Varret myslimane të Tiranës*





Maks Velo

Ky studim përfshin zonënë e Tiranës dhe fshatrat përreth, Yzberisht, Vaqar, Mullet, Petrelë, Pezë, Kërcukje, Ndroq treg, Ndroq lagje e re, Ndroq kala, si dhe disa zona të Durrësit: Ramanat, Manzë, Pjeshkëz, po ashtu kam parë zonat e varreve në dalje të Kavajës deri në Peqin.

Materialin e kam mbledhur gjatë 20 vjetëve në periudhën kohore 1957-1977, kjo më duket e rëndësishme të shënohet se mbas kësaj periudhe ndryshimet urbane sollën me vete dhe zhvendosje të vorreve.

Deri në fillim të shekullit vorret në Tiranë kanë qenë rreth Xhamisë së Vjetër dhe asaj të Haxhi Et’hem Beut. Nga viti 1914 u shpunë në lindje të qytetit tek varri i Bamit. Thuhej se emri ka ardhur nga njeriu i parë që është varrosur. Deri nga vitet gjashtëdhjetë si varrezat myslimane, po ashtu edhe ato të krishtera ishin pra këtu në zonën lindore të Tiranës. Pastaj për efekte ndërtimi ajo zonë u përfshi brenda vijës së verdhë të qytetit, dhe kështu vorresat u çvendosën në Sharrë dhe Shtish-Tufinë.

Tek Vorret myslimane të Bamit rruga kryesore duhej të ketë qenë në perëndim, ku ish dhe një Xhami e vogël e rrethuar me kangjella hekuri, kurse shumica e steleve ishin të vendosura mbi një bazament të ulët. Gurët e vorreve i përgatisnin mjeshtra gurëgdhendës të cilët zakonisht banonin afër vorreve. Këtu ish i njohur gjatë viteve pesëdhjetë Musa Tagani, i cili dhe banonte afër vorrevë.

Si material më i mirë përdorej guri i bardhë i Shtish-Tufinës. Ky gur punohet lehtë dhe me kohë merr një patinaturë në ngjyrë krem-okër.

Ka dhe stele të punuara në gurë shtufi, që me kohë ka marrë një patinaturë gri të errët. Ky lloj guri punohet fare lehtë se shkalla e tij e fortësisë është e ulët.

Tek vorret e Bamit kish dhe shumë stele të punuara në mermer, të importuara të cilat mbishkrimet i kishin në gjuhën Arabe.

Në fshatin Mullet varrezat e vjetra kanë qenë në mes të fshatit, në një pllajë të vogël, në anën e poshtme të së cilës është teqja. Tani fshatarët e Mulletit varrosin në vorret e reja që janë më lart.

Gurët e vorreve i blinin në fshatin Carcabez (rrethi i Elbasanit), poshtë Kërrabës që njihej nga fshatarët e tërë zonës. Po këtu blinin gurët e vorreve dhe fshatarët e Petrelës. Tani vorret e vjetra në Mullet janë të braktisura, një pjesë e steleve janë thyer, kurse të tjerat janë mbuluar thellë në tokë. Këtu pamë si stele guri, po ashtu dhe dy stele druri me një gdhendje të thjeshtë ( të njëjta me të tabelës 13).

Në Yzberisht vorrezat ishin rreth Xhamisë. Gurët që ruhen mirë janë të gdhendur me forma e dekoracione si ato të vorreve të Tiranës.

Më në veri të Yzberishtit është fshati Mëzez. Këtu varret kanë qenë në katër-pesë vende. Në Shtish-Tufinë fshat në veri-lindje të Tiranës, vorrezat e vjetra ndodheshin në anën e djathtë të rrugës, afro 500 metra para se të hyje në fshat.

Në Ndroq gurët e vorreve i quajnë “gurrë të gatit” (gurët e punuar me daltë). Nga vitet gjashtëdhjetë u fut dhe prodhimi i steleve prej betoni, të cilët nga sipër dekoroheshin me bojë vaji jeshil të errët dhe të kuqe.

Rojtari i vorreve në Ndroq-treg i lyente stelet me gëlqere të bardhë.

Varret më të pasura në forma dhe dekoracione janë dy varret anash hyrjes së Xhamisë së Haxhi Et’hem Beut (Tab. 1). Sikurse shihet dhe nga fotot këto stele janë tërësisht të konceptuara dhe prodhuara simbas estetikës orientale të arkitekturës funerare, dhe duhet të jenë sjellë nga jashtë dhe nuk janë prodhuar në Tiranë. Shkrimet janë arabisht dhe dekori është tipik i varreve Turke dhe nga mbishkrimi. Janë të fillimit të shekullit XIX.

Tab. 1

Këto lloj stelesh janë përdorur më shumë në varret afër xhamive apo tyrbeve. Format e steleve që janë përdorur për njerëzit e thjeshtë janë më të vogla dhe jo kaq të ngarkuara me ornamente.

Në stelet që do të shohim në foto ( Tab. 2. 3) të tërheq vëmendjen një trajtim plastik i volumeve ku dallohen qartë dy pjesë trupi me bazë katrori dhe koka e steles në formë çallme. Në shumicën e rasteve nuk kanë mbishkrime. Në tetë variante vetëm njëri (Foto 4 Tab. 2) ka mbishkrime arabisht. Lartësia e steleve mbi tokë arrin 60-65 cm. ku koka zen deri një të tretën e lartësisë totale. Bazat katrore të shtyllës janë 14 cm kurse format e sipërme zgjerohen deri 25 cm.

Tab. 2
Tab. 3

Këto stele janë si skulptura të vogla me forma të punuara artistikisht dhe variojnë nga njëra-tjetra. Një analizë grafike për këto katër variante kam bërë në Tab. 4.

Tab. 4

Një grupim tjetër do të klasifikonim tetë stelet në fotot (Tab. 5. 6). Si zgjidhje voluminore kanë në trup pllakë-guri që mbaron me një fund piramidal hark, rreth ose katërkëndësh.

Sikurse shihet qartë format janë akoma në stade fillestare, por mendoj se ky është grupimi më i rëndësishëm. Këtu kemi të bëjmë me forma të dekoruara me elementë të traditës pagane.

Tab. 5
Tab. 6

Tre janë elementët përbërës artistikë të këtyre steleve. Forma e përgjithshme, dekori dhe mbishkrimi.

Dhe këto tetë variante që paraqitëm më lart janë nga Pjeshkëza e Durrësit. Kjo vorrezë, për mendimin tim, duhet të mbrohet e të ruhet me ligj, në rangun e monumenteve të kulturës.

Elementet kryesore dekorative janë thellime të gdhendura: zig-zake, rombe, rrathë, spirale në formë kërmilli me dy koka, yje gjashtë, shtatë e tetëkëndësh të futur në fusha rrethore të thelluara, vijëza të thelluara radiale, dhe rrathë koncentrikë radiale.

Të gjithë këto skema dekorative i gjejmë dhe në dekoracionet e objekteve të punuara në dru, baltë, hekur si fyej, furka, djepa, poçe, lugë, tasa etj. Dihet që këto janë motive astrale dhe janë përdorur gjerësisht në objekte të epokës pagane.

Këto stele kanë një ngjyrë lokale dhe ndërrojnë nga stelet orientale, si nga zgjidhja e formës, po ashtu dhe nga dekori dhe kompozimi i shkrimeve shqip.

Stelet në vorret myslimane janë dy, njëra vihet tek koka dhe është ajo që mban mbishkrimin me datat e lindies dhe vdekjes, dhe stelja tjetër tek këmbët e cila është më e thjeshtë për nga forma dhe nuk ka mbishkrime. Në Tab. 7 kam dhënë dy stelet e një varri në Ndroq-treg.

Stelja kryesore është 28 cm në bazë dhe 63 cm në lartësi me një shkallëzim volumi që mbyllet me një volum paralelpiped.

Tab. 7

Dekori në qendër është një rreth i madh i nënvizuar dhe një spirale e valëzuar. Stelja e dytë e vendosur në këmbët është më e ulët 24×50 cm dhe ka një dekor të gjelbër floreal.

Në Tab. 8 dhe 9 po jap tetë varjante stelesh, gjashtë të sipërme me mbishkrime dhe dekorime dhe dy të poshtme (tek këmbët) me dekorime dhe zbukurime

Tab. 8
Tab. 9

Këto stele janë të një perjudhe të mëvonshme, të prodhuara në vitet gjashtëdhjetë dhe duke i ruajtur disa forma primare e disa dekore elementare, janë thjeshtëzuar duke arritur në disa panele betoni të parafabrikuara, dhe duke u larguar nga materiali tradicional: guri

Në Tab. 10 po jap dy stele prej betoni tek një varr në Ndroq-lagje e re. Stelet kanë dimensionet 28 cm në bazë dhe 120 cm në lartësi.

Tab. 10

Megjithatë është interesant fakti se dekori është prapë se prapë i bazuar në skemat primare të hershme zig-zake, radiale, spirale dhe të kompozuara. Fshatarët e Ndroqit më treguan se gurët e Vorreve i blinin në Krujë ose Tiranë dhe i sillnin ngarkuar mbi kafshë.

Tab. 11

Në Tab. 11 po jap dy Stele të një varri. Sikurse shihet kemi të bëjmë me nje vepër të vërtetë arti për nga trajtimi i formës, vendosja dhe ekzekutimi i dekoracioneve. Dhe këtu janë përdorur po ato skema dekorative. Bien veçanërisht në sy tri rrathë të mëdhenj me rrathë koncentrik që vijnë duke u zmadhuar. Brenda sipërfaqjeve janë ravijëzuar dhëmbëzime trekendore. Rrathët kanë diametra 18-21 cm. kurse lartësia e steleve shkon 63-72 cm me bazë 23-26 cm. Në Tab. 12 kemi dy stele masive me dekoracion fantastik të pasur. Në Tab. 13 po jap të vizatuar gjithashtu formën më të thjeshtë që kam takuar dy stele druri 28 cm me bazë 6 cm. Megjithatë kanë në kërkimin e formës diçka nga forca e gjetja e përkryer që u arrit vetëm në artin modern.

Tab. 12
Tab. 13

Në fund përpilova (Tab. 14. 15) një përmbledhje ku klasifikova tërë elementet dekorative që i takova në dekorin e steleve. Janë 27 raste që vijnë duke u zhvilluar nga më i thjeshti tek më të komplikuarat.

Tab. 14
Tab. 15

Fillojnë me viza të shkurtëra paralele si një theksim, pastaj me vijëza të gjata paralele të barazlarguara, paralele dyshe, zig-zake me theksime anash, zig-zake të futura në mes të dy paraleleve, kompozite piramide-hark, spirale të thjeshta, spirale dyshe, rreth i thjeshtë me qendër, rreth me diagonale, rreth me shenja periferike, rrathë me fushë të dekoruar, spirale dyshe vertikale, spirale zemër e ndarë, trifil spirale zemër, spirale të stilizuara e të kompozuara (gjashtë raste) dhe në fund pesë raste kompozitash me rrathë e spirale. Këto dy tabela na lejojnë të shohim evoluimin e dekorit.

Stelet e varreve janë një nga realizimet më të plota dhe artistike që ka arritur arkitektura myslymane tek ne.

Titulli origjinal: “Studim mbi elemente të arkitekturës funerale myslymane në Shqipërinë e Mesme”

Publikuar në revistën “Monumentet” 1992-1999

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *