Mos u trishto – po deshe!!!*





Mësojmë se Shtëpia botuese NuN në Shkup ka botuar librin e predikuesit të njohur saudit, Aid el-Karni, me titull Mos u Trishto. El-Karni është një figurë kontraversiale. Ai u bë i njohur si predikues i ideve të Sahuas, apo lëvizjes së njohur si “Rizgjimi Islam”, por kohët e fundit ai publikisht kërkoi falje për predikimin e ideve të kësaj lëvizjeje, duke deklaruar se kishte përqafuar programin reformator të Islamit të moderuar të Princit Saudit, Muhamed bin Selman (MBS). MBS ka deklaruar luftë kundra ekstremizmit, me të cilën ai ka dalluar Sahuan, dhe ka deklaruar promovimin e një Islami të moderuar e të hapur për fetë e tjera. Megjithatë, hoxhallarë të Islamit të moderuar të MBS, si Aid el-Karni, nuk e kanë dëshmuar  këtë moderim për të gjithë. El-Karni është njohur kohët e fundit për sulmet sektare ndaj presidentit të Turqisë, Erdoganit, duke e akuzuar Turqinë si vend fetarisht të korruptuar, meqënëse në atë vend, sipas akuzës shekullore të Vehabive, adhurohen varret. Por el-Karni është një figurë kontraversiale edhe brenda në Arabinë Saudite, dhe pikërisht për shkak të librit të botuar së fundmi nga NuN. Një nxënëse e el-Karnit e akuzoi atë se i kishte vjedhur përmbajtjen e librit, gjë të cilën ajo e vërtetoi në gjykatë, dhe gjykata e detyroi el-Karnin të paguante 300 000 Rijal, apo gati 80 000 Euro gjobë. Në Arabinë Saudite, për shkak të plagjaturës, libri u ndalua të vazhdojë të botohet, por Aid el-Karni vazhdon të ngrejë reputacionin mbi suksesin e librit jashtë mbretërisë, ku tani shohim edhe një tjetër botim në shqip. Disa përshtypje për këtë botim:

Së pari duhet të vërejmë se është për të ardhur keq që një Shtëpi Botuese Islame, me botues një nga hoxhallarët më të njohur shqiptarë në Ballkan, hoxhën e nderuar Bekir Halimin, promovon librin e një hajduti intelektual. Aktiviteti fetar, përfshi botimin, duhet të promovojë integritetin, ndershmërinë, fjalën e sinqertë dhe jo hajdutërinë. Është njëkohësisht për të ardhur keq promovimi i figurave që nxisin sektarizmin dhe akuzojnë popullin turk për idhujtari.

Së dyti, vëmë re me një lloj habie ndoshta, ngase në redaktimin e librit është përfshirë edhe përkthyesi i njohur i literaturës islame në shqip, Edin Lohja. Kjo na habit për disa arsye. Edin Lohja ka kontribuar tekste serioze dhe me cilësi të mirë në bibliotekën modeste të literaturës islame në shqip, dhe angazhimi me tekste që mbajnë njolla të tilla të etikës fetare, shkon në kundërshtim me këtë kontribut. Mbi të gjitha, vetë Edin Lohja ka problematizuar disa herë në kontekstin e faqes tonë temën e sektarizmit, dhe përfshirja në promovimin e figurave të njohura të ligjërimit sektar si el-Karni reflektojnë një paradoks në qëndrimet e tij të mëparshme.

Së treti, predikues e hoxhallarë në Shqipëri, që identifikohen me linjën fetare të Shtëpisë Botuese NuN kanë sulmuar faqen tonë, dhe kanë kërkuar që të hiqen shkrimet e tyre, si reagim nga fakti që këtu i kishim dhënë hapsirë botimeve të Edin Lohjes. Grupe që i fluturuan njëri-tjetrit llagapet “Vehabi” e “Shia”, duket të kenë gjetur fushë bashkëpunimi me njëri-tjetrin. Na bëhet qefi, realisht. Vetëm se u apelojmë kontribuesve të këtyre ligjërimeve se do të ishte etike dhe e udhës të na bënit me dije këto qëndrime, që të gëzojmë edhe ne të cilët thjesht në mënyrë të pasukseshme u munduam të krijonim një hapsirë ndërsektare në këtë faqe. Përndryshe, nuk kemi si të mos habitemi kur i marrim vesh këto në informacionin e botimeve në ato faqe librash të cilave zakonisht nuk u kushton vëmendje askush.

Së katërti, Profeti Muhamed – paqja qoftë mbi të – ka thënë se feja është këshillë. Duke parë që predikues fetarë, të vendit e të huaj, po normalizojnë gjithnjë e më tepër e po pretendojnë tituj nëpërmjet vjedhjes intelektuale, po e mbyllim duke përfshirë disa këshilla:

Transmetohet në Sahih e Buhari, se Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë:

“Kush pretendon se posedon atë që nuk e ka është i tëri i mbuluar nga gënjeshtrat”.

Imam Sufjan el-Thauri ka thënë: “T’i atribuosh dijen burimit të vet është shenjë sinqeriteti, ndërsa e kundërta është shenjë e mosmirënjohjes dhe mashtrimit.”

Ndërsa nga Hafiz Ibn Abdul Barr mësojmë :”Është thënë se: t’i atribuosh dijen burimit të vet sjell bereqet në dije”.

Imam Neveviu, në komentin e hadithit “Feja është këshillë” thotë: “Prej këshillës së sinqertë është atribuimi i një pike të rëndësishme burimit të vet. Kush e bën këtë do të përfitojë bereqet në dije dhe në të gjitha aspektet. Ata që japin impresionin sikur puna e të tjerëve është e tyrja nuk do të kenë bereqet në të dhe dija e tyre nuk do t’u sjell përfitim të tjerëve. Ka qenë praktika e njerëzve të dijes t’i atribuojnë dijen burimit të tyre. I lutemi Zotit të na bëjë të mundur që përherë të veprojmë në këtë mënyrë”.

(këto citime gjenden në librin e shehut të nderuar Muhamed Auameh, Dirasat el-Kashif).

Imam Sujuti thotë: “… bereqeti i dijes gjindet në atribuimin në burimin e vet. Kjo është prej cilësisë së të qenit njeri i besueshëm, dhe jo e kundërta. Është një prej mënyrave më të mira për të siguruar përfitim.” (nga libri Kimet el-Zeman, të sheh Abdel Fetah).

*Rreth këtij shkrimi, për një pasaktësi në informacion, kemi sjelle një sqarim, i cili mund të lexohet këtu.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *