Tashmë është e konfirmuar se Myftinia e Tiranës ka shkarkuar nga detyra imamin e Xhamisë së Kokonozit, H. Sajmir Ismailin. Më herët lajmi u përhap në rrjetet sociale nga individë që njihen kryesisht si kritikë dhe akuzues të imamit. Siç duket, këta individë janë njoftuar më përpara nga strukturat e KMSh, për ta përdorur lajmin si sihariq në rrethin e tyre; një lloj shpërblimi për përpjekjet e tyre të paprincipta disavjeçare kundër imamit të Kokonozit.

“Ezani” kontaktoi me imam Sajmir Ismailin, për të njohur më në detaje këtë lajm në formë thashethemi që qarkullonte në rrjetet sociale. Imam Ismaili, i cili aktualisht ndodhet me pushime, e konfirmoi lajmin e shkarkimit të tij nga institucioni epror, duke shtuar se motivacioni i kësaj lëvizje, në dukje burokratike, është me karakter strukturor. Sipas këtij motivacioni, Ismaili si imam qëndron në dispozicion, për t’u emëruar diku gjetkë sipas nevojave të institucionit.

Pas kësaj ngjarjeje me pasoja për jetën fetare në kryeqytet, është e nevojshme për të shtuar disa rreshta, për të ndihmuar kontekstualizimin e saj. Para katër vitesh, Imam Sajmir Ismaili u akuzua nga ekstremistët në bashkësinë myslimane si “heretik”, për shkak se i përket traditës mistike myslimane që njihet gjerësisht si “sufizëm”. Pas një video që qarkulloi në internet, të një ceremonie fetare të praktikës mistike, ku imami ishte i pranishëm, ekstremistët ndërmorën një fushatë të egër denigrimi ndaj tij. Pjesë e sulmeve verbale ishin edhe thirrjet për linçimin e tij fizik në publik. Asnjë instancë institucionale e KMSh nuk i doli në mbrojtje titullarit të saj. Gjithashtu, asnjë lider komunitar apo imam nuk i doli në mbrojtje Ismailit. Përkundrazi, një shumicë e tyre, idhtar të ashtuquajturës “lëvizje selefiste”, e njohur për agresivitetin ndaj traditës së sufizmit, ishin dirigjuesit dhe mbështetësit e kësaj fushate denigrimi dhe përdhosje. Në rrjedhën e këtyre viteve, armiqësia dhe agresiviteti i këtyre liderëve komunitarë shënoi një pikë përbashkimi identitar ideologjik. Segmente që deri atëherë e kishin injoruar sektarizmin si qasje identitare, u rreshtuan në llogoren antisufite. Imamë dhe hoxhallarë nga një spektër i gjerë i aktivizmit social dhe i përkatësive metodologjike, thënë ndryshe, përfaqësues filial të lëvizjeve fetare myslimane gjetkë në botë, gjetën dakortësinë për të dënuar “herezinë” e Ismailit, si dëshmi konkrete e “devijimit” doktrinor të cepave që ata kanë mbërthyer nga moderniteti i Islamit.

Së fundmi kësaj qasje i janë bashkuar dhe drejtuesit e KMSh. Ose për të qenë më të saktë, KMSh duket se i është bashkuar kësaj “orkestre disharmonike teologjike”. Themi “duket”, sepse nga praktika dhe historiku i institucionit të KMSh, që kur ai udhëhiqet nga idhtarët e “Lëvizjes Gylen”, dëshmohet se institucionit nuk i interesojnë pasojat teologjike të bashkësisë që frekuenton xhamitë. Shembulli më spektakolar që mbështet këtë përfundim është rasti i Xhamisë së Medresesë. Gati një dekatë më parë, me një sulm agresiv që futi në lojë dhe institucionet shtetërore, KMSh ia hoqi nga kontrolli  xhaminë një organizimi komunitar disi antagonist me “Lëvizjen Gylen”. Konflikti ishte dramatik dhe përçau keq myslimanët e kryeqytetit. Në përpjekjet e paprincipta që këto organizime ndërmarrin ndaj njëra-tjetrës, ishte normale shkulja nga duart e një xhamie një grupimi tjetër për ta pasur vetë në kontroll. Por nuk është kështu, sot Xhamia e Medresesë është shembulli më i keq se si menaxhohet fetarisht dhe praktikisht një xhami. Për të mos hyrë në detajet e mirëmbajtjes katastrofike të ambienteve të saj, “teologët” e kësaj xhamie janë ndër më amatorët mes bashkësisë, për të mos përfshirë ndonjë cilësor më agravues, e cila do ta shprehte më qartë realitetin e kësaj xhamie. Meqë jemi tek Xhamia e Medresesë, kur e mori KMSh xhaminë në kontroll, “Lëvizja Gylen” vendosi imam Lauren Lulin, atë që sot është Myftiu i Tiranës. Si imam ai qëndroi pak kohë aty, për t’iu përkushtuar karrierës nëpër labirinthet e KMSh, ndërsa shërbimi ndaj bashkësisë, që shërbeu si katapultë për Lulin, është në duart e “teologëve” që kohën ndërmjet faljeve ditore e kalojnë kryesisht si shitës ambulantë në treg.

Me shkarkimin e Imam Sajmir Ismailit, KMSh tregon se nuk i intereson ajo që ata propagandojnë fuqishëm: Islami Tradicional Shqiptar. Nuk është tema për të komentuar se çfarë nënkuptojmë me Islam Tradicional Shqiptar, por një gjë është e sigurtë, ajo që përfaqësojnë ekstremistët e bashkësisë myslimanë, që sot po fërkojnë barkun dhe po qerasin njëri-tjetrin virtualisht me ëmbëlsira, nuk përfaqësojnë asnjë grimcë nga ajo që mund të përmbledhë Islami Tradicional Shqiptar. Një pjesë e atyre që gajasen si triumfatorë të kësaj lëvizje, i keqpërdorin burimet fetare ngjashëm me interpretimet euforike futbollistike. Praktikisht KMSh i ka shërbyer kësaj pakice ekstremiste të rrezikshme.


Imazh i keqpërdorimit të teksteve kuranore nga ekstremistet me rastin e shkarkimit te Imam Sajmirit

Shumicën e aktiviteteve të tij publike KMSh i ka në kuadër të promovimit të tolerancës mes traditave të ndryshme fetare. Për të ruajtur karakterin e saj, në mbrojtje të kësaj qasje filozofike, KMSh nuk mendoi asnjëherë të “strukturonte” personelin e saj fetar, kur eksponentë të lartë të saj u tallën në mënyrën më vulgare të mundëshme me përfaqësues nga fetë e tjera. Kjo sapo thamë është sa për të ciflosur disi hipokrizinë e zyrtarëve të KMSh, duke u përpjekur të ruhemi sa mundemi nga stërkalat e banalitetit diskursiv që popullon lirshëm hapsirën e internetit, me autorë pikërisht subjektet më të spikatura për “ristrukturime” burimesh njerëzore.

Gjatë kësaj kohe në drejtimin e Xhamisë së Kokonozit, duke iu shmangur plotësisht “spektaklizimit të fesë”, Imam Sajmir Ismaili do të mbahet mend si hoxha që nuk u përfshi asnjëherë në ethet elektorale ku kolegë të tij kanë dërrmuar brrylat për të bërë protagonistin. Gjithashtu do ta gjejmë si imami që ju shmang fotografimit me eksponentë të politikës, sa nëpër iftare publike e sa në sallonet e kokteileve, për ta shitur më pas si kartëvizitë me kredenciale të forta pikërisht në zyrat e KMSh. Askush nuk do të shohë ndonjëherë në youtube video të imamit, siç rëndom ndodh me kolegë të tij që fshikullojnë majtas e djathtas dobësitë e myslimanëve dhe flirtojnë, gjithashtu sa majtas-djathtas, me sekserët e politikës dhe të botës së nëndheshme shqiptare. Sa për pikëpamjet teologjike të hoxhës, ato janë të mirënjohura mes shkollave më të mëdha tradicionale të Islamit, pavarësisht se paraqiten të reduktuara në mediumet e ekstremistëve që përqeshin gjithçka që nuk i përshtatet ngushtësisë së tyre ideore si dhe egove të sëmura që feja që ndjekin supozohet se do t’ua shëronte. I urojmë imamit një të ardhme më të mirë në shërbim të bashkësisë së myslimanëve shqiptarë.

Comments

  • Hoxhë Saimiri, ka bekimet e mia në këtë botë e në tjetrën. Tre persona do marrin edhe nga sevapet e mia në këtë botë, tre persona që janë direkt sebep për rikthimin tim shpirtëror në fenë e bukur, përmes fjalës së ëmbël, shembullit të përshpirtshëm dhe këshillave. Njëri prej tyre është hoxha Saimir. Kudo që të jetë, ai do lerë gjurmë në komunitet.

  • Mos tja kishit nxjerre emrin e ketij fitnexhiut tek foto e fb, se e rritet mendja, dhe I duket vetja si qendra e botes. Ska piken e etikes idioti, ben dhe krahasime me kermij miza etj. Edhe gomeret e tjere qe I bejne qefin duke I bere like e komentuar.

  • Zoti e larteson njeriun e vet do apo sdo komuniteti
    Hoxha njihet per dashurine e tij dhe tolerancen
    Ndersa per “statin” qe shan lart e poshte me emra fallco nuk e kpt si do dalin diten e gjykimit per vnerin qe nxjerrin nga gojet e tyre

  • Bashkësia Islame në Shqipëri nuk e ka komoditetin për të spastruar klerikë me vlera qytetarie të spikatura si hoxha Saimir Ismaili. Allahu na udhëzoft.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *