Sqarim rreth ‘Mos u Trishto!’





Që nga postimi i shkrimit ‘Mos u trishto – po deshe!’, na është vënë në dukje një pasaktësi në shkrim, dhe disa sqarime shtesë. Po fillojmë me këtë të fundit. Redaktori i librit që kemi problematizuar, Edin Lohja, sqaroi se në kohën ku ka redaktuar këtë libër, në 2004, nuk e ka njohur kush është Aid el-Karni, se cilat ishin pozicionet e tij, dhe se libri do të botohej nga NuN. Pra në kushte të tjera ai nuk do të përfshihej në promovimin e një autori si el-Karni, e nuk do të kish bashkëpunuar me NuN.

Njëkohësisht, na është thënë nga burime të tjera se NuN normalisht nuk do të kish bashkëpunuar me Edin Lohjen. Pra nga të gjitha palët ndasitë sektare janë konfirmuar, kështu që mund të qetësohemi se nuk po kapërcehet gjë. Ka ndodhur aksidentalisht.

Ajo që kundërshtojmë me këtë rast është insinuata se kemi keqinformuar lexuesin. Komenti jonë u mbështet në faqen e librit ku gjenden zakonisht informacionet rreth botuesit, përkthyesit, e redaktorit. Ky informacion nuk u shpik, por u soll edhe në fotografi.

Pasaktësia jonë ka të bëjë me faktin se gjobitja për Aid el-Karnin nuk ka të bëjë me këtë libër, por me një libër tjetër të po këtij autori. Kjo është e vërtetë dhe i jemi mirënjohës hoxhës Justinian Topulli që na e solli në vëmendje. Ky gabim ishte rrjedhim i faktit se linku ku ishim bazuar kishte informacion të pasaktë.

Kjo, nuk ndryshon faktin se el-Karni është figurë pa integritet, se është promovues i sektarizmit, gjë që mund të shihet edhe në videon e linkut që kemi sjellë në shkrim kundra myslimanëve të Turqisë. Shtëpia Botuese NuN nuk e ka botuar këtë libër në 2004, kur libri u përkthye fillimisht, por në 2018, kur ndërkaq është e qartë se el-Karni është një figurë pa integritet. Atëherë pse promovohen këta njerëz mes lexuesve shqiptarë?

Megjithatë, shumë nga ata që na kanë kontaktuar duke u ankuar për këto detaje të këtij shkrimi, po evitojnë problemin qëndror, atë të normalizimit të plagjarizmit, jo vetëm në rastin e autorëve që përkthehen si el-Karni, por edhe në normazlimin, pranimin, dhe mbrojtjen e figurave publike komunitare për të cilët është bërë ndërkaq e qartë përtej dyshimit se kanë vjedhur punën e të tjerëve dhe kanë paraqitur si të tyren. Vazhdojmë të presim nga personat në fjalë të reflektojnë në ndërgjegjen dhe fenë e tyre, të kenë ndroje Zotin, dhe të adresojnë vetë këtë vjedhje. Në të kundërt vazhdon të mbetet përgjegjsia morale e figurave fetare që janë njoftuar që të reagojnë e të udhëzojnë në të mirë e të ndalojnë nga e keqja, gjë që gjer më sot nuk e kanë bërë. Botimi nga NuN i el-Karnit, në një kohë që ai njihet globalisht për palagjaturën e tij, ndikon pikërisht në normalizimin dhe pranimin e këtyre veprimeve.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *