Adem Ferizaj* 

Rritja e partive të djathta është fenomen global dhe i rrezikshëm për shqiptarët. Ekstremistët e djathtë në vazhdimësi po e sulmojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Figurat publike si Thilo Sarrazin dhe Peter Handke, në hapësirat gjermanofolëse, janë ndër përfaqësuesit më të zëshëm të kësaj rryme ideologjike.

Në vitin 2011, terrorristi i së djathtës ekstreme, Anders Behring Breivik, vrau 77 persona në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, dhe në një kamp rinor në ishullin Utøya. Një vit më vonë, ai deklaroi në gjykatë se akti i tij terrorist ishte i “frymëzuar nga nacionalistët serbë[1] ”. Ai ishte mbi të gjitha i motivuar nga “mendësia e Kryqëzatave serbe[2] ” që doli në pah kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Metafora e Kryqëzatave bazohet në botëkuptimin racist, sipas të cilit serbët e krishterë ortodoksë, si përfaqësues “të vërtetë” të Evropës, humbën Kosovën kundër shqiptarëve muslimanë.

Islamofobia sistematike është një element thelbësor i nacionalizmit serb[3] , këtë e dëshmojnë gjenocidet që forcat e armatosura serbe kryen kundër muslimanëve në Bosnjë & Hercegovinë dhe në Kosovë në vitet e ‘90-ta. Fjalët e Breivik-ut sugjerojnë gjithashtu se gjenocidet antimuslimane të Serbisë janë bërë një lloj modeli për ekstremizmin e djathtë evropian. Në një intervistë të botuar së fundi mbi islamofobinë në shoqëritë shqiptare, studiuesi Besnik Sinani thekson prezencën e islamofobisë në peisazhin paskolonial të partive konservatore në perëndim: “E vërteta është se antimuslimanizmi aktualisht është përcaktor më esencial i së djathtës perëndimore sesa të gjitha vlerat e pretenduara konservatore[4] .”

Nacionalizmi serb si model për ekstremizmin e djathtë evropian

Do të ishte më e vështirë të flitej për racizëm antimusliman në kontekstin serb nëse nuk do të kishte shenja të tij para luftërave të viteve ‘90-ta në Ballkan. Lufta në Kosovë u zhvillua nga viti 1998 deri në 1999, por idetë totalitare-koloniale për pastrimin etnik të shqiptarëve ishin prezente në elitën politike të Serbisë 60 vjet më parë. Në vitin 1937, një anëtar kryesor i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Serbisë, Vaso Čubrilović, në memorandumin e tij “Dëbimi i shqiptarëve[5] ”, sugjeroi zhvendosjen masive të shqiptarëve si fazë të radhës të kolonizimit: “Nëse vazhdojmë me supozimin se zhvendosja graduale e shqiptarëve me anë të kolonizimit gradual është joefektive, atëherë ne do të ngelemi vetëm me një mundësi – atë të zhvendosjes masive. Në lidhje me këtë, ne duhet të kemi parasysh dy vende: Shqipërinë dhe Turqinë[6] .”

Si pasojë e racizmit antimusliman, ekzistenca e popujve autoktonë muslimanë në Evropë konsiderohet si e pamundur në ligjërimet perëndimore. Kështu është normalizuar hipoteza se një popull me shumicë muslimane nuk mund të jetë “evropian” – pavarësisht praktikimit individual të fesë[7] . Jugosllavia duke e parë veten si një shtet modern evropian,i konsideroi muslimanët autoktonë, veçanërisht ata shqiptarë, si të tjerë[8] . Në këtë shtet, dekada para luftës, u përforcua pikëpamja se shumica shqiptare në Kosovë ishte “artificiale”, sepse ishte rrjedhojë e një nataliteti jashtëzakonisht të lartë. Kjo tjetërsi muslimane u portretizua në mediat jugosllave duke paraqitur gruan shqiptare me një stereotip orientalist: “grua[ja] shqiptare si grua fshatare analfabete me veshje tradicionale muslimane, e rrethuar nga një duzinë fëmijë dhe e burgosur nga një mur me tulla[9] .”

Popujt autoktonë muslimanë në Evropë mbeten joekzistentë në ligjërimet evropiane

Ka të paktën dhjetë vjet që kjo pikëpamje riprodhohet edhe në mediat gjermane të respektuara – sidomos në formë të këtij citati: “Turqit po e pushtojnë Gjermaninë ashtu siç kosovarët e kanë pushtuar Kosovën: përmes një nataliteti të lartë[10] .” Këto janë fjalët e ish-politikanit të SPD-së (Partia social-demokrate e Gjermanisë) Thilo Sarrazin, i cili botoi librin “Gjermania shfuqizon veten[11] ” (“Deutschland schafft sich ab”) në vitin 2010. Ky botim ka qenë pikënisja e debatit për përjashtimin e Sarrazin-it nga partia SPD, e cila ndodhi përfundimisht me 31 korrik 2020[12] . Citati i tij u përdor vazhdimisht nga mediat duke dëshmuar kështu përmbajtjen raciste të librit. Në janar të këtij viti për të ka shkruar “Berliner Zeitung[13] ” – edhe këtë herë pa kontekstualizim apo shpjegim të duhur të kësaj analogjie.

Raporti i vitit 2019 për islamofobi në Kosovë[14]  thekson se përveç Sarrazin-it, shkrimtari Peter Handke, i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsi vitin e kaluar, ka qenë një figurë tjetër e njohur që ka tërhequr vëmendjen me deklarata islamofobe kundër Kosovës në ligjërimin gjermanofolës. Për luftën e Kosovës, e cila nga pikëpamja shqiptare ishte një luftë dekolonizimi e krahasueshme me luftën çlirimtare të Algjerisë (1954-1962), ai tha: “Ndonjëherë do të doja të isha një murg ortodoks serb që lufton për Kosovën[15] .”

Autori i raportit nxjerr dy përfundime lidhur me këtë ngjarje. Nga njëra anë, fakti që çmimin letrar më të rëndësishëm në botë e merr një autor i cili përfaqëson hapurazi idenë e së djathtës ekstreme është tregues për “një indiferencë të rrënjosur thellësisht në qarqet euro-atlantike ndaj fatit të vendeve me shumicë muslimane në Evropë si Bosnja & Hercegovina dhe Kosova[16] .” Nga ana tjetër, kjo poashtu “paraqet një rast të përshtatshëm për normalizimin e sulmeve islamofobe kundër të drejtës së ekzistencës së Kosovës nga figura të famshme të së djathtës ekstreme në Evropë[17] .”

Sulmet islamofobe ndaj së drejtës së ekzistencës së Kosovës

Edhe pas botimit të raportit ka shenja që i konfirmojnë këto hipoteza. Në fund të korrikut të këtij viti, Douglas Macgregor (ish-oficer në ushtrinë e SHBA-së) është propozuar ambassador për Gjermaninë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Macgregor njihet për qendrimet e tij islamofobe dhe antishqiptare. Sipas tij, qeveria amerikane luftoi kundër serbëve gjatë luftës në Kosovë dhe kështu ndihmoi për të arritur pavarësinë e Kosovës, e cila  udhëhiqet sot nga “një mafi muslimane e drogës[18] ”. Shembuj të tjerë të sulmeve ndaj të drejtës së Kosovës për të ekzistuar mund të gjenden ndër të tjera në Francë[19] , Austri[20]  dhe Republikën Çeke[21] .

Si pasojë e rritjes së popullaritetit të partive të djathta ekstreme në Evropë po flitet kohëve të fundit më shpesh për teorinë konspirative të “zëvendësimit të madh” (the great replacement theory)[22] . Kjo nënkupton hipotezën se “perëndimi” do të ndryshonte demografinë e vet përmes imigrimit nga vendet kryesisht muslimane dhe në këtë mënyrë do të humbte përgjithmonë identitetin e tij të bardhë krishterë. Kur i mendojmë gjenocidet antimuslimane në Ballkanin e viteve ‘90-ta, emërtimi i kësaj mendësie si “teori konspirative” është një eufemizëm i rrezikshëm për diçka që më pak se 30 vjet më parë rezultoi në vrasjen e dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm.

Artikulli origjinal[23]  është botuar me 23 gusht 2020 në TRT Deutsch në gjuhën gjermane dhe është përkthyer nga vet autori.

Raporti i Islamofobisë për Kosovën e vitit 2019 mund të lexohet këtu[24] .

*Adem Ferizaj është eseist dhe shkruan për tema politike dhe kulturore. Ademin mund ta ndjekni në Twitter: @ademfer[25] .

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *