Elton Hatibi

Kur sheh Tiranën e këtyre ditëve, me nostalgji ose jo, shumëkujt i kujtohet epoka e komunizmit, kur në momente të caktuara gjatë ditës, qyteti kthehej në shkretëtirë, me pak njerëz dhe automjete në qarkullim. Duke komentuar imazhe të tilla në rrjetet sociale, dikush me cinizëm e përcaktoi periudhën e komunizmit një karantinë 45 vjeçare të forcuar, ku lodhja dhe sfilitja ishin rutina e përditshme e qytetarëve të këtij vendi. Kjo kujtesë ndaj dhunës totalitare, që si emblemë të tijën kishte mjerimin dhe zbrazëtinë e qyteteve dhe dyqaneve, bën që sot shumë njerëz, sidomos ata të moshës së tretë, të refuzojnë disa nga shtrëngesat që ka vendosur qeveria si masa për t’u mbrojtur nga virusi misterioz. Shumë prej tyre, kur shprehen në vox pop-et e rastit, nuk e fshehin dozën e skepticizmit për masa të tilla, duke mos harruar të rekomandojnë profilaksi popullore të patestuara.

Për raste epidemike të tilla, kujtesa popullore rezulton e fshirë, pikërisht si rezultat edhe i qeverisjes totalitare, e parë kjo në dy drejtime. Së pari nga censura e hekurt e regjimit, që për nga natyra e tij e kishte domosdoshmëri fshehjen e ngjarjeve të tilla, për t’u treguar shtetasve të bindur, se gjendja e shëndetit publik ishte e sigurtë falë punës së palodhur të regjimit. Kështu brezat e vjetër që jetuan në diktaturë, epidemi apo sëmundje të rrezikshme të transmetueshme, kryesisht i kanë përcjellë si thashetheme, pa pasur asnjë mundësi konfirmimi. (E mbajmë mend se si fill pas rënies së regjimit komunist, falë shtypit të lirë mësuam për shpërthimin e epidemisë së kolerës në vend, që la disa dhjetra të vdekur.) Dhe së dyti, nënvleftësimi i të dhënave historike me ngjarjeve të tilla. Shkenca e historiografisë, edhe kur nënvizonte momente epidemish përgjatë historisë, i pasqyronte në kuadër të mjerimit të përgjithshëm, dhe me këtë përpiqej të propagandonte arritjet e socializmit që i kishte zhdukur njëherë e përgjithmonë sëmundjet epidemike. Duke u fokusuar përgjithësisht në momente politike dhe tek gjenia heroike e shqiptarëve, historiografia e regjimit, eklipsonte indirekt aspektet e përditshmërisë njerëzore, ku sëmundjet janë pjesë e pandashme.

Megjithatë në kujtesën popullore të tiranasve edhe gjatë periudhës së komunizmit mbietoi jehona e historisë së Dervish Hatixhes, një gruaje të përkushtuar, e cila pikërisht për shkak të përballjes me një sëmundje epidemike si murtaja u shndërrua në shenjtoren e qytetit. Ngjarja ku u përfshi Dervish Hatixheja duhet të ketë qenë shumë dramatike, përderisa njerëzit edhe sot e kësaj dite e përmendin, ndonëse pa njohur në detaje meritën për të cilën venerohet. Edhe në diktaturë shumë banorë të Tiranës shkonin të vizitonin varrin e saj, duke shpresuar se Zoti do t’u jepte zgjidhje problemeve dhe sfidave të tyre. Megjithatë, pikërisht për shkak të statusit klandestin të kultit, njerëzit e kishin humbur fillin e historisë së saj klasifikuar në rrafshin e legjendave.

Tisi i mjegullt i historisë së saj ndodh edhe për shkak të mungesës së burimeve dokumentare të atyre kohëve. Historia ka kaluar si gojëdhënë brez pas brezi duke shtuar apo pakësur përmbajtjen e ngjarjes. Pikërisht edhe Ibrahim Hasnaj, ndoshta i pari autor që shkruan për të, nga mungesa e të dhënave, ndonëse në një kontekst me liri fetare si ai i viteve 30’, na sjell një variant të sekularizuar të Dervish Hatixhesë. Ja si e interpreton ai qenien dervish të Hatixhesë:

“Populli ynë që me kohë, titullin “dervish” e ka simbolizuar, duke pagëzuar kështu çdo njeri që sillet mirë e korrekt në jetë, pavarësisht nëse personi është i krishterë apo mysliman…”Dervish Hatixheja” ishte një grua që sakrifikonte për të mirën e shoqërisë”.

Më pasi ai na rrëfen historinë, e cila qendërzohet në përkushtimin e saj në një kohë të vështirë të epidemisë së kolerës që kishte rënë në qytet. Hatixheja e Skënderajve, siç njihej nga njerëzit, vizitonte të sëmurët dhe u shërbente atyre si infermiere, sepse një pjesë e madhe e banorëve kishte vdekur nga sëmundja, ndërsa shumë të tjerë kishin marrë arratinë. Kështu Hatixheja u vinte në ndihmë dhjetra e dhjetra të sëmurëve që lëngonin në shtëpitë e tyre, duke shpërfillur rrezikun që mund t’i vinte nga kontakti me ta. Kështu ajo e vazhdoi këtë mision nëpër qytet derisa epidemia u zhduk dhe qyteti rimori normalitetin. Gjatë kësaj sfide të dhimbshme shoqërore, duke parë përkushtimin e saj, populli e pagëzoi me titullin simbolik “Dervish Hatixhe”. Më tej Hasnaj na shpjegon edhe kultin e ngritur nga banorët e Tiranës për të përkujtuar meritat dhe vyrtytin e kësaj gruaje. Sipas tij, pak kohë më pas Dervish Hatixheja ndërroi jetë, dhe populli pranë shtëpisë i ngriti një tyrbe, e cila në kohën kur Hasnaj shkroi, mbushej nga vizitorë të shumtë që falenderonin ende pas një shekulli e më shumë veprën e saj.

E çuditshmë është se në rrëfimin e Hasnajt, nuk përmendet asnjë referencë fetare në historinë e Dervish Hatixhes, ndonëse vetë ai ishte një ndjekës i përkushtuar i Tarikatit Bektashi. Megjithatë një rrëfim më kontekstual dhe më i plotë na vjen nga Kristo Frashëri. Duke shfrytëzuar burimet në dorëshkrim të Institutit të Historisë, Frashëri e pasuron më tej atë që njihet nga rrëfimi i Hasnajt. Sipas Frashërit, Dervish Hatixheja ishte ithtare e Tarikatit Kadiri, i cili ishte tarikati më i përhapur në qytet sëbashku me atë Helveti. Që e re ajo ishte devishe e këtij tarikati, megjithëse duket e nxituar nga Frashëri kur ai pohon se ajo themeloi dhe udhëhiqte një teqe të sajën. Hatixheja nga fisi Skënderi ishte e martuar me Adem Halepçinë, i cili nga emri, siç pohon edhe Frashëri, origjinën mund ta kishte nga Halepi i Sirisë. Mbase edhe ky ithtar i Kadirinjve.

Ndonëse Hasnaj përmend kolerën si sëmundjen që nënshtroi Tiranën e fundshekullit XVIII, më i saktë na duket varianti i murtajës që thekson Frashëri, pasi ai thote se një epidemi e tillë shpërtheu në Shkodër në 1776, gjithashtu edhe sepse ai citon dëshminë e një autori, siç do ta shohim më poshtë. Në kontekstin e kësaj epidemie shfarosëse, Dervish Hatixheja sëbashku me ithtarë të tjerë të tarikatit, nisin dhe përkujdesen për të sëmurët, gjithashtu edhe duke varrosur të vdekurit, pasi nga tmerri i sëmundjes ishin braktisur nga të afërmit, ose gjendeshin të shfarosur në shtëpi. Kështu, për një periudhë të paqartë kohe, Dervish Hatixheja me bashkëpunëtorë të tjerë, u përkujdes për bashkëqytetarët në kushte tepër të vështira. Dukshëm në veprën e saj sociale kemi një motivim thellësisht fetar, në përputhje më thelbin e mistikës që ajo përfaqësonte. Kjo ngjarje, dhe ky përkushtim siç duket kanë shërbyer si themel i kultit të saj, i cili zgjat prej më shumë se dyqind vjetësh.

Dervish Hatixheja vdiq pas disa vitesh sërisht nga murtaja. Për këtë informacion, Frashëri na sjell një fragment poezie të një poeti tiranas me pseudonimin Suzi, emri i të cilit është Haxhi Ymer Kashari. Vargu në turqisht është: “Behane olldu vebaden qi etti terqi fena”, të cilën e përkthen “Shkak u bë murtaja që e braktise jetën e perëndishme”*. Duke mos qenë specialist i gjuhëve orientale, Frashëri ngatërrohet disi kur sjell këtë varg në turqisht si pjesë të një ilahije shqip të të njëjtit autor. Me siguri ky varg ndodhet në ndonjë poezi tjetër të panjohur. Me interes është të përmendim vargjet e fundit të ilahisë shqip të transkiptuar nga Ferid Vokopola, i cili është edhe poseduesi i tekstit:

“He: Hidajet në tri vakte jam në mihrabin e Dervish Hatixhes.

Lam Elif: Lam Elif o Zot laik na ban enne shefaat të xhemietit të Fatimes

Je: Ja Muhamed Mustafa ban himet e merhamet** për hatrin e Fatime Zahras imamit të Dervish Hatixhes”.

Këtu mund të aludojmë se autori shërben si imam në Xhaminë e Met Fires, e cila ndodhej shumë pranë tyrbes së Dervish Hatixhes, ose ai në mënyrë metaforike ka përdorur fjalët “mihrab” dhe “imam” për të aluduar se është kadiri që propagandon kultin e Dervish Hatixhesë. Megjithatë duke qenë në një kontekst femëror, ka mundësi që autori në vargun e fundit konsideron si udhëheqëse shpirtërore (imam) të Dervish Hatixhesë pikërish Fatime Zehranë, vajzën e Profetit. Në një pasazh tjetër, pa na dhënë referencë, Frashëri na thotë se Suzi, e cilëson Dervish Hatixhenë si “substancë e grave më të pastra” dhe “shtyllë e grave faltare”.

Për të kuptuar rëndësinë e kultit të Dervish Hatixhesë për banorët e Tiranës, së fundmi do të citojmë Hafiz Ibrahim Dalliun. Duke dëshmuar zakonet dhe adetet e ndryshme të banorëve të qytetit, me një dozë kritike për keqpërdorimin e besimit, ai na rrëfen se si ishte e përhapur një praktikë shërimi/falli për fëmijët e vegjël. Këtu Dervish Hatixheja gjendet mes gjerdanit të shenjtorëve dhe vendeve të mira të arealit islamik shqiptar:

“Sa për foshnjet, me një herë shkojnë e marrin nji frymaxhije, si Dervish Fatimen, Miden e Mirë, e të tjera. Ajo vjen ke fëmija e sëmundme, porosit t’i binë trië koqe krypë e tre rrema mshese edhe ja fillon gogsinavet tuë i fry e tuë e mshië me rremat e me krypën, thotë: O mal i Tomorrit! O mal i Dajtit, o Xhymert Kasap, o Sari Salltik i Krues! O Sylejman pashë, o dervish Hatixhe, o Baba Rexhep, o Tyrbe, o Teqe…. Merrnëja të ligat e kti e çoneja ku s’këndon gjel e pulë….”

Pavarsisht se si është fetishizuar kulti i Dervish Hatixhesë në rrjedhën e viteve, historia e saj dhe venerimi për gjestin human janë edhe sot e kësaj dite frymëzuese. Personazhe të tillë me një sfond të qartë fetar, edhe pse janë zbehur në kujtesën publike, në momente vështirësie si të këtyre ditëve janë shenja të bukura për atë që bën njeriu kur i mbështetet Zotit. Këto kohë që kanë bërë shumëkënd të reflektojë për jetën, shëndetin dhe sigurinë, ishte i domosdoshëm kujtimi i një të kaluare befasisht kaq të prekshme.

*Më pranë kuptimit do të ishte “Shkak u bë murtaja që braktise këtë jetë të rreme

**Në tekstin e sjellë nga Frashëri është “muhamet”, por nuk duket se ka kuptim. Më afër me këtë është “merhamet”, e cila i jep kuptim vargut.

Bibliografi:

Dalliu, Hafiz Ibrahim, “Zakonet e popllit në Tiranë” në Diturija, nr. 3, Tiranë, 1928

Frashëri, Kristo, “Historia e Tiranës”, Toena, Tiranë, 2004

Hasnaj, Ibrahim, “Dervish Hatixheja”, në Urtësia, nr. 64, Tiranë, 2008

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *