Kuleuthi*





Tahir Dizdari

Po sjellim këtu këtë artikull nga “Fjalori…” i Tahir Dizdarit, për të ndarë sëbashku më tepër se një tekst standard fjalorësh. Teksti është dëshmi e gjallë e zhdërvjellsisë së një dijetari klasi. Një ndër të paktët e kohës kur jetoi, me njohuri të thella në kulturën myslimane, i cili shëtit lirisht në disa disiplina, për të pasuruar dijet rreth gjuhësisë, leksikografisë, historisë, antropologjisë, etnografisë etj. Gjithashtu, prurja këtu e një autor të veçantë si Dizdari, është një mënyrë për t’i bërë një homazh për kësaj traditë të zbehur intelektuale tek shqiptarët.

Në të folmen e Tiranës, për mëni të pasun me nji njeri të porsavdekun: ja kënduen kuleúthin (hoxhet), e pat, na muer të keqen. S’kan ç’t’ baj, m’zune ngushtë, se ‘me qenë ta knò lala kuleúthin. Dhe në namatime që shprehin gratë ndaj asi kalamajsh që t’a binë shpirtin në fyt. Driiitë! Të kënofshin kuleúthin, o Zot!”: u bafsh me të këndue hoxha, vdisësh. Edhe në Elbasan : “të këndoftë hoxha kuleúthin” në mallkim. Në Shkodër “këndoja kulufruthin kur të duesh”, për nji gja a rasë që ka marrë fund, që nuk çbahet, njashtu si me thanë “e ka hangër Luca”. Në Korçë, ndonji këngëtari p.sh., tue ba aheng: këndona or të këndofshin kollofruthin[i]. // Andej kah mbarimi, Kurani përmban disa sure të shkurtëra jo me karakter narrativ siç ngjet me disa të zgjatme, por me disa urdhënesa e porosina të theksueme e tërhjekse. Këto sure, tue qenë se mësohen përmendësh me lehtësi janë të përdorshme për cilindo që falet , aq ma fort për disa hoxhë (flas për at kategori që hoxhallekun e kishin si me të vjedhme, siç shprehen në katunde të Tiranës), të cilët tue mos dijtë me u shty ma thellë ndër të tjerat të zgjatme (aq të vështira për t’u mësue përmendësh, për të iu dijtë tefsiri etj. halle), i kanë pas në majë të gjuhës në çdo shërbesë fetare, e sidomos në mbylljen (zbritjen) e hatmeve njaj të vdekuni në groposje e sipër. Nga këta katër a pesë sure të shkuetra dy fillojnë me: kul e’ ‘udhu: kul e údhu bi Rabb’in nas قلْ أعُوذُ بِرَبِّ النَّاس “thuej! (se) i truhem Perëndisë së krijesave”; kul e’ údhu bi Rabb’ il felekì قلْ أعُوذُ بِرَبِّ الْفَلَق “thuej! (se) i truhem Perëndisë së qiellnave të gjithësisë”. Posë këtyne ka pasë ndikesën e vet e’údhu b’il lahi أعُوذُ بِاللَّهِ “i truhem Zotit, ruejna Zot” (që bashkë me bi ism’il-lahi në emen të Zotit), dy formula këta që asht zakon të shprehem si paraprimje në fillin të recitimit të çdo verseti kuranuer të shkëputun. // Si u pa ma nalt, kuleuthi, kulufruthi, kollofruthi, kanë të njajtat nuanca e objektiv në vështrime dhe gjithkund për sillen me fol. këndoj (me optativat të këndofsha, tu këndoftë etj.). // Në kuleuthin e Tiranës dhe të Elbasanit, njajo ú e nazalizueme, tham të jetë zhvillue në zavendësim të ‘ajnit ع, i paartikullueshëm në shqip (khs. itaât “bindje, nënshtrim”, kanât “kursim” etj.). Për ket kishe me than se asht nji farë çtrajtimi i ar. kul e’údhu (me desonorizim edhe të ndërdhamorit në silabë të fundit), tue marrë shkas, kuptimisht nga këndimi i hoxhëve dhe besimtarëve orë e çast të këtyne sureve, sidomos në rasa vdekje e për shpirtë të të vdekunve ndër netët e mëdha etj. // Në parashtesat e gjuhës shqipe të Xhuvani-Çabej BUShT SSS IV, 77, viti 1956, në kollofruth-in shifet nji përbamje me prefiksin kollo-. Ndaj kulufruthit të Shkodrës, identik në kuptim del kollofruthi i Korçës, por me ndryshim vokalik të dyfishtë dhe konsonantik në l. Cila nga këto të ketë ndikue në trajtën tue pësue palatalizim në l, ose anasjelltas velarizim bashkë me ndërrimin e dy zanoreve u:o ose anasjelltas?[ii] Në idiomën e Korçës, si dihet, velarizimi i l-së asht i rëndomtë, në uhazime të hueja sidomos pllan, pallat, llotë, llustër lluks etj. Për kulufruthi të Shkodrës, sikur të paravendojmë nji të përngjitun me kulu-, më duket se nuk ka përshtatje me kollo të Korçës.[iii]

Të ban me mendue se trajta kollo- në krye të fjalës, mos asht nji shqiptim i pjesshëm i anës orthodokse të vendit, kushedi me ç’ndikesë?


[i] Si kemi pas rasë t’a çemim, të shumta janë fjalët e uhazimit turk antifrastik. Si kuleúthi, drejt gurrës arabe dhe me karakter fetar, marrin në thu edhe fjalë si tobestak-u për djallin (shih estak); elhyqmy-lilah “ç’më gjeti, në djall të vej” etj.

[ii] Mos jemi dhe para nji kryqëzimi fjalësh? Nji e përngjitun me koll e fruth?

[iii] Tashti vonë m’u kumtue prej Xhemil Frashërit, se gjithnji ka ndigjue prej gjyshes së vet (autoktone korçare nga shtepia e Mytevelinjëve) që sot do të kishte kaptue të tetëdhjetat, trajtën kulufruth-i për Korçën, të shoqnuem me foljen këndoj: të këndofshin, tu këndoftë kulufruthi. Edhe në qytet të Beratit thuhet “t’i këndosh kulufruthin në vesh”.

*Teksti i shkëputur nga “Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe”. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë, 2004

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *