Vetëvendosja dhe “Vota Myslimane”





Besnik Sinani

Më datë 9 Janar, portali “tesheshi” botoi një artikull nga Enklid Pelari, i cili në kontekstin e takimit të Ramës me Erdoganin, bënte thirrje që blloku i supozuar i “votës myslimane” duhet të mbështesë Ramën. Ka shumçka që mund të debatohet në këtë artikull. Ndoshta mbi të gjitha supozimi se votuesi mysliman përpara se të merakoset për ekonominë e vendit, korrupsionin, të drejtat dhe liritë e individit do të duhet të motivohet në vendimin e vet për të votuar nga marrëdhënia e Ramës me Erdoganin, dhe nga mbështetja e opozitës për lëvizjen Gylen! Shpjegimet janë të rralla në artikull e autori do e ketë marrë për të mirqënë që votuesi mysliman shqiptar duhet ta konsiderojë si jetësore marrëdhënien e Ramës me Erdoganin!!! E megjithatë, ky artikull po citohet në këtë shkrim për dy arsye të tjera, që shkojnë përtej këtyre konsideratave. E para, artikulli u hoq nga faqja ditën që u postua. E dyta, në fund të artikullit, autori kërkon të përligj mbështetjen elektorale të Ramës duke ngritur paralele pozitive me VV në Kosovë. Ai shkruan:

Vetëvendosje është tipikisht një forcë e majtë, që të tillë e bën dhe elementi anarkik i saj, aty ku principet islame ndahen fort. Por fitorja e parë e VV-së drejt pushtetit, marrja e Prishtinës nga Shpend Ahmeti, u përcaktua nga vota myslimane. Edhe sot, është kjo votë myslimane si leva më e fuqishme që mund të sjellë sërish në pushtet Albin Kurtin. Nga ana tjetër, nga goja e Albin Kurtit, ose përgjithësisht ligjërimi vetëvendosës, kurrë nuk ka buruar islamofobi, një tipar i zakonshëm dhe i pranishëm ky në klasën politike kosovare.

Artikulli i 09 janarit i hequr me pas nga portali “tesheshi”

Redaksia e “tesheshi” nuk ka dhënë ndonjë sqarim për heqjen e shkrimit, por diskutimet për VV dhe “votën myslimane” u kthyen sërish, këtë radhë jo si ilustrim pozitiv i mungesës së islamofobisë tek diskursi i majtë, si tek shkrimi i hequr i Pelarit, por si përpjekje ku kërkohet të argumentohet se pse në zgjedhjet e 14 Shkurtit VV nuk meriton “votën myslimane”. Kjo e fundit bëhet në një interviste me Gëzim Kelmendin,  të cilin portali e prezanton si  

“një ish-deputet luftarak i parlamentit të Kosovës, gjithsesi gjithëherë etik dhe larg incidenteve apo veprimeve anarkike, drejton partinë Fjala, e cila, pa ndonjë kamuflim, ka një frymë fetare në vizion politikëbërës. Kritik ndaj VV-së dhe Albin Kurtit, ai nuk është dakort që bashkëbesimtarë të tij të molepsen pas kësaj figure e forcës së tij politike…E nga ana tjetër, pranon se faktori mysliman është sot përcaktues në zgjedhjet e Kosovës.

Intervista dallohet nga fakti – ndoshta i habitshëm – se i intervistuari nuk sulmon gjithë partitë e tjera për t’i bërë thirrje votuesve që të votojnë për të, por sulmon vetëm një parti – VV. Duke qenë se thelbi i thirrjes së tij është “mos votoni VV”, nuk ke se si mos mendosh se për Kelmendin nuk është njëlloj problematike nëse votuesi fjala vjen voton PDK-në apo LDK-në. Mesazhi është i habitshëm sepse më shumë se thirrje që të votohet partia e tij, thirrja duket e fokusuar që mos votohet VV, e kjo s’ka si mos duket si praktikë e habitshme elektorale.

Teksa Kelmendi rreshton ato që i konsideron si qëndrime islamofobe të Albin Kurtit, ai nuk gjen arsye të akuzojë për islamofobi asnjë politikan apo parti tjetër. Për këdo që ka lexuar raportet për islamofobinë në Kosovë për vite të tëra, nuk ka se si mos habitet që një mysliman sensitiv ndaj islamofobisë, ndër gjithë politikanët e Kosovës, paska evidentuar ekskluzivisht islamofobinë tek Albin Kurti!!!  Artikulli më shumë se një deklarim normal elektoral, që kërkon të tërheqë vota, ngjason më shumë me një atentat të porositur electoral, duke përdorur fenë si municion. Në vazhdën e intervistës nuk ka se si mos dallosh edhe natyrën sugjestive të pyetjeve, ku redaksia që hoqi pak javë më parë shkrimin e Pelarit nga portali, drejton pyetje të cilat thotë se i ka ndeshur në rrjet, e sipas të cilit, që “vota myslimane” të jetë “hallall”, ajo i duhet dhënë Kelmendit. Kjo në të njëjtën interviste, ku vetë intervistuesi pohon se “ka një yshtje të elementit mysliman karshi Kurtit”. Ky karakteri “hallall” i mvishet një partie, që vetë intervista na e bën të qartë se nuk ka të garantuar as hyrjen minimale në parlament. A paska qenë gjer më tani “vota myslimane”, për sa kohë nuk është votuar Kelmendi, “haram”? Parë edhe në kontekstin e sulmeve të kohëve të fundit ndaj komentatorëve e aktivistëve të djathtë në Shqipëri, por jo vetëm, portali në fjalë vazhdon të ngreje profilin e vet gjithnjë e më të dalluar në partizanizmin e vet politik.

“Vota Myslimane”

Elementi më problematik në intervistë, e që do duhej detyrimisht vënë në dukje, është abuzimi me nocionin e “votës myslimane”. Sipas gjithë të dhënave të disponueshme, popullsia e Kosovës është mbi 90% myslimane. Atëherë çdo të thotë në kontekstin kosovar nocioni “votë myslimane”, apo pyetur ndryshe, cila është “vota jo-myslimane”? Cili është përcaktori i “myslimanizmit” të votës? Cili është kriteri politik ekskomunikues dhe kush është autoriteti moral, etik, politik e fetar i cili përcakton se çfarë konsiderohet “votë myslimane” e çfarë jo?

Sociologjikisht, praktika më e njohur për matjen e përqindjeve fetare të popullsisë në vendet ku bëhen matje të tilla është ai i vet-deklarimit. Nëse besojmë se diku më shumë apo diku më pak se 90% e popullsisë së Kosovës është e vetdeklaruar si myslimane, atëherë është tërësisht absurde të përdoren shënues të tillë dallues. Të tillë përcaktorë përdoren në shoqëri etnikisht apo fetarisht të përbëra nga komunitete të ndryshme me interesa politike – të vërteta apo të supozuara- kolektive. Mund të flitet fjala vjen për “votën e hebrenjve hasedikë” në zgjedhjet vendore në New York, apo për “votën serbe” në Kosovë, për “votën myslimane” në Francë, apo për “votën e krishterë” në Liban. Është përherë shënues politikash minoritare në shoqëri multi-etnike dhe multi-fetare.

Nocioni i “votës myslimane” sugjeron një lloj mendësie dhe mekanizmi dallues sipas të cilit vetëm një pjesë e popullsisë së Kosovës konsiderohet realisht – theksojmë – realisht “myslimane”. Cili është kriteri që e bën këtë dallim? Pa adresuar në këtë pikë se sa problematik është ky nocion nga ana teologjike, le të kufizohemi në dimensionin e vet politik. Nëse kriteri dallues për “votën myslimane” që përdorin ata të cilët e përsërisin kaq shpesh këtë togfjalësh është prezenca në xhami, kjo sjell probleme të reja, dhe jo vetëm teologjike. Kjo do sugjeronte se xhamia e kuptuar kështu nuk është institucion vetëm fetar, por shënues i një organizmi dhe identiteti të supozuar politik. Kjo, nëse do të çohej në rrjedhimin e vet logjik, përveç problemit teologjik, do sillte edhe përshtjellime ligjore, sepse do ishte tërësisht në kundërshti me statusin ligjor të xhamive. Të tilla nocione furnizojnë ligjërimet e atyre që duan të trembin dhe shantazhojnë publikun me frikën e “Islamit Politik”. Kushdo e kupton që njerëz që shkojnë në xhami votojnë shpesh ndryshe nga njëri tjetri, apo edhe nuk votojnë fare, sepse vajtja në xhami nuk përkon me sjellje të caktuar politike. Edhe intervistuesi e pranon se një pjesë e  “elementit mysliman” -sido ta ketë përcaktuar ai në mendjen e vet se cili është ky – na paska “yshtje” për nga VV, “yshtje” që ai sugjeron se mund të jetë edhe “harram”, ose së paku jo-“hallall”. Ndërkohë pranon se paska rritje të “pranisë myslimane” në parti të tjera të mëdha, pra jo vetëm tek VV. Pra dukshëm “myslimanët”, siç i kupton intervistuesi, jo vetëm votojnë ndryshe, por edhe aderojnë në parti të ndryshme. Pra frenkuentimi i xhamisë nuk është shënues politik. Por mos harrojmë, se sot për sot të vetmit që dallojnë myslimanët vetëm nga frenkuentimi i xhamive janë ekstremistët fetarë. Shkolla fetare tradicionale e Islamit shqiptar, siç do të shpresonim që intervistuesi ta dinte më mirë se të tjerët, gjykon fetarinë e njerëzve – thënë kjo thjeshtë – me vetdeklarim, në të njëjtën mënyrë që përdorin shumica e shteteve për të përcaktuar pranitë fetare në shoqëri.

Sulmi Ideologjik Ndaj VetëVendosjes

Në diskurse fetare myslimane, në të dyjat anët e kufirit, Albin Kurti dhe VetëVendosje po sulmohen në disa qarqe edhe nga ‘të djathtë’ edhe nga ‘të majtë’. ‘Të majtët’ për të cilët nuk kemi mjaftueshëm thonjza për të shprehur dyshimin tek majtizmi i tyre, e shohin si rrezik të status quo-s politike të rregjimit të Ramës. Dhe mirë bëjnë që e shohin VV si kërcënim, sepse është e tillë. Një model politik si ai që premton Albin Kurti është detyrimisht kërcënues për narko-shtetin e oligarkëve që ka ngritur qeverisja socialiste në Shqipëri. Të djathtët, në anën tjetër, atakojnë ‘marksizmin’ e supozuar të VV. Po të ndjekësh ligjërimet e tyre do të duhet të besosh që politikat e Enver Hoxhës, Mao-s, Biden, Leninit dhe Albin Kurtit janë e njëjta gjë. Të tillët, nëse besojnë ato që thonë, janë politikisht në planete të tjera dhe është e kotë të përfshihesh me këto argumente reduktive. Nëse nuk i besojnë, por gjithsesi i thonë, atëherë thjesht nuk janë të interesuar në gjykime objektive, por në sllogane për qëllime klientelizmi partiak. Por atakimet ndaj VV, në ligjërimin mysliman dhe jo vetëm, majtas apo djathtas, sëbashku përbëjnë një tregues të rëndësishëm në diskutimin për VV.

Në një kontekst politik në të dyja anët e kufirit ku elementi më dallues i jetës politike është korrupsioni, krimi, vjedhja e burimeve kombëtare, mbështetja për oligarkët, e trafikimi – në këtë peizash të mjerë politik pra – Albin Kurti e VV nuk mund të sulmohen për asgjë të tillë. Në sistemin aktual politik shqiptar Albin Kurti bëri blasfeminë më të madhe politike: la pushtetin. Jo vetëm la pushtetin, duke mos pranuar të instrumentalizohet nga skema teatrale e administratës Trump, refuzoi edhe mundësinë që kjo do t’I sillte, mundësinë për të cilën do jargavitej çdo politikan shqiptar, që të pritej e të fotografohej në Shtëpinë e Bardhë. Në një kontekst politik ku politikanëve shqiptarë nuk u numërohen dot të gjithë pronat që kanë brenda vendit, jo më ato jashtë, Kurti jeton në një apartament si shumica e votuesve kosovarë. Si mund ta sulmosh një politikan si Kurti e një forcë si VetëVendosje për korrupsion?

Këtu vjen në ndihmë ‘ideologjia’. Myslimanët që përfshihen në sulme kundra VV bëhen kështu pjesë e një fushate më të gjerë. Disa e sulmojnë si ‘taleban’, të tjerë si ‘marksist’ (e për rrjedhojë anti-mysliman), dikush si filo-islamik, e dikush si islamofob, sikush si Maoist, e dikush si nacionalist. Nuk ka rëndësi që këto atakime janë kontradiktore, ato synojnë të kenë efekt në audienca të ndryshme. E përbashkëta e tyre është synimi që të pompohet sulmi ideologjik, ngase VV nuk mund të sulmohet për ato që sulmohet çdo politikan e çdo forcë politike tjetër madhore. Kjo bëhet edhe më e qartë duke ndjekur ligjërimet politike islame, qoftë të majta apo të djathta. Maksimumi që të tillët mund të thonë për forcat politike që mbështesin, qoftë fjala vjen Ramën apo PD, është se partia e tyre është “e keqja më e vogël”. Edhe ata vetë në këtë mënyrë pranojnë se partitë në të cilat aderojnë janë gjithsesi “të këqija”. “Ne Jemi e Keqja Më e Vogël” (Je suis…. ) dukshëm përbën një tregues moraliteti të pranimit të së keqes, apo edhe pragmatizëm politik, por nuk inspiron askënd. A mund të garosh kundra VV duke thënë “Ne Jemi e Keqja më e Vogël”? Në këto kushte, të tillëve nuk u mbetet veçse të përdorin arsenalin ideologjik. Kjo edhe sepse shohin para syve të tyre jo vetëm “yshtjen myslimane” – sido ta përcaktojnë ata, por mbështetjen e të gjithë votuesve, pa dallim përkatësish të supozuara fetare, në mbështetje të VV, mbështetje që dukshëm ka kaluar kufirin artificial të vitit 1913. Pra, Krejt e Drejt!

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *