Hidhërimi i shembjes së Teatrit është pasuar me entuziazmin e ngjizjes dhe formësimit të një rezistence të energjizuar civile kundra tanimë regjimit të Edi Ramës. Protestat janë më shumë se shpresë për rindërtimin e teatrit – gjë që në vetvete duhet të jetë kauzë e publikut shqiptar – ato përbëjnë ndoshta premtimin se pushteti nuk ka arritur të atrofizojë tërësisht qenësinë tonë qytetare.

Si një faqe me fokus primar në shqetësimet komunitare të bashkësisë muslimane, kemi vërejtur këto ditë se si artikulimi i opozitës qytetare ndaj regjimit të Ramës ka nxjerë nga arkivat e polemikës shqiptare të tranzicionit elementë të njohur ligjërimor të shtratit orientalist. Kësisoj, faqja në FB Aleanca për Teatrin do e cilësonte Ramën si ‘talebani Rama’. Kjo është pasuar me elementin grafik të rradhës, që tregon Ramën me çallmë e kallashnikov teksa është vënë të rrëzojë Kullën e Sahatit në qendër të Tiranës, i shoqëruar prej talebanësh të tjerë mbi të cilët ai qëndron si një lloj Guliveri gjigand.

Ky lloj mjeti diskursiv sigurisht nuk është i ri. Elementi dallues këtu, ai që e cilëson Ramën si një lloj i caktuar shkatërruesi që ngërthen në imazh rrënimin me atavizmin janë çallma dhe mjekra – jo vetëm mjekra e tij – me të cilën jemi mësuar ta shohim këto kohë, por mjekra si element dallues, kolektiv i të gjithë ‘talebanëve’ të përfshirë në imazh. Në fakt ky karakterizim i Ramës si ‘taliban’ është në një farë mënyrë dhe me një lloj ironie politike e vetëndjellur. Siç vëren Ilir Demalia në një shkrim ku e cilëson Ramën ‘taleban’, ka qenë vetë Rama që ka cilësuar të tilla shkatërrime si ‘talibanizëm’:

“Në 2/11/2010 Edi Rama, deklaronte ne cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, “Nuk pranoj dot talebanizmin në raport me objektet, sepse i çfardo forme qoftë dhe në çfarë forme u realizoftë është talebanizëm Taleban ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij që i hynë me dinamit dhe hodhën në erë 2400 kusur Kisha dhe Kapela Romane, që dogjën 300 e kusur mijë vepra arti fetar dhe libra fetar. Pra të bësh atë që bënte Enver Hoxha me trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi ju siguroj se këtë nuk do ta bënte as një vend europian, siç nuk e kanë bërë.”

Vite më parë Ervin Hatibi do e quante këtë mjet diskursiv të polemikës politike shqiptare si “islamizim me dhunë të armikut politik” :

“Me një ndërhyrje cezariane, personit të urryer, ashtu si në magjinë e zezë voodoo i masakrohet mishërimi fotografik. Truku grafik më i përdorur botërisht për më se 60 vjet me rradhë për të përdhunuar imazhin e kundërshtarit është shkarravitja kozmetike e një palë mustaqkave të vogla Hitleri mbi buzën e portretit. Në Shqipëri, për vite me rradhë, rolin e aksesorit ndëshkues, me sukses e ka zëvendësuar një anti-aureolë: çallma e bardhë e hoxhës! Mos na thotë kush tani se nuk i ka parë e stërparë gjatë viteve të fundit foto-fletërrufetë me çallmën montuar apo shartuar drejt e mbi Sali Berishë në shtypin e majtë apo të njëjtën përmbi Fatos Klosin në shtypin e djathtë! (Shënim: Kurse çallma mbi kokën e të ndjerit hafiz Sabri Koçi kudo nëpër foto është autentike. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë dinjitarë të bashkësisë islame, imamë e dervishlerë, hoxhallarë e baballarë, nuk e kanë me të keq këtë punën e çallmave: është thjeshtë një traditë e tyre shumë e vjetër.)” 

Teksa, siç vë në dukje Hatibi, kjo metodë atentati politik është përdorur më së shumti kundra përsonazheve politike me emra që dekonspirojnë origjina muslimane – si Sali Berisha, nuk kanë munguar mjaft raste kur këto janë përdorur edhe kundra politikanëve pa ‘njollë të tillë në biografi’:

“Tentativa për “islamizim të armikut” nuk prek vetëm fatkeqët që kanë lindur nën kubetë e rënda, jeshile e të vjetëruara të emrave dekonspirues muslimanë. Mirë ata që mund t’i akuzosh po të të dojë qejfi për konspiracione reaksionare për integrizëm oriental kundër integrimit oksidental: tentativa për islamizim të dhunshëm po prek edhe banorët e pafajshëm të emërmbiemrave të tjerë. Epshi konvertues në fakt thjesht mëton për ta mbyllur në një “Abu Graib” poshtërues e degjenerues, qoftë edhe vetëm gjuhësisht e përkohësisht, kundërshtarin politik. Kështu në një editorial të një tjetër gazetë të rëndësishme (“Koha Jonë”), mu pas një vizite të përfolur në Dubai (përtej “Perdes së Hekurt Identitare”) Fatos Nanos i këndohet kjo lloj formule çpagëzimi: “Nano kryeministër mund të ketë një ditë dëshirën surrealiste por të sinqertë, të shkojë për pelegrinazh në Mekë…”. Pjesa tjetër e editorialit është minuar me sulme e shpoti të tjera, dhe ndonëse krejt pa takt e pa vend, dëshira për t’i shkuar deri në ekstrem operacionit të tëhuajzimit final, shpie në internimin e imazhit mu në qendrën e Orientit reaksionar, aty “përtej urës së Qabesë” ku shkon e nuk kthehesh veçse Haxhi, si Qamili simbolik… (Martohu sa të duash në kishë ti! Tjetri lutet e mezi pret të të rrëshkasë këmba e të vesh në esfel!).”

Në një shkrim rreth këtij fenomeni diskursiv të polemikës politike, Besnik Sinani është përpjekur të përmbledhë argumentin e Hatibit si më poshtë:

“Mekanizmi i vetëm në veprim këtu është çfarë Ervin Hatibi (Republic of Albanania, 2005) quan “islamizim me dhunë i armikut politik” në Shqipëri. Kërkohet të demonizohet oponenti politik duke e orientalizuar dhe islamizuar atë nëpërmjet asocimit me terma që janë investuar negativisht nga politikat e ditës në teritore dhe kontekste që s’kanë të bëjnë asgjë me dinamikat politike në Shqipëri. Jo vetëm termat që mbartin konotacione  agresive si “xhihad,” por edhe fjalë të pafajshme si “sheik” përdoren si bomba leksikore kundra oponentit politik. Këtu “xhihad” nuk përdoret si metaforë për shëmbëlltyra të fundamentalizmit taleban në realitetin shqiptar, por si formë terrorizmi mediatik, të cilin mund ta përkufizonim si përdorimi i një fjalori të investuar me imazhe dhune për arritjen e qëllimeve politike.”

Gjer këtu nuk ka asgjë të re. Ajo që kemi vërejtur me një lloj habie në rrjetet sociale ka qenë shpërndarja e këtyre imazheve të Ramës si ‘taleban’ nga muslimanë në rrjetet sociale, duke kthyer anëtarët e një komuniteti, feja e të cilëve ka qenë shenjestër e këtyre formave denigruese, në riciklues të negativitetit që i mvishet formave të identifikimit me fenë islame. Këto rreshta të fundit u drejtohen së pari këtyre:

Së pari, Zoti thotë në Kur’an (5:8), “dhe mos lejoni që urrejtja ndaj një populli t’ju pengoj ju nga të qenit të drejtë.” Teksa zemërimi ndaj politikave të rregjimit Rama është më se i ligjshëm, kjo nuk mund të justifikojë muslimanët nga mungesa e drejtësisë në qëndrimet e gjykimet, dhe përpjekjes për të mos lejuar riciklimin e gjuhës së paragjykimeve e urrejtjes qoftë ndaj komunitetit tonë apo të tjerëve. Në kundërpërgjigje ndaj asocimit të Ramës me ‘talebanët’, disa muslimanë ishin përgjigjur duke përmendur origjinat e tij ortodokse. Shkatërrimi i rregjimit neo-liberal të Ramës nuk ka të bëjë as me vlerat e Krishtërimit e as me të Islamit.

Së dyti, si nasihat (këshilla fetare që e kemi detyre dhe borxh ndaj njëri – tjetrit), duam të përkujtojmë që çallma (‘imamah në arabisht), siç transmetohet në Shama’il të Imam Tirmidhi, është traditë profetike – sunet, dhe si i tillë nevojitet të adresohet me referencën që i detyrohemi nderimit për Profetin – paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të – dhe traditës së tij. Në një tjetër hadith të transmetuar nga Imam el-Tabarani, Profeti transmetohet të ketë thënë: “Vendosni çallma se ato janë veshja e engjëjve, dhe lëshojeni bishtin (e çallmës) mbas shpine”.

Sigurisht, lidhja e veshjes me fenë nuk është unike në fenë islame, dhe siç kanë vënë në dukje antropologët e fesë si Lynne Hume, ngjyrat, modeli, dimensioni sensor, materiali, aroma e rrobave janë pjesë të rëndësishme të përjetimit fetar. Heqja, zhveshja e rrobave me simbolikë fetare ka qenë përgjatë historisë pjesë e aktit të konvertimit me dhunë të tjetrit. Siç është e freskët në memorien shqiptare, konvertimit në ‘njeriun të ri’ u krye mbi gërmadhat e tempujve të rrënuar, por edhe mbi pëlhurat e rrobave të shkulura nga trupat e çfetarizuar. Ky konvertim me dhunë në fenë e ‘njeriut të ri’ socialist ishte sa fizik, po aq dhe diskursiv, dhe përpara se simbole të veshjes muslimane të bëhen shenjestër të posterave politikë, ato kanë qenë shenjestër e filmave të Kinostudios Shqipëria e Re.

Muslimanët duhet të vënë në dukje për një publik më të gjerë, ku shumë syresh janë njerëz dinjitozë që nuk do donin t’i kontribuonin riciklimit të paragjykimeve ndaj asnjë feje, se imazhe të tilla janë kolektivisht denigruese, dhe jo të bëhen vetë promovues e shpërndarës të këtyre imazheve.

Profeti ka thënë se lutja është arma e besimtarit, dhe së bashku me ata besimtarë të fesë sonë që përplasën këto ditë me dhunën policore, me bashkëqytetarët tanë rezistenca e të cilëve na ka dhënë të gjithëve arsye për të patur shpresë, ne bashkojmë lutjet tona në këto orë të fundit të Ramazanit për çlirim e emancipim kombëtar nga instalimi tërësor i diktaturës në vend, për mbrojtjen e civilitetit dhe solidaritetit qytetar, duke përfunduar me salavate për Profetin Muhamed dhe me recitimin e Fatihasë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *