Besnik Sinani

Këto ditë është bërë publik peticioni i disa besimtarëve myslimanë, drejtuar myftinisë së Tiranës, ku propozohet që myftinia të kërkojë nga autoritetet miratimin e mbajtjes së faljeve të përnatshme gjatë muajit Ramazan në sheshin Skenderbej. Muaji Ramazan pritet të fillojë brenda një jave, teksa nuk ka ende direktiva për lehtësimin e mundshëm të karantinës. Këto falje njihen si faljet e teravive. Ndër nismëtarët e këtij peticioni ka individë të njohur si analistë politikë me qëndrime të djathta, që prej kohësh kanë kritikuar politikat qeveritare ndaj karantinës. Po këto ditë, nga autorë muslimanë, është qarkulluar edhe një koment i një analisti tjetër politik të djathtë, sipas të cilit politikat qeveritare në lidhje me tempujt fetar janë diskriminuese. Më poshtë përpiqem të përmbledh e të komentoj argumentet më të dallueshme, duke u përpjekur së fundmi të argumentoj që këto qëndrime të këtyre besimtarëve myslimanë janë problematike nga vetë këndvështrimi i mendimit Islam.

Bazuar në tekstin e peticionit në fjalë, propozimi “për faljen e namazit dhe lutjen e natës në sheshin “Skënderbej” gjatë muajit të Ramazanit”, arsyetohet me faktin se a) prej më shumë se një muaji Zoti nuk është adhuruar në xhamitë e vendit dhe kohëzgjatja e karantinës nuk mund të parashikohet, b) Ramazani shënon një ngjarje qëndrore në kalendarin e shenjtë të myslimanëve, c) besimtarët kanë nevojë “të pazëvendësueshme” për përjetim shpirtëror kolektiv, d) mbajtja e këtyre faljeve në sheshin qëndror të vendit bën të mundur ruajtjen e distancimit social gjatë lutjeve, dhe e) nevoja për t’ju lutur Zotit për shpëtim nga virusi.

Ajo që të bie në sy në tekstin e peticionit është se edhe pse kërkesa është motivuar nga hartuesit, duke ju referuar vlerave e nevojave fetare, ato nuk përmbajnë asnjë referencë nga opinioni fetar Islam për të arsyetuar kërkesën e tyre. Së pari, në traditën islame, me përjashtime shumë të rralla, e gjithë toka konsiderohet si vend faljeje, si vend ritualisht i pastër, si vend i përkuljes në adhurim ndaj Zotit, ngjashëm si xhamia. Kjo është e bazuar në thënien e mirënjohur të profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zoti qoftë mbi të: “E gjithë toka është xhami…” Pra adhurimi i Zotit mund të vazhdojë kudo ku gjenden besimtarët, pa patur nevojë për vend specifik. Ruajtja e karakterit të xhamive, si vende të dedikuara për përkujtimin e Zotit, siç kanë shpjeguar edhe hoxhallarë shqiptarë, dhe si po praktikohet në shumë vende myslimane, bëhet me prezencën minimale të imamit, muezinit (personit të ngarkuar me thirjen e ezanit), dhe një besimtar i tretë. Kjo ruan statusin e xhamisë si hapësirë e dedikuar specifikisht si vend adhurimi. Për këto arsye, është e vështirë t’i shohësh arsyet e para të përmendura në peticion si bindëse për të justifikuar veprimin e kërkuar.

Prej mësimeve thelbësore të Islamit është besimi se Zoti sheh dhe dëgjon çdo gjë. Në Kuran (42:11) Zoti thotë: “Asgjë nuk i përngjet Atij, Ai është Shikuesi, Dëgjuesi”. Zoti ka premtuar t’i përgjigjet sipas Urtësisë së Tij lutjeve të besimtarëve. Në Kuran (40:60) thuhet: “Dhe Zoti juaj tha: Më thërrisni mua, e unë do ju përgjigjem…” Besimtarët pra, janë të nxitur t’i luten Zotit për shpëtim e shërim, për veten, familjarët, bashkombasit e gjithë njerëzimin kudo që janë, pa qenë kusht të jenë në sheshin Skënderbej, e duke qenë fare mirë në dhomën e tyre të ndenjes, duke u lutur individualisht apo sëbashku me familjarët e tyre. Është e mirënjohur nga opinionet e shkollave të mendimit Islam, që falja e teravive – praktika për të cilën po bëhet ky peticion – nuk është obligim fetar, por akt i virtytshëm suplementar, dhe aq më pak është obliguese falja kolektive e tyre. Ka dijetarë prominentë në shkollat e mendimit islam që madje sugjerojnë, se falja e tyre në shtëpi është jo vetëm e mundshme, por sipas disave, edhe e preferuar. Sipas mendimit dominant të shkollës Hanefi, shkolla që kanë ndjekur historikisht shumica e shqiptarëve, teravitë është e preferuar të falen në shtëpi.

Sigurisht Ramazani është muaji më i rëndësishëm i kalendarit shpirtëror të myslimanëve, por teksti i peticionit nuk sqaron se si pikërisht detyrimet e karantinës dhunojnë këtë shenjtërim. Ramazani dallohet në traditën islame nga dy karakteristika esenciale. Ai konsiderohet si muaji i Kuranit, pasi shpallja e Kuranit nisi në këtë muaj, dhe gjithashtu ai është muaji i agjërimit. Besimtarët nxiten të shtojnë leximin dhe reflektimin në vargjet e Kuranit, ku sigurisht edhe faljet e teravive janë pjesë e saj. Siç thamë më sipër, falja e teravive, e për më tepër leximi e meditimi rreth mësimeve të Kuranit mund të bëhen individualisht. Nga fjalët e Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zoti qoftë mbi të, mësojmë se Zoti shpërblen aktin e agjërimit më shumë se secilin akt tjetër të kryer nga njerëzit: “Secili akt i fëmijve të Ademit është për të, përveç agjërimit; agjërimi është për Mua (Zotin) dhe unë e shpërblej atë…” Dijetarët Muslimanë i kanë kushtuar vëmendje interpretimit të kësaj thënie. Duke qenë se një besimtar synon që çdo veprim ta bëjë për hir të Zotit, pse është dalluar në këtë mënyrë agjërimi? Sipas komentatorëve të Kuranit dhe Hadithit si Ibn Haxhër el-Askalani, Kurtubi, Ibn Xhauzi e të tjerë, çdo veprim njerëzor mbart rrezikun që të kontaminohet nga nevoja për aprovimin dhe pëlqimin e të tjerëve, përveç agjërimit, dhe kjo është për shkak të natyrës esencialisht personale dhe individuale të agjërimit.  Në fakt, në këto kohë të pandemisë, shumë dijetarë myslimanë kanë parë mundësinë e ripërtëritjes së praktikave të neglizhuara të fesë, si veçimi e meditimi, si përpjekje për përsosjen e marrëdhënies me Zotin.

E megjithatë, feja është esencialisht një organizim social, dhe për këtë arsye kemi edhe tempuj, ku besimtarët kolektivisht madhërojnë emrin e Zotit. Si vlerësohet ky dimension social në këtë kohë pandemie? Dijetarët i gjykojnë veprimet në bazë të dëmit dhe përfitimit që pritet si rezultat. Juristët myslimanë kanë gjykuar dëmet dhe përfitimin e akteve në bazë të objektivave supreme të urdhëresave të Zotit, të njohura nga fjala në arabisht, makasid. Sipas kësaj kornize interpretative, të gjitha urdhëresat fetare mbartin nga pas urtësinë e një qëllimi apo objektivi më të lartë, dhe kjo përbën bazën e filozofisë së jurisprudencës islame. Sipas teoricientëve të makasid, e në krye të rradhës të dijetarit andaluzian Ebu Ishak el-Shatibi, të gjitha detyrimet dhe urdhëresat fetare janë në funksion të pesë objektivave themeltare, që përbëjnë thelbin e arsyes së shpalljes hyjnore: 1) Mbrojtja e besimit, 2) mbrojtja e jetës, 3) mbrojtja e origjinës, 4) mbrojtja e intelektit, 5) mbrojtja e pronës.

Në këtë kontekst, xhamitë janë mbyllur me aprovimin e figurave fetare më të njohura dhe të nderuara në botë, dhe është e qartë që mendimi dominant skolastik islam nuk e ka konsideruar mbylljen e xhamive si kërcënim ndaj besimit. Në të kundërt, mbyllja e shërbimeve fetare është justifikuar me objektivin e dytë të shpalljes, mbrojtjen e jetës.

Qysh me datën 24 Mars, dijetarët e Universitetit të Ezherit në Kajro mbështetën vendimet qeveritare për mbylljen e shërbimeve fetare. Sipas Dar el-Ifta të Egjiptit, “çdo thirrje që të mblidhen njerëzit, në rrugë apo kudo qoftë, me cilindo lloj preteksti apo parrulle, është me qëllime të liga, është fetarisht e ndaluar, dhe e urryer në sytë e Zotit.” Këshilli i Dijetarëve të Arabisë Saudite gjithashtu ka mbështetur mbylljen e xhamive, ashtu siç është vepruar edhe ne shumicën e vendeve me popullsi dërrmuese myslimane, nga Indonezia në Marok.

Një fetva e Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, e publikuar në datën 9 Mars sqaron se:

Ndërsa në rastin e rrezikut të përhapjes së epidemive çështja është akoma më e rëndë, sepse rreziku dhe dëmi është më i madh. Sidomos në rastet e epidemive, si virusi Korona, i cili fillimisht nuk kuptohet kush e bart atë dhe po përhapet në masë. Në këto raste, nëse udhëzimet përkatëse, që dalin nga ministria e shëndetësisë, vendimet e qeverisë apo nga instancat zyrtare shtetërore porosisin, që të mënjanohen sa më shumë kontaktet me njerëzit në vendet publike për të parandaluar përhapjen e virusit, lejohet të falen në xhami të ndarë nga njëri-tjetri, duke ruajtur distancën e përcaktuar sipas udhëzimeve dhe duke përdorur masa mbrojtëse si maska, doreza etj.  Por në rast të përhapjes së virusit në masë, siç po ndodh në Itali, ku janë marrë vendime për të izoluar zona të veçanta bashkë me popullatën e tyre, atëherë namazi i xhumasë nuk është më detyrë për aq kohë sa epidemia kërcënon dhe rrezikon shëndetin dhe jetën e njerëzve. Madje dijetarët kanë përmendur në librat e fikhut, se në raste konkrete kur dihet se dikush është i prekur nga sëmundjet ngjitëse duhet të ndalohet të futet në xhami dhe në vende të tjera publike. Imam Ibn Haxher el-Hejtemi në librin e tij el-Minhaxh el-Kavim 1/150 sqaron, se dijetarët e kanë ndaluar, që një i sëmurë nga lebroza të futet në xhami për të falur namazin, ose xhumanë apo të përzihet me njerëzit në vende publike.  Andaj njerëz të prekur nga epidemitë e ndryshme duhet të izolohen dhe të kurohen me kujdes për të arritur në shërimin e tyre dhe për të parandaluar me çdo kusht rrezikun e përhapjes së epidemisë.

Në rastin konkret në Itali, në ato zona ku komuna e ka ndaluar rreptësisht përzierjen e njerëzve në vende publike lejohet mosfalja e xhumasë dhe në vend të saj të falet namazi i drekës në shtëpi. Kurse në rastin si Shqipëria, ku përhapja e virusit nuk ka marrë përmasa të mëdha është e mirë, që të ndiqen udhëzimet përkatëse për të mos dalë pa nevojë në vendet publike. Por nëse merren vendime qeveritare të prera ose nga ministria e shëndetësisë për të mos frekuentuar në asnjë mënyrë vendet publike, atëherë edhe te ne nuk është më detyrë namazi i xhumasë deri në qetësim të situatës dhe daljen nga rreziku.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Atëherë, në bazë të çfarë racionalizimi fetar ngrihet pretendimi për lejimin e faljeve të teravive në sheshin “Skënderbej” gjatë Ramazanit, një falje që nuk është as praktikë obligative në traditën fetare islame? Teksti i peticionit nuk na thotë më tepër.

Siç e përmendëm në fillim, në të njëjtën kohë të përhapjes së tekstit të peticionit, u postua edhe një artikull që ngre pretendimin se mbyllja e objekteve të kultit përbën diskriminim fetar. Arsyetimi mbështetet në bazë të një padie gjyqësore ngritur në shtetin e Kalifornisë nga tre kisha protestante. Plotësimi i kontekstit do na ndihmonte më tej për të problematizuar shembullin mbështetës. Sipas Los Angeles Times, tre kisha në Kaliforni kanë hedhur në gjyq guvernatorin e Kalifornisë, për diskriminim fetar, pasi ai ka njohur si shërbime të nevojshme hapjen e dyqaneve, por jo të kishave për shërbesa fetare. Padia është pjesë e konfliktit politik e kulturor në Amerikë, ku kisha të djathta padisin një guvernator demokrat, dhe mbështetja ligjore bëhet nga përfaqësues të partisë republikane. I njëjti artikull na tregon se shumica e kishave në Kaliforni nuk kanë refuzuar mbylljen, e pra ky është një qëndrim minoritar edhe brenda bashkësisë së krishterë. Gjykatësja e distriktit që mbulon këto kisha, u deklarua duke cituar një vendim të gjykatës supreme amerikane, se liria e besimit nuk përfshin lirinë për të ekspozuar bashkësinë ndaj një sëmundje ngjitëse. Refuzimi për të mbyllur kisha është evidentuar në disa raste. Siç raporton The New York Times, një pastor i një kishe në Virginia në ShBA, i cili refuzoi të mbyllte kishën, u infektua me COVID 19 dhe më pas vdiq në spital.

Këto dy qëndrime diskutuara më sipër, peticioni dhe artikulli që pretendon diskriminim fetar, kanë elementë ideorë të përbashkët. I pari vendos marrëdhënien midis besimtarëve dhe institucioneve drejtuese fetare (në këtë rast KMSH) në baza fetarisht jo-tradicionale. Strukturat institucionale tradicionale të Islamit, si dhe shumicës së feve, nuk kanë karakter demokratik (të vendoset me mendimin e shumicës) e prandaj e bën peticionin si formë komunikimi më së paku problematik. Qëndrimet institucionale tradicionale kanë themele hierarkike. Besimtarët pyesin se cili është verdikti fetar për një çështje të caktuar, nuk para kërkojnë ta formësojnë atë mendim me metoda mobilizimi. Edhe përdorimi i shembullit nga ShBA sjell artificialisht paralele nga një sistem ku kisha individuale veprojnë pavarësisht nga njëra tjetra dhe pa institucion qendror vendimarrje. Besimtarët muslimanë jetojnë në një kontekst ku egziston një institucion qendror i përfaqësimit fetar. Artikujt e sjellë më sipër e bëjnë të qartë se kishte një vendim të vetëm katolik për kishat katolike në Kaliforni, por në rastin e kishave protestante, tre kisha të vetme mund të dalin me qëndrimin e tyre minoritare në kundërshtim me shumicën. Kjo ka të bëjë me natyrën unike të protestantizmit, një levizje e cila qysh në gjenezë lindi nga revolta kundër autoritetit të Kishës Katolike dhe Papës.

Ka patur edhe raste muslimanësh në botë që kanë refuzuar mbylljen e xhamive, por në mënyrë domethënëse, duke lejuar për diferenca lokale, shumica e enteve prestigjoze myslimane kanë bërë të ditur që marrja e masave mbrojtëse nuk bie në kundërshtim me besimin në përcaktimin e Zotit, dhe se besimtarët duhet të plotësojnë kushtet parandaluese që u kërkohen nga qeveritë përkatëse. Dijetari musliman në ShBA, i shkolluar në Universitetin e Medinës dhe në Yale, Dr. Yasir Qadhi, e përshkroi me këto fjalë dallimin e shumicës së dijetarëve muslimanë dhe atyre të tjerëve që po rrefuzojnë mbylljet: “Ka një ndarje të qartë ndërmjet atyre që vlerësojnë shkencën dhe mendimin modern, dhe atyre që, për të mos qenë shumë i ashpër, janë në një pardigmë tjetër.” Myftiu amerikan i shkolluar në Ezher, Sohaib Web shpreh admirimin për pasionin e atyre që besojnë se Zoti do t’i mbrojë nga virusi, por “pasioni është diçka e rrezikshme dhe mungesa e dijes fetare bashkuar me pasion bëhet gjë e rrezikshme.” Sipas dijetarit tradicionalist amerikan, Hamza Yusuf, “Këto janë çështje që janë debatuar shekuj më parë nga dijetarët, dhe qeveritë mund të mbyllin xhamitë me ligj, dhe muslimanët supozohet t’i binden vendimit. Islami është fe që me të vërtetë respekton arsyen dhe ekspertizën, dhe në situata të tilla, dijetarët pasojnë mendimin e ekspertëve që janë mjekët.”

Autorët e peticionit nuk kanë përmendur referencat e tyre dhe autori që pretendon diskriminim fetar duket të jetë më i inspiruar nga fundamentalistë protestantë se sa muslimanë. Kushdo që të jenë shtysat, këto qëndrime rrezikojnë të paraqesin fenë nën një korrnizë regresive, dhe irracionale, gjë që do binte në kundërshtim me objektivin e parë të makasid, atë të ruajtjes së fesë. Me këtë rast, siç na kanë treguar shembujt nga një sërë vendesh evropiane, egziston rreziku që shenjtëria e Ramazanit të bëhet shenjestër e propagandës islamofobe, duke etiketuar muslimanët si përgjegjës për rrezikimin e shëndetit publik. Mbi të gjitha, këto propozime mbartin vërtet rrezikun e shtimit të përhapjes së virusit, duke kundërshtuar në këtë mënyrën një nga parimet themeltare të fesë, atë të mbrojtjes së jetës. Ka një mendim dominant skolastik musliman që është në harmoni me qëndrimet e shumicës së mendimit të specializuar shkencor kudo në botë, dhe e bën totalisht të panevojshëm inspirimin nga raste të veçanta fundamentalistësh protestantë, myslimanë apo të çfarëdo feje.

Shpresojmë që autoritet fetare në Shqipëri të vazhdojnë të gjykojnë rreth aktivitetit fetar në vend në bazë të principeve fetare për ruajtjen e jetës, dhe në pasim të direktivave të institucioneve shëndetësore vendore.


Comments

  • Fakti se, siç thuhet, “Ndër nismëtarët e këtij peticioni ka individë të njohur si analistë politikë me qëndrime të djathta, që prej kohësh kanë kritikuar politikat qeveritare ndaj karantinës”, duket që ka rënë më së pari në sy të autorit të këtij reagimi, i njohur si individ me qëndrime të majta e administrues i kësaj faqeje me qëndrime të majta. Dhe për fat të keq, duket se kjo ka kushtëzuar edhe qëndrimin e tij ndaj përmbajtjes së peticionit.

    Unë, si nënshkrues i peticionit, konstatoj se teksti i tij nuk sulmon askënd dhe se besimtarët që e kanë firmosur atë i janë drejtuar Komunitetit Mysliman me një kërkesë të mbështetur në ato pika që janë përmendur, pa e shtruar çështjen në mënyrë ultimative e pa “kërcënuar” për ndonjë përshkallëzim a refuzim nëse përgjigjja e institucionit nuk është pozitive. Institucioni është i lirë ta shqyrtojë kërkesën dhe të kërkojë, gjithashtu, mendimin e qeverisë që, nëse nuk e sheh të arsyeshme kërkesën, mund ta refuzojë pa problem.

    Peticioni vjen në një kohë kur karantina ka zgjatur tej mase dhe kur masat, ndryshe nga sa thuhet në artikull, kanë nisur kudo e qartësisht të zbuten si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Në Shqipëri, konkretisht, janë zgjeruar fashat orare të daljes së qytetarëve në rrugë, janë shtuar bizeset që mund të qëndrojnë hapur, janë zgjatur lejet e qarkullimit të automjeteve dhe në ditët që vijnë priten lëshime të tjera. Veç kësaj, qytetarët kanë nisur të tregojnë gjithnjë e më pak ndjeshmëri ndaj karantinës dhe policia gjithashtu nuk duket të jetë e rreptë ndaj “shkelësve”. Përkundrejt kësaj, numri i atyre që në Shqipëri kanë humbur jetën duke qenë të prekur (edhe) nga SARS COV 2 (ose COVID 19) është shumë i ulët në krahasim me shifrat e vdekjeve të gripit të përvitshëm stinor. Së paku shifrat zyrtare të tilla duken.

    Në këto kushte, s’ka asgjë të keqe që një grup besimtarësh bëjnë një përpjekje për të mundësuar një lehtësim të tillë të karantinës në dobi të atyre që e dëshirojnë. E pikërisht këtu duhet parë edhe përgjigjja e pyetjes se përse paraqitet një kërkesë për namazin e teravive, që nuk përbën një detyrim. Nëse do të kërkohej hapja për një namaz si ai i xhumasë, që është i detyruar, atëherë kjo do të shkaktonte që pjesëmarrja të ishte më masive dhe të ndiheshin të detyruar të merrnin pjesë edhe kontingjentet më të rrezikuara, si të moshuarit apo të sëmurët me sëmundje kronike. Ndërsa në falje të teravive, të tillët nuk do të ndiejnë detyrimin për të qenë të pranishëm. Të mos harrojmë që në Shqipëri nuk ka një izolim total, por ka një numër të madh biznesesh që punojnë, duke përfshirë edhe ndërtimin e fasoneritë. S’ka kuptim, pra, që të gjithë njerëzit të izolohen pasi kthehen… nga puna.

    Sidoqoftë, nëse KMSH nuk e gjykon të arsyeshme apo të mundshme pranimin e kësaj kërkese, është në të drejtën e vet që ta refuzojë dhe s’ka për të pasur kurrkënd që t’i kërkojë llogari. Nuk ka arsye për të nisur debat mbi një kërkesë ende në tentativë e që me gjasë, do të refuzohet.

    As s’ka nevojë të tregohet se karantinimi dhe mbyllja e xhamive është bërë mbi bazën e fetvave të ardhura nga institucione fetare në Egjipt a në Arabi Saudite. Mjafton që janë shprehur institucionet tona fetare apo institucione të tjera në vende normale. Po të jetë për fetvatë e ardhura nga vendet e sipërpërendura, ato s’kanë asnjë vlerë më shumë sesa apologjia që gazetarizmi i Sofokli Lazrit e i Virgjil Kules i bënin regjimit të Enver Hoxhës. Karantina as nuk mbahet e as nuk rrëzohet me fetvatë e shejhlerëve të emëruar prej njerëzve të Abdylfetah el Sisit apo të Muhamed bin Selmanit. Karantina është gjithsesi legjitime edhe fetarisht për shkak të ixhmasë së gjerë që e kapërcejnë Arabinë Saudite apo Egjiptin dhe peticioni nuk e vë për asnjë çast në diskutim këtë.

    Edhe lidhja e peticionit, siç thuhet, me një artikull që e sheh mbylljen e objekteve të kultit si diskriminim fetar, nuk shkon. S’ka asnjë lidhje mes të dyjave as në formë e as në përmbajtje. E përderisa s’përkojnë forma dhe përmbajtja, shfrytëzimi i përkimit në kohë të daljes së peticionit me botimin e një artikulli për të krijuar idenë e lidhjes mes të dyjave është spekulativ.

    Po ndërsa peticioni nuk shtron asnjë çështje për polemikë dhe debati mbi të nuk më duket i legjitimuar, debati mbi artikullin, si debat mes “një të majti” dhe “një të djathti”, është plotësisht i kuptueshëm në kuadrin e debatit më të gjerë e tashmë të kristalizuar ideologjikisht mes një të djathte të caktuar dhe një të majte të caktuar. Ai mund të jetë edhe argëtues, madje, nëse çështje si qëndrimi ndaj karantinës bëhen po aq dogmatike sa besimi gati teologjik në ngrohjen globale që po dëshmohet së fundi. Ndaj në kohën e lirë, ndoshta mund ta ndjekim dhe atë.

    • Edvin, kjo eshte menyra se si ti e koncepton peticionin qe ke firmosur. Por nuk mund te flasesh ne emer te nismetarit te peticionit. Nuk eshte hera e pare qe ai person ka perdorur situata te caktuara per te nisur peticione qe kane per qellim goditjen politike me shume se sa pergjigjen ndaj nje nevoje te caktuar fetare. Po ky person nuk ka hezituar te godase dhe te ‘kritikoje’ fetaret kur e ka dashur nevoja. Nisma te tilla jane pa busull fetare, sic e ka shpjeguar dhe Besniku shume qarte ne artikull.

  • Edvin faleminderit që lexove artikullin. Në koment ke bërë dy gjëra: Ke sqaruar më tej peticionin që ke firmosur, dhe ke adresuar artikullin tim. Mendimet e mia për peticionin i kam shkruar, nuk ka nevojë që të them ndonjë gjë më tepër në këtë pikë. Për sa thua për artikullin tim, kam frikë se është shembull tipik i një gabimi (fallacy) ad hominem.
    Ke thënë që kam vënë në dukje se ndër “nismëtarët ka individë të njohur si analistë politikë me qëndrime të djathta, që prej kohësh kanë kritikuar politikat qeveritare ndaj karantinës”. Kjo është relevante për të vënë në dukje që kjo nismë është në vazhdën e disa qëndrimeve në lidhje me karantinën, dhe se qëndrimet pararendëse kanë një pozicionim të qartë ideologjik që autorët nuk e mohojnë.
    Më pas ke vazhduar pa u mar me asnjë nga argumentet që bëj unë në artikull, por i konsideron ato të pavlefshme se vinë nga një person i majtë, dhe ky është rast tipik i gabimit logjik që përmenda më sipër, sipas të cilit nuk meresh me argumentin, por atakon autorin. Në traditën tonë fetare ne e pranojmë të vërtetën edhe nga djalli, sic transmetohet në hadithin e Ebu Hurejrës rreth recitimit të ajetit kursi para gjumit. A ka ndonjë dozë majtizmi në mënyrën se si janë cituar referencat fetare në artikull? A është argumenti i ngritur rreth statusit të teravive, dhe makasid i majtë apo i djathtë? Unë kam cituar me sa mbaj mend Kuranin, Hadithet, e ulematë, e jo Leninin.
    Thua që nuk ka nevojë të citohen fetvatë nga Egjipti e Saudia se i keni fetvatë me forcat tuaja, dhe se fetvatë e këtyre vendeve janë të urdhëruara nga politika. Nëse respektoni mendimin fetar në vend, c’nevojë ka për peticion? KMSH-ja e ka dhënë mendimin. Mendimi fetar që kam cituar nuk vjen vetëm nga Saudia e Egjipti por edhe ShBA, e citon njëkohësisht qëndrimet në Indonezi e Marok, si dhe një fetva nga Lidhja e Hoxhallarëve. Pra jep një gamë të gjerë mendimi.
    Thua që është i pavend sjellja e të dy artikujve dhe se lidhja e vendosur mes tyre është spekulative. Nuk kam thënë asgjëkundi që këto artikuj kanë dalë si pjesë e një fushate apo në dakordim me njëri tjetrin. Kam komentuar mbi qëndrime të publikuara në xhemat rreth mënyrës se si është folur për praktikën fetare në kohë karantine. Kam identifikuar një pikë takimi ideor, po kjo nuk është spekulative por interpretative, dhe si e tillë mund të jetë e drejtë ose e gabuar.
    Në komentin tënd ke relativiuar rrezikun e COVID 19, gjë që s’më duket qëndrim i matur, por është mendimi yt. Debati “mes të majtit” dhe “djathtit” është rjedhim i gjykimit ad hominem me të cilin ke nisur komentin. Edhe një herë faleminderit që more kohën për ta lexuar artikullin.

    • Cfare e ndalon nje qytetar te republikes se Shqiperise ti drejtohet Kmsh, si mbarevajtsja e jetes fetare ne shqiperi te dialogoje me shtetin dhe te gjejne pika te perbashkta sipas rekomandimeve te OBSH?

      • Asgje nuk e pengon. Vetem qe pyetja te ishte me korrekte, duhet te tregonte qe nuk behet fjale per nje qytetar, por nje grup dhe logjika e peticionit nenkupton qe numri (sa me i madh) i nenshkruesve te perbeje element bindes ose presioni. Edhe kjo nuk eshte detyrimisht problem edhe pse nuk eshte pjese e proceseve tradicionale te formimit te mendimit fetar, me aq sa e njoh une literaturen. Por njekohesisht asgje nuk duhet ta pengoje nje anetar te bashkesise (une ne kete rast) te shprehe mendimin e tij rreth qendrimeve publike te anetareve te tjere te bashkesise se vet kur bie dakort ose eshte ne kundershtim me to, dhe kete bera une ne kete rast.

  • Ju pergezoj per qendrimin. Une nuk e firmosa peticionin sepse e pashe me te arsyeahme ndjekjen e rregulla te vena, per me teper duke marre dhe si reference shtete analoge, ose dhe me pak konfliktuale sa i perket fese( si Malajzia, Arabia Saudite, Turqia) e pashe jo te arsyeshme ate peticion. Por vlen per t’u vleresuar menyra e zgjedhur nga nismetaret. Sikur cdo ceshtje te zgjidhej ne kete menyre ( pra me kerkesa zyrtare, ftese ne dhenie mendimi, dhe jo ne sharje neper rrjete sociale) do na rriste ne si individe akoma me shume.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *