Shqipëria e madhe sa një xixë





Idlir Azizaj

Dhe plaku i verbër preku me dorë gurin që Asmaenkas mbuloi me cohë, te buza e shpellës, dhe tha: -Ohu, ju paska lënë baba gjithë këto pare!

                                                                                                Ibn-Hisham, Shpella

Në sheshin Nënë Tereza të Prishtinës del çdo ditë një kukull. Me krahët prej përbindëshi para-historik, ajo vendoset enkas përballë shitores së librave Dukagjini, në anën tjetër të lulishtes ndanë shëtitores. Ende pa i ngulur këmbët mirë në tokë, ajo fillon e rrotullohet. Pirueta zgjat gjithë ditën; dhe krahët e saj prej dinosauri Pterodaktil shtyjnë ajrin kosovar në një shtëllungë të dendur. Vetëm refreni i përsëritur mekanik i kukullës në shesh:

-Let me go, let me go,

Deri-sa ta gjej një go-jë …

e bën të pamundur të shihen deri ku prek shtëllunga. Gjë që shitësit e lodrave në shesh e konsiderojnësi Apokalips. Sepse dhe fëmijët, ende të pamësuar me politikë, druhen të kalojnë atij sheshi që shkon drejt qeverisë.

Kështu më shkruante një mikeshë serbe, gjithë duke më paralajmëruar se “duhet të kesh gojën e Gargantuasë për të rrëfyer këtë histori”. Ajo më shkruante lidhur me takimin tonë të dikurshëm në Vjenë. Ku të dy patëm marrë pjesë në: Takimin e madh të paqes mes shteteve fqinje të Europës juglindore ose të ish Ballkanit, që tashmë ka hyrë në lingo-n e shtypit perëndimor si term mishërues i mungesës së ligjit, irracionales dhe tollovisë politike, aq sa dhe shtypi francez pat cilësuar, pas zgjedhjeve të fundit lokale atje, se ‘Notre politique se balkanise!

Ky titull i aq gjatë i konferencës na pat trembur të dyve. Prandaj në letër mikesha serbe nuk rrinte pa përmendur arratinë tonë nga konferenca, endjet nëpër Vjenë, djersitjet e bredhjeve dhe të shtratit, zhulin tonë, papastërtitë dhe plehrat që i morëm me vete e i harruam në xhepa.

Ajo nënvizonte qysh në krye të herës që kjo s’ishte aspak letër dashurie.

“Por, megjithatë, nuk i bie të jetë as letër për urrejtje”, shënonte më tej. Dhe u çudita me këtë dallimin që bënte: midis “letër për urrejtje” dhe “letër urrejtjeje”!

Duke lexuar letrën, edhe më erdhi i qartë çasti si në fillim u ngjeshëm bashkë, lart, “nëpër trup”. Jo nga dashuria, madje as nga seksi. Porse na ngucte mundimi si të zgjidhnim enigmën, me të cilën po merreshim: Sesi personazhi i Scott Fitzgerald-it në novelën “The diamond as big as the Ritz” kishte arritur ta nxirrte pronën e vet jashtë territorit gjeografik të vendit. Të dy ne, ende pis nga bredhjet, në dhomën e hotelit, po logjikonim sesi personazhi kishte arritur këtë vjedhje të pakrahasueshme: pasi zbuloi një mal diamanti, kishte fituar një pasuri të skajshme; dhe “duke hequr qafe gjeometrat” e kishte nxjerrë terrenin (pasurinë) jashtë hartës se vendit. Gjithë duke qenë pronar i një domeni të madh, i një mali me diamant, i një diamanti sa një mal, ai ia kishte dalë ta nxirrte atë nga kartografia e vendit! Thua se nuk ekzistonte hiç në natyrë! Terreni i pronës së tij kishte dalë kështu jashtë territorit të vendit, ishte një copë tokë që del jashtë hartës së vendit.

Nuk na kujtohej, nëse kishte vërtet një procedurë në tregim për këtë vjedhje, për kundraligjësi, që e zhdukte si me magji terrenin konkret nga harta gjeografike. Një pronar i madh jetonte aty në luks të madh. E prapë, ia kish dalë që ta qiste terrenin, pronën e vet, në padukshmëri.

Dhe në këtë sivëllazëri të beftë që na zuri, kur e lamë befas përgjysmë seksin, lëvizëm si për të konturuar një gojë të përbashkët. Por ne e kishim të qartë: “no happy, no end!” s’kish për ne, ashtu zhul si ishim. Dhe të bezdisur përkatësisht nga vendet tona, na gicilonte më shumë ajo enigma, tashmë krejt e jona në fakt, sesi pronari personazh i Fitzgerald-it kishte arritur të tërhiqte nga harta e vendit, nga ligja kartografike, terrenin ku ai jetonte në bollëk të paparë. Sesi ai troll, megjithëse solid e dheror, kishte lëvizur drejt mosekzistencës, jashtë hartës.

Bashkë më zhulin tonë, ngjiteshim edhe më, drejt konturit të asaj goje rabëleske, thua se na duhej për këtë një gojë po e madhe sa një Hotel Swiss Diamond! Ndoshta se tani, nga shtrëngimi i të argumentuarit, nga unisoni i beftë, vinim erë dhe më shumë nga djersitja. U ngjanim kështu atyre bashkëshortëve që detyrohen të hanë respektivisht hudhra për të shmangur bezdinë ndaj njëri-tjetrit në shtrat.

Mes këtij pisllëku, po e lypnim atë gojën e përbashkët, për të artikuluar mënyrën sesi vallë mund të kishte arritur personazhi të vidhte trollin e ta nxirrte jashtë territorit e hartës së vendit. Sesi e kishte absorbuar ngadalë, e jetonte në luks mbi të gjithë, duke e shfarosur nga harta e vendit.

Menduam se, me këtë vjedhje fantastike, personazhi i Fitzgerladit e kishte shpronësuar dhe ecurinë e tregimit, rrëfimin vetë! Vetëm ne, duke akumuluar pisllëkun e njëri-tjetrit, duke dribluar mes tij si kundërshtarë, drejt një goje as më të vogël se ato përkatëse, por as më e madhe nga e ne të dyve. Sikur po ecnim dukej; e majë krevatit të hotelit, ne që e kemi si zakon të bartim kudo në vete vendet tona! Në Vjenë ne ishim si dy persona, vendet e të cilëve kanë dalë krejt nga harta e prapë mbrohen me ligj! Kjo u ndje dhe nga mënyra sesi më vonë e lamë seksin ashtu përgjysmë. Sesi brofëm prej vendeve tona, pa u larë fare, vetëm për t’u marrë kokë e këmbë me enigmën lidhur me këtë “nxjerrje” të trollit real nga harta e vendit.

Kjo ndodhi natën kur u kthyem vonë në hotel, pasi kishim kërkuar stallën e famshme, nga ku Philip Syndeny pat shpallur “Mbrojtjen e Poezisë”. Kërkuam mes duhmës së bajgave dhe troktheve të kuajve në stallat spanjolle në Michaeler Platz. Ndërsa recitonim fundin e vargjeve të Sydneit:

“And I pretend that all is well

But I’ll construct my own hell.”

(E do sillem sikur ka veç jetë

 Por ferrin tim do e ndërtoj vetë¨)

Pikërisht para stallave më ra libri nga dora. U përkula ta merrja. Pa dashje, ajo më shekli keq gishtat, me një palë kambale si ushtarake. Mendjen e kish gjetiu dhe nuk e dalloi që po me shkatërronte gishtat. Nën trysninë e këpucës, që më ngjante përherë si ushtarake, dëgjimi im ndryshonte; një si vesh brenda kokës mori formë. Dhe me këtë lloj shqise i ndieja fjalët e saj që dilnin të tmerruara nga goja. Sepse ashtu duhej të dilnin, pavarësisht se kujt i shkonin. Fjalë që përgojonin organizatorët e tryezave rrumbullake, sa herë që na duan, e na duan si fëmijët e rinj të atdheve tanë respektivë tashmë infantilë, pra na duan si do gjyshja nipin, si mjaltin e tretur, pra të pëgërën e tij.

Në hotel, në shtrat, zhul, ende përfytyronim një pronar çfarëdo (sepse tani ishim futur rëndshëm në enigmën e tregimit të Fitzgerald-it). Përfytyronim, për shembull, një pronar që e ka marrë të gjithë Kosovën (llafi që bie!) dhe prapë mund ta linte në hartë. Pasi e kishte vjedhur të gjithë Kosovën, e linte në hartë sa për formë. Domethënë pa përmbajtje.

Por puna ishte më gjerë, më gjatë po aq. Me trupat si piastra ne shkisnim, drejt një konfigurimi të dy gojëve tona. Por ishte e vështirë. Dukej qartë se kishim përvojën, por jo udhëtimin; se kishim humbur Kohë, po më shumë Hapësirë. Të gjitha këto shkisnin në gojën tonë, e mbase prandaj e braktisëm aq befas seksin. Tek e fundit ne pretendonim, atje jashtë shtetit, jashtë vendeve përkatëse, po pretendonim që mes nesh po shkonte puna mirë. Ne shkisnim pa fre, por si ajo amvisa e munduar, që pirdhte kur përkulej; e me gjilpërën e dyshekut vinte inicialet e djalit mbi brumin e kulaçit, para se ta shtinte në furrë.

Këtë rrëfenjë e kishte sajuar gruaja serbo-kroate e Ago Negos, fqinjit tim në fëmijëri. Gruaja e tij me atë origjinë ishte mjeshtre në gatimin e ëmbëlsirave. Ai e kishte njohur si partizane gjatë luftës dhe e kishte marrë me vete pastaj; dhe në këmbim të saj kishte refuzuar medaljen e heroit. “O serben o medaljen!” i kishin thënë asokohe, pas luftës.  Prandaj ai e kishte kthyer mbrapsht medaljen e luftës. Të gjitha gratë e lagjes, të gjitha bashkëshortet ishin xheloze për triumfin e saj në ëmbëlsira. Por asaj s’i jepej fare për historira apo për rrëfime. Dhe jo se ishte fjalëpakë; por thjesht nuk arrinte të rrëfente, si zakonisht. Ndoshta nga melankolia e të qenit larg familjes së saj që ajo kishte pranuar të mos i shihte më pas martesës në një vend armik. Pra, ajo ishte endur mes dy vendeve tona përkatëse, si mjeshtre e ëmbëlsirave, pa aftësinë për të fituar zemrat e të tjerëve në rrëfim normal, e duke tallur dhe veten për hir të dashurisë, ndoshta.

Në Vjenë, bashkë me mikeshën serbe, dikur filluam të bëheshim nga pak hajdutë, si pronari në tregimin e Fitzgerald-it. Në kuptimin se ne po “vidhnim” nga vendet tona, por duke qenë tmerrësisht të bezdisur nga to, përkatësisht.

Dhe befas mes kësaj hajdutërie të shpejtë, sikur s’kishim më gjë për të thënë. Në fund të rrugëtimit, ose në majë të vendeve tona përkatëse, që na bezdisnin rëndshëm, më shumë se çdo vend tjetër rrotull, më shumë se vetë organizatorët e bashkuar gjatë orëve dhe takimeve në konferencë. E në teh të vendeve tona, na u duk se po rrinim syhapur, me vigjilencë të qetë, ndoshta duke pritur ndonjë fjalë nga muret përballë. Por ne ishim të pabindur; pis, zhul e skeptikë, të paktën jo shumë të paraqitshëm. Kjo bota jonë e vogël, aty pranë nesh, e përbërë fillimisht nga duar, por nga duar zhul në cipën mes gishtërinjve, nga duar udhëtare, ku na djersinte tërë ditën historia përkatëse, e vendeve tona, të kyçura nëpër harta. Sepse vendet tona janë vetëvetja vetëm kur uzurpojnë veten; bëhen vetëvetja vetëm kur zaptojnë e pushtojnë veten.

Ishim shtrimë, larg vendeve tona, me sytë lart e poshtë; lart e poshtër duhet thënë në fakt, nëpër atdheun ftua, nëpër dy atdhenjtë tanë ftonj në fyt. Përkatësisht të dy, ftonj e ullinj (bollëku i të cilave është shenjë e sigurt e rezervave të dimrit), me duart zhul në hapësirë.

“Kur të shkela gishtat pa dashje me kambalet ushtarake, fajin e kish André Malraux”, më thoshte ajo, ende pa më kërkuar falje.

Pastaj më sqaronte sesi befas i ishte kujtuar shprehja enigmatike e këtij të fundit: “Bashkimi i Europës është i pamundur, veç nëse ajo e merr islamin për armik të përbashkët!”

E kështu i qe kurdisur në mend se dhe Shengenet tona ballkanike mund të silleshin veç rreth një armiku të përbashkët: vetëvetja! Që duke u armiqësuar me veten egër s’ka si të mos ketë të njëjtën ndjesi për atë që është po ballkanik. Mes krevatit, si dy fajkoj-vampirë, po aq hegelianë sa dhe transilvanë, ne të dy po grindeshim mes veti, me sqep. E sajë këtij sherri mes ballkanësh të burgosur, kafazi (1) ku na kish mbyllur kjo konferencë europiane e paqes, rrinte e pluskonte në ajër. Hija e tij lëshohej përtokë, e iu kujtonte vendasve të tmerruar nofullën e deformuar tipike të famijes Habsburg, të njohur nga shkenca me termin “progatizma habsburge”.

Në sherr e sipër, me duar të kapërthyera na gjetën organizatorët e konferenës. Gjë që i pëlqente, atyre që na kishin ftuar aty të dyve, me ndërmjetësi. Atëherë e anashkaluan me finesë sherrin tonë. Me atë moskokëçarje të ujdisur tipike të kolonialit tashmë të emancipuar, na lypën disa detaje mbi institucionin oral të kulturave tona ballkanike.

Atëherë mikesha serbe s’e bëri të gjatë dhe e “ktheu botën përmbys”. Sepse e përdori si ia pat ënda asaj lajmet e ditës. Sipas saj, kryeministri kosovar akuzohej për krim të madh: ai kish udhëtuar drejt Amerikës me Kosovën krejt të futur në valixhe; e në vend të saj kishte lënë pas vetëm hartën. –Sa për ide, a po din? Shqiptoi vajza. E në vend të shkonte në Uashington, ku do mundohej ta shiste si votë për zgjedhjet e atjeshme, kishte mbetur i bllokuar në Vjenë. Sepse valixhen e tij plot Kosovë nuk e nxinte dogana. Si e përtypi keq akuzën si hajn, ai s’e kish ngrënë dot akuzën si ‘sherrxhi gjeopolitik‘. Ndaj kishte zbritur në Tiranë, por veç me kushtin që ta shihte atë si Greqi! Ku ka politikë, ka kompromis. Çka e pat detyruar homologun e tij serb të pretendonte gjoja s’e njihte Kosovën hiç! E qysh atëherë Kosova po kultivonte në vete një lloj no man’s landi të çuditshëm. Tokë brenda tokës, dhé brenda dherit, çterritor brenda territorit, toka kosovare (pranë asaj të Shqipërisë, që ishte strukur e gjitha pa qera në grataçelat e pabanuara me ngjyrë hashishi) ishte shndërruar në një pllajë me kthetra. E ndryshe nga telat me gjemba në kufirin e Vojvodinës, ato mbanin nën thonj llokma nga konflikti Izrael-Palestinë, porse duhej që kjo të mbetej sekret, të paktën për një vit …

Nga kjo vërtetësi çjerrëse nuk durova më; dhe ia futa me shpullë. Sa vajzës serbe i dolën “sytë xixa”. Xixa u përhap dhe i verboi organizatorët e konferencës. Atëherë ajo përfitoi dhe u kthye nga unë. Pa iu trembur syri tani, më shpjegoi origjinat e saj shqiptaro-boshnjake. Kur vuri re skepticizmin tim, më citoi enkas vargje në gjuhën muhaxhire, që një kushëri i largët pat sajuar para se të niste studimet e medreses në Jemen. Sakaq e kuptova që bëhej fjalë për të riun Amir Baç Zuriqi, i njohur dhe si La Fonatine i Erzenit. Ai recitonte lirshëm fabulat e hatashme që sajonte aty për aty. Por kurrë s’e pat një fabul me këtë lloj kukulle, si ajo që fanepset çdo mëngjes në no man’s landin e shëtitores Nënë Tereza në Prishtinë. Me një kukull rrotulluese, me piruetën më të shpejtë se ato rrënojat e Borgesit. E sidomos me flatrat e saj prej kafshe pre-historike, në një vend që po i vjedh vetes dhe historinë.

Shënim: Ky rrëfim është shkëputur nga libri “Shekspirotët” i këtij autori (Botimet Toena, Tiranë, 2016). Këtu botohet me ndryshime.

  • Solomon de Bully, protagonist i avantgardës ballkanike në vitet 1910-të, përfytyronte një kafaz të tillë fantazmagorik, që veç grindja e dy shpendëve të egër e mbante lart.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *