dhe parimet e fesë tonë. I bëjmë thirrje të gjithë atyre muslimanëve që këto ditë kanë shprehur indinjatën ndaj veprimeve të rojeve kufitare e detare greke ndaj emigrantëve, që të adresojnë indinjatën e tyre më parë në xhamitë që frekuentojnë, e tek imamët e tyre që kërcënojnë emigrantët me thirrjen e policisë. I bëjmë thirrje KMSH-së, si institucioni që kontrollon dhe përfaqëson xhamitë, imamët si dhe këshillin e xhamisë në fjalë, që të distancohen menjëherë dhe publikisht nga gjuha e turpshme dhe raciste e njoftimit të tyre. Është në detyrën e funksionit që kanë marrë mbi vete, që të bëjnë çmos tu gjinden atyre që u kanë ardhur në derë, se ata do dëshmojnë për ta ose kundra tyre. Heshtja e bashkësisë ndaj përdorimit të kësaj gjuhe do përbënte një kompromentim të turpshëm të vlerave tona fetare, të atyre vlerave që kemi trashëguar nga emigrantët e pastrehë e të rreckosur që ishin dishepujt e Profetit të Zotit, nga të parët tanë të vërtetë.

Comments

  • Ne nje reagim per kte, Imami i xhamise ne fjale paska permendur ndihmen dhe akomodimin ne xhami qe iu eshte bere shqiptareve te Kosoves ne vitin 1999. Eshte e ditur per xhematin e asaj kohe se ka pase shume kundershti dhe protesta nga kastravece xhmelinj, qe i merrnin fetvate nga akoma studentet atehere qe sot jane imame, per te mos i lene kosovaret ne xhami, se nuk lejohet…
    Per kte rast me ka treguar xha Harizi sic e njohim te gjithe Hariz Ismailin, deshmitar okular, gjate kohes kur beja guiden per patente shoferi: “Ne kulmin e ktij debati, Imami i xhamise ne ate kohe, imam Selimi, del para xhematit dhe ju thote: Une si imam i kesaj xhamie vendos qe te strehojme vellezerit tane ne xhami. Nese nuk lejohet sic thoni ju, pergjegjesine dhe gjunahet i mbaj une. Nese eshte sevap, sevapet i marrim te gjithe”.
    Sot, ata qe kundershtonin, mundohen te marrin kredo nga ky akt qe ne fakt ishte detyre, por donte burrni e bese.
    Ps: Meqe u hapen arkivat, vlen te theksohet se Imam Selimi u hoq nga detyra me ane te nje puçi te mirfillte. Iu mundesua te shkoje ne umre a haxh (nuk e di mire), dhe kur u kthye gjeti imam te emeruar kte qe eshte sot.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *