Posto nje Artikull







Barbare

Ardian Ndreca

Edhe debati i sotëm rreth historisë, diku i natyrshëm e diku i shtymë prej politikës, ushqehet prej faktit se kemi pak dokumente historike e shumë interpretime subjektive. Kemi pak dëshmi kuptimplote për faza të randësishme të historisë sonë, pak dorëshkrime, pak libra, pak mbishkrime, pak mbetje arkeologjike, pak afreske, pak ikona, pak piktura, pak monumente, pak dëshmi epigrafike, pak (o aspak) dëshmi të lashta muzikore, kemi nji kronologji historike relativisht të vorfën, kemi pak regjistrime zanore e filmike, pak mbetje arkitekturore kuptimplote, pak sfragistikë (vula), pak numizmatikë… Por ne kemi edhe pak ose aspak vorreza monumentale. Ato që kemi anekand janë tepër të reja, tepër të shëmtueme e anonime e s’dëshmojnë asgja.

E ka nji arsye pse kemi kaq pak të dhana për të kaluemen tonë, në krahasim me popujt e qytetnuem.

Ne kemi mbrenda vetes nji gen shkatrrimtar që çon natën do cuba katila me shkatrrue, jo me vjedhë, afreske të Onufrit, nji gen shkatrrimtar që shtyn nji palo ministër të Republikës me u “shfajësue” si të ishte vëlla qumështit me përfaqsuesit e talebanëve që në vitin 2001, kur bota u kërkoi llogari për shkatrrimin e dy statujave të Budës në Bamijan, çuen supet tue diftue se për ta ishte e huej çdo gja e bukur dhe e vlertë që ka krijue njerzimi.

* * *

Udhëtari e antikuari i famshëm mesjetar Ciriaco d’Ancona (1391-1452) në shtegtimin e tij përmes Arbnisë shenjonte asokohe nji mori gjanash që nuk ekzistojnë ma. Prej Apollonisë sot ka mbetë ajo çka nuk mbrritën me shkatrrue osmanët e çka s’dogjën me ba gëlqere për me ndërtue sarajet e tyne të pakuptimta Vrionasit.

Ndaj monumenteve mesjetare, sidomos atyne kishtare, regjimi komunist u tregue i pashpírt; në maj të vitit 1969 u hodh në erë me dinamit nji prej kishave ma të randësishme mesjetare, ajo e Shën Mërisë në Va Dejës, ku simbas traditës mendohet se asht martue Gjergj Kastrioti. Komunizmi desht me ndërtue nji histori tue nisë prej vetvetes e i mbushi muzeumet me plugje, samarë, opinga, me pushkë e hekuraça të marruna ndër kovaçë e teneqexhi që ndërkohë ishin ba ministra shtetit.

Nji fat jo ma të mirë se kisha e Shën Mërisë në Va Dejës ka sot edhe abacia e Shirgjit, së cilës regjimi komunist para do dekadash i solli rrjedhën e Bunës, gjoja me nxjerrë do toka buket në krahun e djathtë të lumit, ndërkaq politika e sotme i ka shti veshët në lesh tue e lanë me u shkatrrue krejtsisht prej përmbytjeve dhe erozionit at’ monument të Mesjetës sonë.

Para do vitesh tue vizitue kishat e hijshme ortodokse të Voskopojës sodisja me trishtim dhunën barbare që i asht ba atyne afreske, sytë e nxjerrun të shenjtënve, emnat dhe datat e gërdhishtuna mbi cipëzën skofiare ku dora e piktori asht bashkue me atë të Hyjnisë. Për do shqiptarë mënyra e vetme për me hy në histori asht me u ngjitë si morra mbas do veprash të mëdhaja, tue i shëmtue ato për me lanë mbrapa dëshmi të qenjës së tyne të mjerë prej frymorësh pa arsye e pa ndjenja njerzore.

Janë me qindra rastet që tregojnë sesi trashigimia jonë kulturore, prej jugut në veri, asht shkatrrue sistematikisht në këto dy dekada anarkije politike e shpirtnore.

* * *

Simbas legjendës në prill të vitit 1467 shembelltyra e Zojës së Shkodrës iku prej kishës së saj në breg të Bunës, në hymje të qytetit, dhe mrekullisht shkoi në qytezën e Gjenacanit, afër Rome, ku nderohet edhe sot. Prania e dy familjeve shkodraneve për disa shekuj në at’ vend, siç dëshmojnë regjistrat e kadastrës, spjegon mënyrën e “ikjes” së Zojës së Shkodrës prej vendit të vet.

Mbas gadi nji viti do të vdiste Kryetrimi i Krujës e kobi osman do të pllakoste gjithkah, prandaj mënyra e vetme me shpëtue për atë shembelltyrë të Marisë ishte me ikë. Ashtu bane edhe shembëlltyrat e gjalla, arbnorët, të cilët lanë trojet e tyne në dekadat në vijim. Madje ata morën me vete kumbonat, ikonat dhe statujat e shenjtënve para të cilave ishin lutë gjyshat e tyne shekuj me rradhë.

Arbnisë po i afrohej nji zymtí barbare që do ta izolonte, e edhe sot po ajo frymë përpiqet me na izolue, prej qytetnimit europian. Në qoftë se duem me pa sadopak si kemi qenë e çka do të kishim qenë sot, na duhet me shkue e me u mahnitë me arbëreshët e Italisë.

* * *

Ministri kakareç i padijes deklaroi se s’e jep dorëheqjen, pse s’ka çka me i ba monumenteve të kulturës, mbasi ai s’mund t’i ruejnë me pushkë për faqe. Edhe nji gaç me pasë qenë ulë në kolltukun e ministrit nuk do të kishte dijtë me folë ma bukur!

Ai dhe qeveria e tij nuk mbërrijnë me ua sigurue shqiptarëve jetën dhe pasuninë, nderin e prestigjin nëpër botë, prandaj nuk pretendojmë prej tij që t’i shpëtojë ato kryevepra artit që edhe mizoria e anmiqve tanë ka kursye ndër shekuj. Tue mos i shpëtue ato vepra artit ai nuk ban tjetër veçse çon deri në fund atë që barbarët nuk mbërritën me ba ndër shekuj.

http://www.mapo. al/2013/01/ 19/barbare/

“Agimi i Artë”: “Janullatos është internacionalist”

“Agimi i Artë”: “Janullatos është internacionalist”

Neonazistët grekë kërcënojnë Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos

Publikuar më 06.11.2012 | 9:29

Plarent Shehu

- “Agimi i Artë” nëpërmjet deputetit, Kristos Papas, sulmoi dje nëpërmjet një deklarate bërë për medien greke, Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos, si dhe gjithë deputetët e politikanët e minoritetit grek në Shqipëri. Sipas deputetit neonazist, Kristos Papas: “Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos, është një internacionalist ortodoks dhe jo më shumë”. Deputeti i “Agimit të Artë” sulmoi gjithë eksponentët e politikës minoritare greke në Shqipëri duke i quajtur “sahanlëpirës” dhe “interesaxhinj” që shikojnë të mbushin xhepin e tyre duke iu servilosur dy partive të mëdha në Greqi, “Demokracisë së Re” dhe “PASOK”-ut. Deputeti Papas, doli në një prononcim për shtyp, menjëherë pas botimit të intervistës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, për gazetën “Shekulli”, duke u shprehur: “shqiptarët gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh. Një dynja me ‘vorioepiriotë’ në Shqipëri, kur vijnë në Greqi janë duke u lëpirë dy partive, vetëm e vetëm që të përfitojnë ndonjë dhuratë apo bakshish. Ndërsa kur kthehen në Shqipëri lëpijnë dhe u servilosen dy partive të mëdha atje, madje edhe Internacionalistit ortodoks Kryepeshkopit Anastas Janullatos”. Sa i përket debatit që deputeti neonazist Papas, zhvilloi në Bularat me ministrin, Spiro Ksera, ai u përgjigj se, “ata që nuk kanë qenë prezent kur unë kam debatuar me Kserën të mos flasin. Janë ish ‘hoxhista’ të cilët tani janë bërë demokratë, ish-luftëtarë të kauzës së ‘Vorioepirit’ tani të kapur dhe kamur”.

Deputeti neonazist i “Agimit të Artë”, i cili para disa ditësh ishte prezent në fshatin Bularat të Gjirokastrës, sulmoi deputetin dhe ministrin Spiro Ksera, duke i thënë: “çfarë ke bërë për marrëveshjen e kufijve detar, po për ‘Vorioepirin’ çfarë ke bërë?”. I menjëhershëm ishte reagimi i Kserës duke e sulmuar deputetin neonazist: “mëso në fillim se kush jam unë dhe çfarë lufte bëj dhe kam bërë, e pastaj hajde dhe më fol e më thuaj ato që po më thua. Kështu!? Ti vjen për herë të parë këtu kurse unë kam vite e vite që luftoj në këtë tokë për këto çështje”.

Read article: “Agimi i Artë”: “Janullatos është internacionalist”

Ambasadori gjerman martohet në xhaminë e Tiranës

Kryetarja e Kuvendit, besimtarja katolike nga Shkodra, Jozefina Topalli vë shami dhe shkon në xhaminë kryesore të Tiranës për të marrë pjesë në ceremoni martesore të një katoliku gjerman me një vajzë myslimane nga Libia, duke dhënë kështu një shembull të tolerancës dhe harmonisë fetare në Shqipëri.

Protagonist i dasmës është Andreas Nothelle, një katolik, i cili është ambasadori i Asamblesë Parlamentare të OSBE në Vjenë, transmeton.

Nothelle është dashuruar me një vajzë myslimane nga Libia, Salem. Edhe ajo ishte pjesë e delegacionit të OSBE-së që qëndroi këto ditë në Tiranë për sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare që për herë të parë u zhvillua në Shqipëri.

Nothelle dhe Salem, kanë lidhur martesën në Shqipëri pesë vjet pasi qëndronin të lidhur bashkë.

Dhe ceremonia ka qenë myslimane, sipas rregullave islame. Ajo është kryer tek xhamia Et’hem Bej në Tiranë, pasditen e së shtunës. Në xhaminë kryesore të Tiranës merrte pjesë edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, por edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Mësohet se vendimin për ta bërë pikërisht në Shqipëri, ceremoninë myslimane të martesës, çifti Andreas dhe Salem e ka marrë që në Vjenë, transmeton NOA.

Ata mesa duket kanë përfituar nga rasti që ishin pjesë e delegacionit që merrte pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të OSBE që zhvillohej në Tiranë dhe, një rrugë e dy punë, të shtunën pasdite pas mbylljes së sesionit, kanë bërë martesën.

Dhe vendimi për ta bërë këtë martesë në Tiranë ka qenë pasi ata kanë qenë të impresionuar nga harmonia fetare në Shqipëri. /Telegrafi/

Read article: Ambasadori gjerman martohet në xhaminë e Tiranës

Dhuna nuk ekziston në traditën e Profetit

M.FETHULLAH GYLEN

Myslimanët çdo ditë luten me fjalët “O Zot, mbana ne në rrugë të drejtë!” Një lutje, e cila na ndihmon t’u qëndrojmë sa më larg teprimeve, duke jetuar kështu një jetë të ekuilibruar. Nuk duhet të biem kurrsesi pre e instinkteve tona të çastit për të reaguar ashpër, as duhet të qëndrojmë kryekreje të heshtur përballë vazhdës së shpifjeve mbi vlerat dhe besimin tonë. Ky ekuilibër është çoroditur paksa për shkak të reagimeve të dhunshme që janë shfaqur karshi fyerjeve të drejtuara kah figura e të dashurit tonë, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi Të). Ky reagim i ashpër ishte një përgjigje e gabuar, e cila rrëshqiti që në fillim prej rrugës së drejtë. Myslimanët nuk mund të qëndrojnë mospërfillës ndaj sulmeve të drejtuara mbi Profetin (pqmt). Përkundrazi, ata duhet të shfaqin ndjeshmërinë dhe përkujdesjen më të madhe, pasi ata që fyejnë, ndoshta kanë si qëllim të skicojnë një imazh të gabuar për besimtarët myslimanë, për të shfajësuar sakaq diskriminimin, izolimin dhe persekutimin e ushtruar prej vetë atyre. Nxitja e paramenduar për të krijuar trazira brenda botës islame nuk është e re për veshin tonë. Shpeshherë ka ndodhur që vlerat tona të sulmohen nëpërmjet filmash vizatimorë. Sot po ndodh, përmes një filmi, ose me anë të karikaturave në një revistë franceze; ndoshta nesër kushedi se ç’forma do të përdoren. Prandaj, myslimanët nuk duhet të ndillen apo të mashtrohen assesi, por duhet të flasin hapur për parandalimin e veprimeve të atyre që janë më lehtësisht të provokueshëm për të përfunduar në ushtrimin e dhunës.
Kurdo që ndaj Profetit mund të lëshohet një koment i pakënaqshëm, sado i lehtë qoftë ai, një mysliman duhet të ndiejë një hidhërim të thellë. Patjetër, shprehja e saj është një çështje më vete. Sepse veprimet e papërgjegjshme të disa individëve e dëmtojnë imazhin e Islamit, duke shkatërruar traditën që myslimanët janë përpjekur ta mbrojnë.
Askush nuk mund të veprojë pa maturi, kur në shënjestër janë marrë të drejtat e çdo myslimani, të Zotit, të Kuranit dhe të Profetit. Madje çdokush duhet të shqyrtojë me kujdes edhe pasojën më të vogël të çdo veprimi të tij, duke kërkuar fillimisht urtësinë e gjykimit kolektiv. Pyetja që ne si myslimanë duhet t’i bëjmë vetes është në ia kemi shpjeguar botës si duhet, Islamin dhe Profetin Muhamed? A e kemi ndjekur ne shembullin e Tij asisoj që të meritojë admirimin e gjithkujt? Kjo është detyra jonë, e jo me fjalë, por me mënyrën tonë të jetesës.
Nëse njerëzve u vijnë të parat në mendje bombat vetëvrasëse, atëherë si mund të kenë një mendim të mirë për Islamin? E si mund të jetë e ndryshme vrasja padrejtësisht e disa civilëve të pafajshëm, nga vrazhdësia që ka përndjekur vazhdimisht myslimanët? E si mund të jetë e arsyeshme të sulmosh Konsullatën Amerikane në Libi, të vrasësh një ambasador dhe oficerë të pafajshëm të konsullatës, që s’kanë të bëjnë fare me filmin e publikuar? Nëse janë pikërisht myslimanë ata që i ndërmarrin këto sulme, kjo do të thotë se nuk janë fare në dijeni se ç’është Islami në vetvete, por veçse, të fshehur pas Islamit, kanë kryer një krim, më të rëndin. Një mysliman duhet të jetë gjithnjë i drejtë dhe i qëndrueshëm në fjalët dhe veprimet e tij. Ai duhet të respektojë të gjitha vlerat e shenjta të të krishterëve, hebrenjve, budistëve dhe të tjerëve, njëlloj siç dëshiron që të tjerët të tregojnë respekt karshi fesë dhe vlerave të tij. Teksa reagon, ai nuk duhet të ndahet kurrsesi prej rrugës së mesme, që është më e mira. Shumë mënyra përgjigjeje mund të gjenden duke u mbështetur te vetëdija kolektive e shoqërisë apo edhe e komuniteteve ndërkombëtare.
Ligjërimi i urrejtjes për të nxitur dhunën është një keqpërdorim i lirisë së fjalës. Ajo dhunon të drejtat, dinjitetin dhe liritë e të tjerëve, duke e çuar kështu njerëzimin drejt konfliktit në një epokë të armatimeve të tmerrshme. Andaj, në vend që të biem pre e nxitjeve të të tjerëve, duhet të bëjmë apel nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjes, si për shembull Organizata e Bashkëpunimit Islam ose Kombet e Bashkuara, që të marrin përsipër identifikimin dhe dënimin e këtyre instancave të ligjërimit urrejtës. Ne mund të ndërmarrim çdo hap që është i parashikuar në ligje dhe të drejta për të parandaluar çdo lloj mosrespektimi të figurave fetare, jo vetëm të Profetit Muhamed. Sulmet e përsëritura mbi Profetin, që tashmë janë kthyer në një përvojë të hidhur, janë për t’u ndëshkuar. Por dhuna nuk është ndëshkimi i duhur. Duke marrë shkas, ne mund të nisim një fushatë për të promovuar vlerat e shenjta të të gjitha besimeve.
*Autori është teolog mysliman, njëherazi kryetar i Fondacionit të Gazetarëve dhe Shkrimtarëve me qendër në Stamboll.

Read article: Dhuna nuk ekziston në traditën e Profetit

Harmonia fetare, shembulli botëror i Shqipërisë

http://www.panorama.com.al/2012/10/05/harmonia-fetare-shembulli-boteror-i-shqiperise/

 

1
Opinione Premte, Tetor 5th, 2012

NDRIÇIM KULLA

Çdo traditë fetare, nga krishterimi, islami tek hinduizmi në budizëm, e kanë trajtuar temën e paqes, pasi ajo është e lidhur ngushtë me çështjen e çlirimit nga e keqja dhe me arritjen tek e mira, si qendër e çdo religjioni. Jemi mësuar ta lidhim konceptin e paqes me përvojën e besimit tek Hyji, kështu siç na e përcjellin shkrimet e shenjta dhe kështu siç ne e mendojmë në traditën tonë europiane. Themelimi i paqes në marrëdhënien e njeriut me të vërtetën është i rëndësishëm edhe nga pikëpamja e problemit të marrëdhënieve ndër-religjioze. Problemi i bashkëjetesës së dallimeve fetare është një sfidë më shumë se kurrë e pranishme në botën tonë bashkëkohore, por u ka përkitur edhe periudhave të tjera historike. Argumentet e marra këtu për themelimin e tolerancës janë dy: nga njëra anë, motivi etik dhe, nga ana tjetër, motivi relativist. Motivi etik pranon se sjellja e një të krishteri të
vërtetë nuk mund të jetë dhuna dhe sundimi, përkundrazi, “dashuria, mëshira dhe dashamirësia universale drejt llojit njerëzor. Ndërsa lidhur me motivin relativist, sot në fakt besohet se me qëllimin për të shmangur konflikte me sfond fetar është e nevojshme një tërheqje nga pretendimet e së vërtetës prej çdo feje, në mënyrë që të arrihet një respekt dhe një tolerancë e ndërsjellë. Ajo që pohohet teorikisht është i njëjti mosbesim i Xhon Lokut në përcaktimin se cili është religjioni i vërtetë dhe për më tepër ftesën që ai bën ndaj besimeve për t’u vendosur si motra dhe si ecje njëllojshmërisht, njëra përballë tjetrës. Por, dhuna nuk e ka burimin në thjesht vetëm në një pretendim për vërtetësi, por për më tepër, në sundimin e epshit dhe në instinktet shtazore, të kundërta, sipas të njëjtave fjalë të perandorit të ditur Manuelit II me veprimin sipas logos-it, pra në kundërshtim
me vetë Hyjin. E vërteta duhet dëshmuar dhe sigurisht, nuk mund të imponohet me forcë dhe shtypje. Eliminimi i dhunës dhe i tundimit për të abuzuar mbi dallimet fetare mund të arrihet vetëm në qoftë se nga asnjë religjion nuk pretendohet se e vërteta i takon atij. Kjo duket se është ndjenja e përbashkët e marrëdhënieve ndërfetare dhe zgjidhja për të eliminuar dhunën midis anëtarëve të feve të ndryshme. Shqipëria, pa dyshim, gjithnjë e më shumë po afirmohet në lidhje me këtë çështje shumë të ndjeshme në kohërat moderne si një shembull i bashkëjetesës paqësore ndërmjet religjioneve. Kjo për shkak se jemi të sigurt që nga ky vend i vogël dhe pak i njohur i Europës Lindore, me një popullsi prej rreth tre milionë banorësh në Shqipëri (por afërsisht dhe 4 milionë jashtë kufijve të shtetit shqiptar), mbivendoset një dëshmi e madhe paqeje dhe respekti ndërmjet religjioneve dhe besimeve të
ndryshme fetare. Në kohët e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është ndoshta një nga sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në sajë edhe të procesit të globalizimit, i cili ka afruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare. Metropolet e Europës dhe më gjerë, si Londra, Milano, Parisi e Berlini, janë bërë tashmë vende ku përsosmërisht dallimet bien në kontakt, përballen dhe jetojnë së bashku. Ndërsa kur flasim për Shqipërinë, është e pamohueshme se hyjmë në analizën e një situate të veçantë historike ku takojmë një harmoni religjioze dhe ndërfetare. Kur flasim për Shqipërinë, bëjmë takimin harmonik dhe (unikal) që zhvillohet aty ndërmjet Katolicizmit, Ortodoksisë dhe Islamit. Nuk mund të dihet me siguri përqindja e anëtarësisë së popullit shqiptar te besimet e ndryshme, por mund të themi se Islami mban një shumicë të caktuar të besimtarëve për shkak të
pushtimit osman, nën të cilin Shqipëria jetoi për afro pesë shekuj. Në analizimin e kësaj trashëgimie të madhe me vlera universale të Shqipërisë, s’ka se si të mos i referohesh Atit të madh jezuit Xhuzepe Valentinit, i cili ia dedikoi jetën e tij për studimin e kulturës shqiptare disiplinës së albanologjisë . Në një artikull të titulluar “Shqipëria dhe ekumenizmi i saj”, të përfshirë në vëllimin e parë (pjesë e 20 veprave të botuara deri më tash në Shqipëri), At Valentini, në cilësinë e njohësit të madh të popullit dhe kulturës shqiptare, veçon në thellësinë e shpirtit shqiptar një prirje drejt ekumenizmit, universalizmit e drejt bashkimit të kishave të Lindjes me të Perëndimit. Ai ndalet në analizën e figurave të ndryshme madhore dhe historike shqiptare dhe në veprat e tyre për të treguar praninë e një drejtimi ligjor në popullin shqiptar të shoqëruar nga hapja shpirtërore. I pari
është Justiniani i Madh (482-565), i cili la një përmbledhje ligjore të madhe të njohur si Corpus iuris civilis, e cila është edhe sot në bazën e së drejtës civile. Pastaj është Diokleciani dhe Konstandini i Madh, i cili hyri në histori për dekretin e Milanos (313), akti me të cilin përfundoi persekutimi i të krishterëve dhe përcaktohej liria e besimit, duke i hequr paganizmit vlerën si religjion i shtetit. Justiniani ishte i njohur në rajonin e Dardanisë, në qytetin aktual të Shkupit, i cila ishte pjesë e Mbretërisë Ilire, paraardhësve të shqiptarëve të sotëm, ndërsa Konstandini kishte lindur në Naissus, gjithmonë pjesë e Mbretërisë Ilire. Në mesin e shumë shembujve të tjerë Valentini gjithashtu merr në konsideratë edhe patriarkun e Kostandinopojë s, përfaqësuesin më të lartë të Kishës së Lindjes, Athinagorën, i njohur për marrëdhëniet e tij të ngushta me Palin VI dhe hapjen e tij drejt Kishës
Katolike, i cili u lind në Janinë në afërsi të kufirit greko-shqiptar. Orvatja e Valentinit, siç shihet, është ajo e të theksuarit, përmes studimit të figurave të mëdha historike, por edhe nëpërmjet analizave të tjera si ajo e Kanunit, të pranisë së një tendence të fortë drejt universalizmit në kulturën shqiptare, në bashkimin e dallimeve dhe në respektin e larmisë. Harmonia e thellë që ekziston në Shqipëri midis katolicizmit, ortodoksisë dhe islamit është shenjë e një forma mentis që e percepton larminë jo si një problem apo rrezik. Në vijim Valentini shqyrton dy poetët shqiptarë arbëreshë, Jeronim de Rada dhe Zef Skiroi, që bënë të shkëlqejnë përmes punës së tyre vlerat e ekumenizmit dhe të universalitetit të Kishës. Ai shprehet për Skironë se “Pavarësisht besimit ortodoks, ai u tregua një laik i thellë deri në pikën e përparimit – pa nevojën e mbështetjes klerikale të asaj kohe
– në atë hapje drejt njohjes së vlerave të vërteta të të gjitha feve, që vite më vonë shërbeu si bazë për zhvillimin e ekumenizmit”. Poema e tij “Kthimi” është interpretuar nga Valentini si “kryevepra e poemës filozofike dhe religjioze shqiptare”, “Komedia Hyjnore e shqiptarëve, përtej të qenit një vepër me rëndësi fillestare për zhvillimin e ekumenizmit në nivel botëror”, – përfundon Valentini në artikullin e tij duke folur për Kthimi-n. Një tjetër shembull i bashkëjetesës dhe i respektit të ndërsjellë në fushën e marrëdhënieve ndërfetare përfaqësohet nga frati françeskan shqiptar At Gjergj Fishta (1841-1940). I lindur në Fishtë, një vend i vogël në ultësirën e Zadrimës, në zonën e Shkodrës, kandidat i parë për çmimin “Nobel” në Literaturë, poet, prozator, përkthyes, publicist, akademik, politikan dhe patriot i madh, ai përbën një nga figurat intelektuale shqiptare
më të shquara. Kontribuoi jashtë mase në rritjen dhe stabilizimin e paqes dhe bashkëjetesës ndër-religjioze. Më tej u angazhua për të stabilizuar pakte, bashkëpunime, marrëveshje dhe marrëdhënie të një respekti të vërtetë dhe të një dashamirësie të ndërsjellë, duke mos hequr shikimin nga interesat e Shqipërisë dhe të së drejtës së saj për pavarësi, aq sa është e vërtetë se meshat e tij ishin të ndjekura edhe nga zyrtarë të politikës shqiptare që i përkisnin Perandorisë Osmane, nën sundimin e së cilës gjendej Shqipëria deri në vitin e Pavarësisë (1912). Një nga aktet më treguese të Fishtës për sa i përket kontributit tij në bashkëjetesën fetare ishte kur ai, me çlirimin e Shqipërisë nga osmanët, ngriti flamurin kombëtar në Shkodër, dhe në marrëveshje me myftininë e xhamisë aty pranë, bëri të lidhet një konop i ndriçuar me drita nga kampanilja e kishës së fretërve te minarja,
në të cilin valëvitej flamuri kombëtar. Ishte një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë i bashkimit kombëtar dhe i bashkëjetesës paqësore ndërfetare. Faktet tragjike të historisë së shekullit XX kanë dhënë një tjetër shfaqje të frymës universaliste dhe njerëzore të popullit shqiptar, i aftë për të kuptuar, përtej dallimeve etnike dhe fetare, bashkimin e thellë të familjes njerëzore. Në artikullin e botuar në Congress Monthly, revistë e Kongresit hebreo-amerikan, me titull “Mbijetesa hebraike në Shqipëri” (29), Shirley Cloyes DioGuardi shqyrton këtë fenomen pak të njohur të përkujdesjes dhe mbrojtjes së popullsisë çifute që është bërë në Shqipëri, që bëri të mundur që ky Vend të jetë sot i vetmi në të cilin nuk u zhvillua shfarosja e hebrenjve nga ana e forcave naziste. “Vetëm pak njerëz e dinë historinë e gjatë të tolerancës fetare shqiptare dhe rezistencën ndaj shtypjes. As e dinë
se gjatë Luftës së Dytë Botërore të gjithë hebrenjtë që jetuan në Shqipëri apo që kërkuan azil në atë vend u shpëtuan nga shfarosja e Holokaustit. “Shembulli i Shqipërisë dhe i harmonisë fetare që haset në këtë vend na tregon qartësisht vlerën e paqes dhe të vëllazërisë universale njerëzore. Një mendim dhe një praktikë e paqes, e bashkimit dhe e prejardhjes së familjes njerëzore është mundësia më e mirë për kundër logjikës së dhunës.

XHAMIA E DELVINËS

Xhamia e Delvinës ka qenë ndërtuar në shekullin XVI, u mbyll në vitin 1967, iu shemb çatia në mes të viteve ‘70 dhe tani i kanë mbetur vetëm muret e mbuluara nga ferrat.

Tani duan ta rindërtojnë. Asgjë e keqe deri këtu. Flet në ekran Kryetari i Bashkisë dhe thotë se janë lidhur me një Universitet në Venecia që paskësh marrë përsipër t’ua rindërtojë. Pastaj thotë se kur të rindërtohet xhamia do kthehet në atraksion turistik se do vijnë turistët ta shohin. Pra do e rindërtojnë italianët dhe do vijnë ta vizitojnë po italianët. Po ju delvinjotët ç’do bëni? Hiç, do vrasim miza dhe do mbledhim paratë e turistëve që do vërshojnë lumë.

Tempujt fetarë, jetë e mot, veç të qënit shtëpi të Zotit në Tokë, kanë shërbyer edhe si qendra të jetës sociale, si vende të takimit të njerëzve, të përpjekjeve të tyre për të qëndruar bashkë dhe për të vepruar bashkë. Madje këto funksione nuk i luajnë vetëm pas ndërtimit, por që më parë. Në shumë vende ato ndërtohen nga vetë komunitetet si shenja të devocionit të njeriut e përpjekjeve të tij që, pasi ndërton vetë shtëpinë e vet, i organizuar në bashkësi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.

Sot, studionjësit kanë hequr dorë nga varianti i vjetër, sipas së cilit Piramidat janë ngritur nga turma skllevërish nën ritmin e kamxhikut. Ky imazh sot gjendet vetëm në filmat e Hollywood-it, ndërsa arkeologët thonë se ato janë ngritur nga njerëz të lirë, zanatçinj, bujq e blegtorë, tregtarë e zyrtarë, të cilët punonin me vullnet të lirë për një periudhë, si shenjë devocioni ndaj faraonit dhe perëndive. Kështu janë ngritur që atëherë e në vijim shumica e tempujve fetarë anekënd planetit. Kështu janë ngritur edhe shumica e tempujve fetarë në këto trojet tona, kisha e xhami, teqe e faltore, jetë e mot. Ndërsa tani presim të na vijë universiteti i Venecias të na bëjë xhaminë e fshatit. Le të tjerat, po merrni me mend se sa mirë do ndjehet Perëndia e myslimanëve në atë tempull që ia kanë ngritur të krishterët! Xhamia nuk do as kompjutera e as teknologjinë e NASA-s për t’u ngritur. Gurë, dru e djersë vetëm do. Gurë kemi sa të hajë dreqi në këtë vënd, edhe dru kemi sa po i djegim sa mundemi çdo behar, krahë pune në një qytet ku gjysmat janë të papunë ka pa hesap. Atëhere ç’presim?

Dhe si të mos mjaftojë kjo, pasi të na i ngrenë të huajt xhaminë, do presim të bëjmë pará me të huajt që do vijnë ta shohin. Duke lënë mënjanë faktin se ç’ndreqin do dojë një evropian të bëjë qindra kilometra udhë e pa udhë e nëpër ferra, për të parë një xhami të ngrehur rishtazi, por këtu po harrojmë kryesoren. Tempujt e Zotit nuk ngrihen për të bërë pará, por për t’ju falur Zotit, apo jo! Xhamia shërben si qendër ku njerëzit falen e gjejnë paqen me veten, lehtësohen nga gjynahet dhe mblidhen e takojnë njëri-tjetrin, krenohen me punën e bërë së bashku dhe ndihmojnë shoqi-shoqnë. Ndërsa këta thonë se do e bëjnë xhaminë për të bërë pará! Dhe pastaj vrasim mëndjen e themi pse dreqin Zoti na ka marrë me sy të keq!

Read article: XHAMIA E DELVINËS

Filmi anti-islam, reagon ashpër Myftiu i Shkodrës

Filmi anti-islam, reagon ashpër Myftiu i Shkodrës
Publikuar më 14.09.2012 | 20:00

Reagimet ndaj filmit amerikan anti-islam të shfaqur kohët e fundit dhe që ka sjellë reagime të ashpra në botën islame, nuk kanë munguar as në Shqipëri. Myftiu i Shkodrës , Imam Muhamet Sytari gjatë faljes së hytbes të premten tek xhamia e medresesë së djemve në Shkodër e ka cilësuar këtë film si fyerje ndaj religjioneve fetare duke theksuar se është një gjë e gabuar të ndërhysh në shenjtërinë e të tjerëve.

Në fjalën e tij,lidhur me këtë film, myftiu Sytari ka theksuar se, “kështu jemi të alarmuar të gjithë ne dhe duhet të alarmohemi në këto ditë kur shohim dhe dëgjojmë se ata të cilët u përpoqën ta vrisnin dhe ta eliminonin fizikisht Pejgamerin tonë sa ishte gjallë, sot kanë bërë një film, filmin e turpit të tyre. Dikur bënin karikatura dhe karikaturat u dolën për hundësh atyre dhe kujdestarëve të tyre. Tani bënë një film. Prandaj ato të cilët menduan të lëndonin Prejgamerin tonë, në të vërtetë kanë prekur shenjtërinë e çdo feje në këtë botë”.

Në mbyllje të kësaj hytbe, myftiu Sytari dënoi të gjitha fyerjet që i bëhen besimeve fetare dhe tha se gjithmonë duhet të kemi shpresën e varur në krijuesin pasi do vijë koha që të gjithë ta shohim ndriçimin e tij që do të na shndrisë të gjithëve. /E.L/

Read article: Filmi anti-islam, reagon ashpër Myftiu i Shkodrës

Një i shenjtë shqiptaro-amerikan

Një i shenjtë shqiptaro-amerikan

Huffingtonpost boton portretin e një kleriku bektashi shqiptar arratisur në 1944 dhe flet me shumë vlerësim për komunitetin bektashi të Shqipërisë
Ai jetoi në kampet e refugjatëve në Itali para se të shkonte në Kajro në 1948.
Në 1952 ai erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1954, themeloi teqenë e parë shqiptaro-amerikane të Bektashinjve, në Taylor, rreth 20 km nga Detroiti.

Publikuar më 26.08.2012 | 14:30

Përgatiti Ardit Rada

Huffingtonpost është një nga mediat më të mëdha amerikane të ditëve tona. Dje, aty ishte botuar portreti i një kleriku shqiptar, Rexhep Beqirit. Autori Stefën Shvarc (Stephen Schwartz) shkruan: Në periferi të Detroitit Taylor, Mich, e diela e Fiter Bajramit solli një përkujtim të veçantë të natyrës shpirtërore të fesë islame. Rasti ishte nderimi i një bektashiu të lindur në Shqipëri i cili emigroi në Amerikë dhe themeloi një shtëpi të madhe takimi dhe një kompleks në Taylor, e njohur si teqe. Qindra shqiptaro-amerikanë dhe të tjerë u mblodhën në këtë teqe për një darkë që përkujton këtë bektashi të shenjtë, ballkanas dhe amerikan. Z.Beqiri (baba Rexhep Beqiri, – në terma klerikalë) është lindur në vitin 1901 në qytetin jugor shqiptar të Gjirokastrës dhe hyri në Urdhrin Bektashian Sufi në moshën 16-vjeçare. Në vitin 1925 atij iu dha një diplomë si mësues i islamit.

Një nga 12 urdhërat sufistë

Bektashinjtë ishin një shtyllë e gjatë e Perandorisë Osmane, si një nga 12 urdhrat Sufiste, të njohura zyrtarisht. Megjithatë, historia e tyre është heterodoksi dhe kundër-intuitive për vëzhguesit perëndimorë. Ata janë të ndryshëm nga shumë sufistë në marrjen e një roli udhëheqës qytetar duke kultivuar ndërkohë tradita metafizike. Identiteti i tyre është paradoksal; mësimet e tyre mistike janë të fshehta, por këngët e tyre devocionale dhe patriotike janë shumë të njohura nga shqiptarët. Bektashinjtë sufitë përbëjnë një element kryesor në jetën fetare dhe shoqërore shqiptare, duke përbërë rreth 2 milionë të besimtarëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Në të vërtetë, tokat shqip-folëse janë të vetmet rajone evropiane (jashtë territorit të mbetur turk në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë) në të cilat Sufizmi është ende një fenomen i gjallë dhe popullor.

I rritur nën pushtimin osman

Kur z.Beqiri lindi, Shqipëria ishte nën pushtimin osman. Ajo arriti pavarësinë një shekull më parë, në vitin 1912. Sistemi osman në Turqi u zëvendësua në vitin 1923 nga një republikë laike. Urdhrat Sufiste u shtypën zyrtarisht në Turqi dy vjet më vonë dhe bektashinjtë e zhvendosën selinë e tyre botërore në Tiranë. Konflikti mes autoriteteve laike në Turqi dhe bektashinjve u komplikua për faktin që bektashinjtë favorizonin qeverisjen sekulare dhe edukimin publik. Në të njëjtën mënyrë si Sufistët në Turqi dhe Iran, ata mbështesin barazinë gjinore. Ata u bënë të shquar si “iluminantët” shqiptarë në shekullin e 19-të, duke botuar në gjuhën shqipe vepra letrare që nuk gëzonin miratimin e sunduesve Osmanë dhe duke bashkëpunuar me katolikët shqiptar dhe të krishterët ortodoksë shqiptarë në një përpjekje të përbashkët kombëtare për avancimin kulturor dhe pavarësinë e këtij vendi të Ballkanit. Gjithashtu, bektashinjtë në Turqi mbrojtën myslimanët disidentë dhe u përshkruan si “sekt liberal i Islamit” në kuadër të traditës Shiite.

Porosia për hebrejtë

Sipas Haxhi Dedë Reshat Bardhit (1935-2011 udhëheqës suprem i urdhrit), kur ushtritë e Hitlerit morën kontrollin e Shqipërisë nga Italia në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, bektashinjtë u porositën të shpëtonin komunitetin e vogël të hebrenjve shqiptarë dhe disa mijëra hebrenj që kishin shkuar atje nga vende të tjera në Evropë. Dihet tashmë që hebrenjtë u fshehën me sukses dhe Shqipëria ishte i vetmi shtet i pushtuar nga Gjermanët, me më shumë banorë hebrenj në fund të luftës sesa në fillim të saj. Shumica e hebrenjve të cilët u shpëtuan në Shqipëri, emigruan më pas në Izrael dhe vende të tjera. Në 1944, pas ardhjes në pushtet të komunistëve të Hoxhës, z.Beqiri e la tokën e tij mëmë. Ai jetoi në kampet e refugjatëve në Itali para se të shkonte në Kajro në 1948. Në 1952 ai erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 1954, themeloi teqenë e parë shqiptaro-amerikane të Bektashinjve, në Taylor, rreth 20 km nga Detroiti. U ble një fermë dhe kompleksi i bektashinjve u zgjerua me shtimin e dhomave të pritjes, një sallë takimi, një bibliotekë, një hapësirë për festimet e shenjta dhe shumë ndërtesa të tjera në vitet më pas. Me vdekjen e baba Rexhepit në 1995, teqeja bektashiane në Taylor u bë një vend i shenjtë, duke përfshirë edhe varrin e tij.

Idhulli i tij, Naim Frashëri

Pas 1944-s, sunizmi shqiptar, Krishtërimi Orthodhoks shqiptar dhe Bektashizmi u mbajtën të gjallë në Shtetet e Bashkuara. Baba Rexhepi ka mbajtur marrëdhënie të mira me anëtarët dhe udhëheqësit e të gjitha besimeve. Në 1964, në përvjetorin e 10-të të themelimit të qendrës së tij sufiste në Michigan, vlerësoi Amerikën si “një vend që siguroi emigrantët shqiptarë jo vetëm një jetë të mirë, por edhe mundësi të luftojnë për lirinë dhe mbrojtjen e vendit të lindjes së tyre. Sot Bektashinjtë janë të lirë për të praktikuar bindjet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, megjithatë janë të shtypur në Maqedoni. Një libër i z.Beqiri u ribotua në Shqipëri dhe është lexuar gjerësisht. Në Amerikë, ai ka dhënë një kontribut të veçantë në jetën fetare dhe meriton vëmendje dhe studim më të madh. Gjatë përvojës së tij, ai respektoi parimin e cituar nga Naim Frashëri (1846- 1900), një bektashi Sufi dhe një nga poetët kombëtarë të Shqipërisë: “Gjithçka është atje dhe s’ka tjetër veç Zotit.”

Read article: Një i shenjtë shqiptaro-amerikan