Komplikimet e Aba-s





Elton Hatibi

Nga një vështrim i shpejtë në disa fjalorë apo edhe në tekste fetare vërejmë një shumllojshmëri kuptimore për fjalën abà. Fjalori i turqishtes, prej nga ka ardhur në shqip kjo fjalë, e shënon “stof leshi i punuar fort”, ndërkaq kuptim tjetër ka atë të “rrobës prej leshi dhe pa mëngë të dervishëve”. Rreth këtyre dy kuptimeve vijnë edhe ato në shqip, duke u pasuruar me një degëzim kuptimor në mitologji. Për ta përmbyllur me turqishten, në të folurën popullore aba shënon dhe motër ose nënë. Në “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1980, për fjalën Abà shënohet: “Shajak i hollë e i rrahur mirë zakonisht i bardhë a i murrmë”, ndërsa si shembuj përmenden: Tirq (cibune) prej abaje. Punonin abanë. Ka shumë gjasa që përfshirja e abà në fjalor të jetë tërthorazi kontribut i Tahir Dizdarit, i cili nuk arriti ta botojë veprën e tij mbi orientalizmat në gjuhën shqipe sa ishte gjallë. Teksti i tij duhet të jetë konsultuar nga hartuesit e “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”. Themi këshu, sepse disa dhjetëvjeçarë më herët, në “Fjalor i Gjuhës Shqipe” të vitit 1954, me Abé-ja shënohet “hije a fantazëm” dhe mungon kuptimi parësor i cili ka të bëjë me stofin a shajakun. Te Dizdari ab/ë-a shënohet për “stof leshi kabah (grossolano) me të cilin para 35 vjetësh kanë qenë punue poture, shallvarë, sipërveshje, terlike etj”. Më poshtë ai ka grumbulluar një numër të konsiderueshëm trajtash të termit në serbisht, rumanisht, bullgarisht, rusisht dhe polonisht.

Nga përkufizimi i Dizdarit, deri tek ai i fjalorit të 1980 ka disa ndryshime te të cilat ia vlen të ndalemi. Nga stof (ashtu siç e ka dhe turqishtja prej nga është huazuar), abà shndërrohet në shajak, por kësaj rradhe “i hollë e i rrahur mirë”. Ndërkaq, po aty, “shajak” është: “stof i trashë e zakonisht i ashpër…. që përdoret për të bërë veshje të sipërme fshatarët”. Dhe së dyti, abà-s si shajak, i jepet ngjyrë, ai është “zakonisht i bardhë a i murrmë”. Një tjetër dallim gjithashtu është dhe fakti se përdorimi i këtij materiali që te Dizdari ka përfunduar para 35 vjetësh (ai e hartoi fjalorin në vitet 60’ të shekullit të kaluar) ndërsa te fjalori i 1980, duke qenë një shajak i hollë me të cilin punohen tirq ose cibune, abà nënkuptohet që është ende në përdorim.

Punimi i abà-s duhet të ketë qenë një teknikë e veçantë përderisa termi ka një shtrirje të gjerë në kultura të tjera edhe përtej Ballkanit. Megjithëse termi, por parasëgjithash teknika e punimit të materialit, vjen nga Lindja, punimi i abà-s nuk ka qenë ekskluzivitet i zejtarëve myslimanë. Zija Shkodra e fut termin në kontekstin historik kur përmend punimin e abà-s si “pjesërisht ose krejtësisht në dorë të elementit kristian”. Këtu punimi i abës renditet mes disa zejeve të periudhës kur u konsoliduan organizatat e esnafit në Shqipërinë e periudhës osmane, si “argjendaria, gëzoftaria, bojaxhilliku, shitja e pijeve alkoolike” etj, të gjitha këto “pjesërisht ose krejtësisht në dorë të elementit kristian”. Gjithashtu Shkodra e pasuron termin me kompozitën –xhi, ngjashëm si në turqisht, duke shënjuar me abaxhinj punuesit e këtij lloj stofi. Sipas tij, rezulton se, abaxhinjtë, si dhe një sërë esnafesh të tjerë në Moldavi, “ishin të organizuara me rregullore që në fillimin e  shekullit  XVIII”.

Në “Fjaluer kritik të shqipes”, Mustafa Kruja e përkufizon abë-ba si “sipërveshje fetarësh myslimanë e, në Lindje, edhe civilash”. Kruja e orienton termin drejt kuptimit origjinal në arabisht e cila si sipërveshje (ashtu e ka dhe Dizdari) mund të jetë me pranë fjalës mantel[i]. Ndryshe nga burimet e tjera që përmendëm, Krujës abë i vjen “pak e njohur në Shqipni”, e megjithatë “me një kuptim të zgjanuem e të ndryshuem”. Ai nuk ndalet më gjatë për të bërë të kuptuar se ku konsiston ky zgjerim apo ndryshim, por shihet se ai i njeh këto përthyerje të termit. Për abë-n Kruja ka një konsideratë drastike, prandaj dhe kjo indiferencë me karakter ideologjik, pasi sipas tij termi “duhet lànë me dekun gjithsej, se pa kurrfarë dobije për gjuhën t’onë”. Duke u mbështetur  në këtë konkluzion të fundit të Krujës, editorja e fjalorit Ledi Shamku-Shkreli vëren se ai “është kundër krijimit të leksikut të ri më rrënjë turke apo zgjerimit kuptimor të fjalëve të vjetra turke”, ku më parë ka nënvizuar vetëdijen e Krujës për “prirjen europianizuese të gjuhës shqipe”.

Në fjalorin e tij të mitologjisë, Robert Elsie abé e klasifikon si “figurë mitologjike shqiptare”. Megjithatë ai e lidh termin me kuptimin parësor atë të një manteli të leshtë. Sipas tij, abé përfytyrohet si një hije apo fantazëm femër mbuluar me veshjen në fjalë.

Në një artikull mbi besimet popullore tek shqiptarët mësojmë se: Hasani i Qafmollës qe i famshëm me lodra të këtilla: mvishësh natën me të bardha nyjç në fund të kambëvet, zgjatte kësulën, dhe shtrihej shul’ e mb’ udhë. Kur shihte se avitësh njani, ngrihesh më kambë. Tjatri nga frika kthente udhën, ose i binte të hollët. Nji natë nji njeriu i ra së prapsmi me këpucët, dhe e la të vdekun n’ tokë prej fryket.

Në këtë përshkrim bëhet fjalë për “pëlhurën” si figurë mitologjike. Këtu kemi të bëjmë me një shqipërim të termit abé, në frymën nacionaliste të shqipërimeve të fjalëve nga turqishtja, të cilën e përfaqëson qartë “kritika” e Krujës. Abén si figurë mitologjike Çabej e konsideron si eufemizëm, siç ai klasifikon shumicën e figurave të besimeve popullore. Prandaj si kuptim parësor të abé ai jep pëlhurën si material, e cila edhe ajo si term përfshihet në repertorin mitologjik popullor. Ai i barazon si figura mitologjike edhe abé-n dhe pëlhurën në kuptimin e hijes apo fantazmës, pa bërë një dallim të qartë mes tyre. Siç duket, ai i ka përfshirë të dy termat në punimin e tij, për t`ia lënë kohës sqarimin e mëtejshëm të përdorimit popullor apo karakteristikave të tyre.

Kolec Topalli do t’i përfshijë të dy kuptimet e abà-s në veprën e tij “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”. Tek kuptimi dytësor, ai që lidhet me mitologjinë, përveç“hije a fantazëm”, Topalli do të shtojë edhe “hijeshi dhe elegancë”. Duke nënvizuar se abé ka gjetur shtrirje në të dy dialektet, për këtë nuancim ai thotë se e ka Veriu, por pa na dhënë ndonjë shembull. Duke përsëritur përkufizimin e fjalorit të 1980, “Shajak i hollë e i rrahur mirë zakonisht i bardhë a i murrmë”, si dhe duke shtuar fjalën “zhgun”, Topalli vëren se abà tashmë është një fjalë e vjetëruar “meqenëse kanë dalë jashtë përdorimit veshjet që punoheshin me të (poturet, shallvaret)”. Duke përsëritur Dizdarin, Topalli na kujton se kjo fjalë e sjellë prej turqishtes dhe me origjinë arabe është përhapur edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit dhe të Europës Lindore.

Termi ka edhe një ngarkesë teologjike të cilën në shqipen moderne e ka përfshirë Naim Frashëri. Vargjet tek “Qerbelaja” janë të drejtpërdrejta: “Përqinjtë siprë u hodhi/…. Ali- Abà ndaj u thanë”. Siç e ka përkufizuar Tahir Dizdari, abà, duke u paraprirë nga al (në arabisht familje, birni), nënkupton Familjen Profetike (Njerëzit e Mantelit), e cila në mistikën islame zë një vend qëndror si model devocioni dhe burim njohje. Bëhet fjalë për një ngjarje profetike ku Profeti Muhamed përfshiu nën mantelin e tij (abà) vajzën, dhëndrin si dhe dy nipërit e tij. Duke sjellë episodin e mantelit, prej dhe nga buron termi, Frashëri abà-n e barazon me përqi, një fjalë pothuajse e papërdorshme sot. Sigurisht që termi është përzgjedhur për efekt stili, por në vetvete ai ka një anim teologjik të mirëfilltë. Është e mirënjohur në histori kontradikta midis sunitëve dhe shiitëve mbi trashëgiminë post-profetike, ku shiitët mbështesnin Aliun, dhëndrin e profetit. Pikërisht me përqi, më shumë se për të përcaktuar ndonjë lloj veshje[ii], Frashëri kërkon të risjellë edhe një herë përparësinë që familja profetike kishte në ndasinë mes dy rrymave teologjike.

Përqi, huazuar herët nga greqishtja do të thotë “pajë”, dhe ka pasur shtrirje në përdorimin popullor në Veri, ndërsa në Jug të vendit njihet si “prikë”. Të dyja sinonimet kanë të bëjnë me plaçkat dhe takëmet që merr me vete nusja në shtëpinë e burrit. Duke përzgjedhur fjalën përqi, që shpie në Ali-Abà, Frashëri nënkupton se trashëgimia profetike, përmes vajzës së Profetit, i shkon kësaj vije gjenealogjike. Duke pasur këtë parasysh, Ali-Abà si term gjendet rendom në literaturën mistike myslimane deri në përfundim të LIIB.

Në trajtën që përkon me kuptimin origjinal në arabisht, abà, duke nënkuptuar rrugën mistike, është përdorur shumë herët në letërsinë shqipe me alfabet arab. Në një himn dedikuar Profetit Muhamed, gjenden dhe këto vargje: “Do të bënem dervish me abà/ Je i vogël të djeg vapa”. Vargu i parë është shumë i drejtpërdrejtë, ndërsa i dyti ka domethënie metaforike që nënkupton se rruga e mistikut është e vështirë. Sipas Nehat Krasniqit, himni fetar ku gjendet ky varg është më i hershmi që i përket kësaj letërsie, dhe për autor ka Mulla Hysejn Shkodrën. Megjithatë Krasniqi me abà në vend të veshjes, çuditërisht identifikon baba(llarë), mbase duke aluduar se fjalës i mungon në fillim gërma b. Në një poezi të vonë për Abas Aliun, termin e gjejmë të deformuar edhe pse regjistruesi i tekstit këmbëngul për kuptimin që ka abà në kontekstin mistik. “Teberë në dorë bastuni stolisur/ kjo arkaja jote rripa-rripa grisur”. Etnografi Dhosi Liperi arkà e jep për xhybe, por arkà nuk ka ndonjë domethënie leksikore, dhe këtu me siguri kemi ndonjë ngatërresë, sepse mbajtja e abà-s, dhe sidomos kur veshja është e vjetëruar, nënkupton shenjtërinë e bartësit të saj, në këtë rast të Abas Aliut.

Abà ka hyrë herët në gjuhën shqipe si huazim nga turqishtja, prej ku ka hyrë nga arabishtja. Siç e cekëm, termi ka një larmi kuptimore që përfshin materialin e leshtë për përdorim popullor, mantelin e dervishëve apo dhe metaforën për rrugën mistike, termin teologjik që simbolikisht shënon Familjen Profetike, si dhe figurën mitologjike, etj. Për shkak se stofi apo shajaku është zhdukur nga përdorimi prej dekadash, si dhe duke qenë se dervishizmi si qasje spirituale është tkurrur ndjeshëm në rrethet fetare myslimane, abà është një term antikuar, tërësisht i neglizhuar. Megjithatë për shkak të larmisë dhe përthyerjeve kuptimore, abà gëzon interes kulturor, kryesish të natyrës antropologjike apo të historisë së gjuhës, pasi gjendet shpesh në literaturë, për të shënuar kuptimet e lartpërmendura.

Bibliografi:

Çabej, Eqrem, 2011, “Diana dhe Zana: Studime kulturhistorike”, Çabej, Tiranë

Dizdari, Tahir, “Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe“. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë, 2004

Elsie, Robert, “A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture“, Hurst, London, 2001

Frashëri, Naim, 2007, “Qerbelaja. Vepra 3”, Toena, Tiranë

Krasniqi, Nehat, 2003, “Zanafilla e shkrimit shqip alhamiado” në Seminar Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë

Kruja, Mustafa, 2008, “Fjaluer kritik të shqipes”, Çabej, Tiranë

Liperi, Dhosi, 2014, “Mitologjia Skënderiane”, Emar

Shkodra, Zija, 1973, “Esnafet shqiptare , shek. XV-XX“, Instituti i Historisë, Tiranë

Topalli, Kolec, 2017, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, Qendra e Studimeve Albanalogjike, Tiranë

Diturija“, 1927, nr.2

Fjalor i Gjuhës Shqipe”1954, Instituti i Shkencave, Tiranë

“Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”, 1980, Akademia e Shkencave,Tiranë

Türkçe Söslük“, 1998, Türk Dil Kurumu, Ankara


[i] Kështu vjen edhe në anglisht “Al-Maurid: a modern english-arabic dictionary”.

[ii] Te Spiro Dine e hasim si “përlfinjtë, bakëret dhe çekërret”, “Mbledhës të hershëm të folklorit shqipëtar III”, Tiranë,1962.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *